Kurti: Republika e Kosovës do të mbrohet - me forcë dhe vendosmëri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur kërkesës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës, duke thënë se Kosova “do të mbrohet – me forcë dhe vendosmëri”.
Vuçiq paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Kurti i ka quajtur këto deklarata të Vuçiqit kërcënime me agresion ushtarak.
“Presidentja dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet - me forcë dhe vendosmëri”, shkroi Kurti në Twitter.
Hovenier: Sulmet mbi EULEX-in dhe Policinë e Kosovës janë të papranueshme
Sulmin me shok bombë ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një postimi në Twitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.
Sulm me shok bombë ndaj patrullës së EULEX-it në veri
Një shok-bombë (bombë çorientuese) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e dhjetorit, në afërsi të Rudares, njofton ky mision.
"Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale", thuhet në njoftimin për media të 11 dhjetorit.
KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit.
Vuçiq: Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”, duke shtuar se ata janë “detyruar [t’i ngrinin] barrikadat”.
“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në Instagram më 11 dhjetor.
Vuçiq shtoi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore”.