Vuçiq pyet Perëndimin “nëse do t’i respektojë marrëveshjet që i ka bërë vetë”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pyeti të mërkurën partnerët perëndimorë “nëse do t’i respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë vetë”.
Vuçiq i bëri komentet në një video-mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, në prag të takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se “i kërkon Perëndimit të tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumente të rëndësishme do të respektojë”.
Shumica e dokumenteve që përmendi Vuçiq, i referohen Kosovës.
“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur në dokumentin e gjashtë - shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003 - dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se në Marrëveshjen e Selanikut ekziston një klauzolë që thotë se do të mbështetet zbatimi i Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
“Dhe, në vazhdën e dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE të së ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është se a do t’i respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë”, tha Vuçiq.
Udhëheqësit e Kosovës nënshkruan më 14 dhjetor aplikimin për anëtarësim në BE, i cili një ditë më vonë do të dorëzohet në Republikën Çeke - vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.
Pamje nga fshati Rudarë
Në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit vazhdoi edhe të mërkurën bllokimi i rrugëve.
Korrespondentët e REL-it në terren raportojnë se në mesin e të pranishmëve pranë barrikadave janë edhe të punësuar në institucionet publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë. Ata thuhet se qëndrojnë në grupe nga pesë orë.
Policia hedh poshtë pretendimet se Pantiqit nuk i janë ofruar barnat e nevojshme
Policia e Kosovës tha se janë "të pavërteta" spekulimet e personave të caktuar dhe të disa mediave kryesisht serbe se ish-policit serb të arrestuar, Dejan Pantiq, "autoritetet nuk i kanë ofruar barna mjekësore".
Në një njoftim për media thuhet se ai "është trajtuar mjaft mirë, konform rrethanave të krijuara", i "është ofruar avokati mbrojtës" si dhe i "është lejuar përdorimi i barnave mjekësore".
Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.
Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atyre policorë në veri.
Kujtojmë se arrestimi i tij bëri që disa serbë lokalë në veri të Kosovës të ngrenë barrikada.
Barrikadat në Rudarë
Ekipet e Radios Evropa e Lirë kanë qëndruar të mërkurën në Rudarë dhe barrikadat duken si në fotografi.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, kamionë e autobusë po shfrytëzohen për të krijuar bllokadë.