Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
22:43 20.12.2022

AGK: Shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve ndodhi afër një ekipi gazetarësh


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se shpërthimi i 20 dhjetorit në Lagjen e Boshnjakëve ndodhi në afërsi të ekipit të televizionit Tëvë1.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë ndaj situatës së krijuar në veri të vendit, dhe u bën thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar përgjatë raportimeve të tyre nga kjo pjesë. Njëherësh, AGK-ja, sërish kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura që të sigurojnë gazetarët të kryejnë punë e tyre pa u rrezikuar e penguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.


Policia tha se në Mitrovicë të Veriut mbrëmjen e 20 dhjetorit janë raportuar dy shpërthime: në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt.

Autoritetet e rendit dyshojnë se shpërthimet janë kryer me shok bomba.

Nga këto shpërthime nuk është raportuar për të lënduar apo dëme materiale.

22:26 20.12.2022

Shefi i EULEX-it: Kemi dërguar furnizime për policët e Kosovës në veri

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka dërguar furnizime esenciale për pjesëtarët e Policisë së Kosovës që gjenden në fshatin Rudarë dhe në pikën kufitare të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.

Kështu tha shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, përmes një postimi në Twitter.

“I lumtur t’iu njoftoj se pas kërkesës së Policisë së Kosovës, EULEX më 17 dhjetor ka dërguar furnizime të nevojshme për policët e Kosovës në Rudarë dhe në pikën kufitare të Jarinjës, përfshirë furnizime ushqimore, rroba dhe produkte të higjienës”, shkroi ai.

Ky njoftim vjen pak orë pasi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë bllokuar në veri për shkak të barrikadave.

Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori kanë ngritur barrikada në veri, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

Dejan Pantiq sipas autoriteteve në Kosovë dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

22:01 20.12.2022

Shpërthime në Mitrovicë të Veriut


Në Mitrovicë të Veriut mbrëmjen e 20 dhjetorit kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e shok bombave.

Sipas Policisë, njësitet patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20 në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt.

“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.

20:46 20.12.2022

Lista Serbe: Sveçla kërcënoi Rakiqin

Lista Serbe ka akuzuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se e ka “kërcënuar” kreun e kësaj partie, Goran Rakiq.

Ky reagim i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – erdhi pasi Sveçla tha se Rakiq dhe “bandat kriminale” , përmes barrikadave të ngritura në veri, po bllokojnë qytetarët dhe policët e Kosovës.

Sveçla po ashtu e akuzoi Listën Serbe, se po “armatos bandat brenda barrikadave”.

“Pa asnjë dëshmi për akuzat e tij, ministri i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, që udhëheq njësitë e armatosura speciale, që deri më tash kanë treguar urrejtjen ndaj gjithçka që është serbe, bëri kërcënimin më direkt ndaj përfaqësuesit ligjor dhe legjitim politik të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, u tha në deklaratën e Listës Serbe.

Lista Serbe tha se Sveçla dhe Kurti janë “përgjegjës për situatën në të cilën jemi sepse për muaj keni bërë represion ndaj popullatës së pafajshme serbe”.

“Pas këtij kërcënimi direkt të Kurtit dhe Sveçlës, ne ju themi atyre se do t’i mbajmë përgjegjës në rast se rrezikohet siguria fizike e Rakiqit apo çdo qyteti tjetër”, tha Lista Serbe.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG