Vuçiq takon të mërkurën Lajçakun dhe Escobarin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet të mërkurën në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas Presidencës serbe, Vuçiq dhe Lajçak më pas do të takohen edhe me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar është takuar të hënën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë.
Të dy liderët kanë thënë se me Escobarin kanë diskutuar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.
Një ditë më parë, kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.
Ai ka thënë po ashtu se BE-ja është e gatshme të çojë përforcime për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Escobar flet për REL-in
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, që Serbia ka paralajmëruar se do ta kërkojë nga KFOR-i.
PDK: Barrikadat duhet të hiqen pa vonesë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të dënojë atë që e ka konsideruar propagandë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën dhe që “ta shkëpusë Serbinë nga këto iluzione pushtuese”.
Pas takimit të zhvilluar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, PDK-ja ka thënë përmes një komunikate për media se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen pa vonesë.
“Në këtë pikë, nuk duhet të ketë zmbrapsje. Koha është për reagim shtetëror!”, është thënë në një komunikatë për media.
Intervista e plotë e Escobarit për REL-in
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, Escobar thotë se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.