Osmani takon partitë politike për zgjedhjet në veri
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet t’i takojë partitë politike për konsultim për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës - Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në njoftimin e presidencës thuhet se takimi do të mbahet të shtunën në orën 14:30, por nuk jepen detaje se kush do të marrë pjesë.
Serbët lokalë mblidhen në Rudarë
Qytetarët serbë në veri kanë filluar të mblidhen në Rudarë, në afërsi të Zveçanit.
Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, aty janë parë burra të maskuar dhe gra.
Arsyeja e mbledhjes ende nuk është bërë e ditur, por ka informata se kjo vjen pas një arrestimi në veri.
Në këtë vend, Rudarë, më herët janë ngritur barrikada nga serbët lokalë.
Petkoviq: E kam njoftuar Lajçakun për arrestimin
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se të shtunën në Jarinjë është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Ai tha se për këtë ngjarje e ka njoftuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Petkoviq tha se do të kërkojë nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që “të ndërpritet menjëherë hakmarrja ndaj serbëve".
Bllokohet rruga në Rudarë, dëgjohen sirenat në veri
Sipas informatave të REL-it nga terreni, rrugët janë bllokuar në Rudarë, komuna e Zveçanit, si dhe në Leposaviq.
Po ashtu, në Mitrovicën e Veriut dhe në Rudarë janë dëgjuar sirenat.
Në Rudarë janë parë edhe automjetet e ndihmës së parë.