Protestë në Rudarë
Në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, qytetarët serbë pritet të protestojnë kundër, siç thanë, “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në këtë vend, i cili në mesin e komunitetin lokal serb njihet edhe si “Te kryqi”, ndodhet një prej barrikadave të ngritura në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor.
Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, i ftoi qytetarët që “të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar” gjatë protestës.
Sipas paralajmërimeve të mëhershme, të mbledhurit në protestë pritet t’i kundërshtojnë “ultimatumet dhe afatet” për heqjen e barrikadave.
Nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për heqjen e barrikadave, ata kërkojnë lirimin e Pantiqit.
Përshëndetje të nderuar lexues,
Po e rikthejmë raportimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet në veri dhe ngjarjet e tjera që lidhen me të.
Faleminderit që na ndiqni!
Gazetarët në veri nën rrezik të vazhdueshëm
Që nga 10 dhjetori - kur nisi ngritja e barrikadave në veri - janë regjistruar të paktën pesë incidente ndaj ekipeve të gazetarëve në veri të Kosovës, përfshirë edhe sulme direkte.
Në këtë artikull mund të lexoni rrëfimin e gazetarëve për raportimin nga veriu:
Policia: Po hetojmë rrëmbimet e raportuara të serbëve nga grupet kriminale
Policia e Kosovës tha se është duke kryer hetimet e nevojshme lidhur me informacionet dhe raportimet mediale për rrëmbimin e disa qytetarëve serbë në veri të Kosovës.
Policia tha se është duke i trajtuar këto raste me “seriozitet”.
“Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serbë nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia nuk bëri të ditur se sa persona dyshohet se janë rrëmbyer apo të keqtrajtuar dhe kur kanë ndodhur këto incidente.
Megjithatë, forcat e rendit thanë se tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kërkojnë ngritjen e kapaciteteve policore për të menaxhuar situatën e sigurisë dhe për të parandaluar “aktivitetet kriminale”.