Çfarë ndodhi më 12 dhjetor?
- Barrikadat e ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, kanë vazhduar të bllokojnë qarkullimin në këtë pjesë. Këtu e gjeni materialin tonë si u është vështirësuar jeta banorëve të asaj zone.
- Ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Sipas autoriteteve të Kosovës, "Pantiq ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”. Si shenjë pakënaqësie për arrestimin e tij, serbët lokalë kanë ngritur barrikadat.
- I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në komunikatat e lëshuara nga këto institucione është thënë se liderët e Kosovës kanë biseduar me Escobarin për nevojën e largimit të menjëhershëm të barrikadave.
- Bashkë me Escobarin, vizitë në Ballkan ka planifikuar edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur, pasi ai e ka anuluar vizitën, si pasojë e infektimit me koronavirus. Vetë Chollet ka thënë se pret që vizitën në këtë rajon ta realizojë në fillim të vitit të ardhshëm.
- Ndërkohë, kryediplomati evropian, Josep Borrell, i ka kërkuar të dërguarit të bllokut evropian për Ballkanin, Mirosllav Lajçak, që të vizitojë më 14 dhjetor Kosovën dhe Serbinë, me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.
- Bashkimi Evropian, po ashtu, ka thënë se ka gatishmëri për të forcuar misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
- Në Serbi, presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se më 15 dhjetor do t’i nisë kërkesë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për angazhimin e 1.000 forcave serbe të sigurisë në Kosovë. Autoritetet e Kosovës e kundërshtojnë ashpër këtë vendim.
- Kremlini ka bërë thirrje të hënën për zgjidhje “diplomatike”, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ditëve të fundit, por është zotuar se do të mbështesë interesat e Beogradit. Serbia gëzon lidhje të mira me Rusinë, derisa kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.
Përfaqësuesit e Listës Serbe takojnë Escobarin
Përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - kanë takuar të hënën të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Sipas Listës Serbe, palët kanë biseduar për situatën politike dhe atë të sigurisë.
Beograd: Protestë në mbështetje të serbëve të Kosovës
Qindra njerëz janë mbledhur të hënën në Beograd, për të protestuar “si shenjë mbështetjeje për serbët” në Kosovë.
Protesta është zhvilluar përpara Kishës Shën Sava.
Thirrja për protestë është bërë e ditur në rrjetin social Telegram, te kanalet e disa organizatave të krahut të djathtë në Serbi.
Një prej organizatorëve - me maskë në fytyrë - i ka thënë audiencës se nuk dëshiron të bëjë të ditur identitetin, por është nga Kosova.
Ai i ka thënë turmës se nuk dëshiron “Asociacion të komunave me shumicë serbe” dhe që Kosova është pjesë e Serbisë.
Protestuesit kanë kënduar këngë për Kosovën dhe këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë.
Ata kanë bërtitur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” si dhe “jo ndasive, Kosova është pjesë e Serbisë”.
Ata kanë bartur flamuj të Serbisë dhe Rusisë, si dhe mbishkrimet “Kosova nuk dorëzohet”.
Protestuesit kanë lëvizur edhe te rrugët e qendrës së qytetit, të cilat janë mbyllur për trafikun.
Ata e kanë djegur flamurin e Kosovës përpara Presidencës së Serbisë.
Protestuesit më pas kanë thënë se janë në pritje “të përgjigjes së shtetit”.
Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet në veri të Kosovës.
Rikthehemi sërish në mëngjesin e 13 dhjetorit.
Faleminderit që ishit me ne!