Lajçak dhe Escobar sot në Beograd
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të takojnë sot në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi vjen në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb. Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Një ditë më herët, dy diplomatët perëndimorë takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Preferoj rrugë diplomatike për heqjen e barrikadave në veri, tha Lajçak.
Për më shumë lexoni këtu.
Mirëmëngjesi të nderuar lexues!
Në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë barrikadat që kanë ngritur disa serbë lokalë, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb, të dyshuar për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për më të rejat e fundit!
Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet në veri të Kosovës.
Rikthehemi sërish në mëngjesin e 14 dhjetorit.
Faleminderit që ishit me ne!
Bërnabiq: Escobar, tjetër politikan që kundërshton rezolutat e OKB-së
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është “një tjetër politikan që me vendosmëri është kundër rezolutave valide të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në disa postime në Twitter, Bërnabiq, ka thënë se Escobar “e ka marrë rolin e Këshillit të Sigurimit dhe me votën e tij unanime, të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe ministres [Viola] von Cramon, të njohur edhe Raportuesja për Kosovën*, e ka anuluar Rezolutën 1244”.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
“Kombet e Bashkuara nuk kanë nevojë të organizojnë sesione të Këshillit të Sigurimit, kjo trojkë do të vendosë për të gjitha çështjet globale tash e tutje”.
“Nëse mundem, një pyetje, nëse Rezoluta 1244 nuk është më valide (sepse juve nuk ju pëlqen, ndonëse askujt nuk i bëhet vonë) dhe nëse Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston (siç thotë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe pasi ju nuk i dënoni deklaratat e tij, ju liderë të mëdhenj) dhe nëse Marrëveshja e Uashingtonit nuk është asgjë pos diçka e së kaluarës, dhe nëse Karta e OKB-së nuk vlen për Serbinë (sepse ju liderët besoni se nuk duhet), atëherë në bazë të cilës marrëveshje/rezolute/parimi duhet të veprojmë ne?” ka pyetur ajo.
Bërnabiq nuk e ka bërë të ditur se cilave deklaratave të Escobarit u është referuar, apo cilave veprime të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë.
Deklaratat e saj vijnë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.