KFOR-i publikon pamje të stërvitjeve në veri
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka shpërndarë në Twitter pamje të stërvitjeve ushtarake në veri të Kosovës për, siç thuhet, testimin e aftësive të misionit për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
Më 18 dhjetor, KFOR-i njoftoi se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë.
Njoftimi për këto stërvitje vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
Të premten e kaluar, ky mision njoftoi se e ka shtuar numrin e ekipeve patrulluese në veri.
OJQ-të nga Kosova dhe Serbia, thirrje për zëra konstruktivë për të ecur bashkë përpara
Një grup prej 35 organizatash të shoqërisë civile nga Kosova e Serbia kanë bërë thirrje për zëra të rinj konstruktivë për të ecur bashkë përpara, për zëra që kërkojnë partneritete dhe koalicione përtej vijave të kuqe që supozohet t’i definojnë ato, dhe për zëra që ngrihen publikisht "kundër retorikës përçarëse e poshtëruese".
Në një komunikatë për media, organizatat e kanë quajtur dështim të imagjinatës politike ciklin e vazhdueshëm të përshkallëzimit dhe depërshkallëzimit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Për më shumë lexoni lajmin e plotë KËTU.
Vuçiq: Barrikadat do të largohen kur të krijohet Asociacioni
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se barrikadat në veri të Kosovës do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiq për gazetarët në Azerbajxhan, raporton agjencia e lajmeve Beta.
Për krijimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë kanë argumentuar se krijimi i këtij Asociacioni do të ishte i dëmshëm për Kosovën.
Sipas Vuçiqit, Kosova nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm dëshiron që ta poshtërojë Serbinë.
Ai theksoi se sjellja e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, është më e drejtë krahasuar me sjelljen e shumicës së qeverive perëndimore.
“Ata [KFOR] po e trajtojnë situatën me seriozitet dhe me përgjegjësi”, tha Vuçiq.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Policia me pika kontrolli në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq
Policia e Kosovës tha se ka vendosur pika të kontrollit të automjeteve në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, për të garantuar qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes dhe për të parandaluar “veprimtaritë kriminale dhe kontrabandën në përgjithësi”.
Policia tha se menaxhimi dhe kontrolli i situatës së sigurisë në veri të Kosovës mbetet prioriteti kryesor për të, teksa shtoi se po bën “përpjekje maksimale për tejkalimin e situatës” të tensionuar.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga fillimi i dhjetorit, teksa janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Autoritetet dyshojnë se Pantiq ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për shkak të rritjes së tensioneve, Policia ka shtuar prezencën në veri dhe pas nisjes së vendosjes së barrikadave, janë mbyllur përkohësisht edhe dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.