Trajkoviq lëshohet nga spitali
Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se të shtunën është liruar nga spitali në Serbi dhe gjendja e saj është stabile.
Asaj i është përkeqësuar gjendja të premten, në kthim e sipër nga Kosova në Serbi dhe më pas është dërguar në spital me ambulancë.
Trajkoviq ka thënë se autoritetet serbe nuk ia kanë mundësuar hyrjen në Serbi dhe e kanë mbajtur për disa orë në kufi.
Rashiq ka shprehur shqetësim për gjendjen e saj, dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bisedojnë me zyrtarë të huaj për të mundësuar lëvizjen e saj të lirë.
Ai ka thënë se Trajkoviq vuan nga diabeti dhe ka nevojë të marrë terapinë në kohë.
“Faleminderit të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi që kanë folur publikisht për torturën”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
Përndryshe Rashiq është emëruar ministër pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë larguar nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Emërimi i Rashiqit dhe Trajkoviqit është kritikuar nga Beogradi zyrtar.
Policia raporton për një barrikadë të re në veri
Policia e Kosovës ka bërë të ditur të shtunën se në natën e mbrëmshme është vendosur një barrikadë e re në veri të Kosovës.
Sipas raportit policor, barrikada e re është vendosur “në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan”.
Në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, disa orë më parë, zyrtarët policorë për rajonin e veriut, kanë thënë se situata në paraditen e 17 dhjetorit është e qetë.
Sveçla: Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave është i tepërt
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat në veri të Kosovës dhe se janë duke vlerësuar situatën në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se qytetarët e zonës veriore që janë bllokuar nga barrikadat, po kërkojnë “me ngulm” heqjen e tyre.
“Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës raporton për situatë të qetë në veri
Policia e Kosovës ka thënë se situata në veri të Kosovës është e qetë.
E shtuna shënon ditën e tetë prej kur serbët lokalë kanë ngritur barrikadat në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – të cilat lidhin Kosovën me Serbinë - si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
“Barrikadat nuk kanë lëvizur, por nuk ka ndonjë zhvillim apo incident të raportuar. Është qetë”, ka thënë Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Sipas autoriteteve të Kosovës, Pantiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fillim të muajit dhjetor.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje për të organizuar zgjedhjet lokale në veri, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t'u larguar nga institucionet e Kosovës.
Pas sugjerimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, zgjedhjet janë shtyrë në prill të vitit të ardhshëm.