Jevtiq: Serbët janë të bashkuar
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, nga radhët e Listës Serbe, duke folur në protestën që po zhvillohet në Rudarë të Zveçanit, tha se në këtë “luftë” serbët janë të bashkuar.
Ai tha se qëllimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është që të mos ketë serbë në jug dhe në veri të Ibrit, ose të ketë "vetëm nga ata që duan t'i përulen".
Ka përfunduar protesta e qytetarëve serbë në veri
Qytetarët serbë që protestuan në fshatin Rudarë të Zveçanit e shpallën të përfunduar protestën. Ata i vendosën disa kushte për institucionet e Kosovës në këmbim të largimit të barrikadave. Protesta ishte e qetë dhe nuk u raportua ndonjë incident.
Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Këto janë kushtet e serbëve për largim të barrikadave
Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës, janë kushte për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në një protestë të mbajtur të enjten në Rudarë, në veri të Kosovës.
Protesta u mbajt në vendin ku ndodhet një nga nëntë barrikadat e ngritura nga popullata vendase serbe pas arrestimit të ish-policit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim vetëm pse jemi serbë”, tha Rakiq para turmës.
Ai tha se zgjidhja e kësaj krize është “ekskluzivisht në Prishtinë”.
Lexoni këtu lajmin e plotë për protestën e sotme:
Një rikujtim se pse u mbajt protesta në veri
Që nga 10 dhjetori rrugët kryesore në veri të Kosovës janë të bllokuara nga barrikadat. Grupe të serbëve lokalë kanë bllokuar me mjete të rënda dy rrugët kryesore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Përmes këtij veprimi ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Protesta u zhvillua në Rudarë, komuna e Zveçanit, kundër siç u tha, “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë për The Guardian tha se barrikadat nuk mund të largohen pa pasoja.