AGK u bën thirrje autoriteteve të ofrojnë siguri për gazetarët që raportojnë nga veriu
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të marrin masa për të siguruar gazetarët gjatë raportimeve të tyre në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, AGK ka thënë se brenda dy ditëve janë raportuar dy sulme ndaj ekipeve të mediave lokale në Kosovë.
Policia e Kosovës ka thënë më herët gjatë ditës se ka pasur raportime për të shtëna me armë zjarri në disa lokacione në veri të Kosovës.
Kurti: Jemi në kontakt me KFOR-in, barrikadat duhet të hiqen menjëherë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe se autoritetet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook, duke iu referuar synimeve të autoriteteve serbe për angazhim të forcave të saj në Kosovë.
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, ka thënë Kurti.
Ai u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të dënojnë atë që e ka konsideruar “dhunë të orkestruar” dhe ka thënë se çdo veprim tjetër “do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.
Kush vendos për kthimin e forcave serbe në Kosovë?
Po ua risjellim materialin e një dite më parë rreth synimeve të Serbisë për të angazhuar ushtrinë e saj në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës, në anën tjetër, janë zotuar se diçka e tillë nuk do të ndodhë.
Lexojeni çfarë thonë ekspertët e fushës së mbrojtjes dhe asaj ligjore.
Policia e Kosovës: Të shtëna me armë zjarri në disa lokacione në veri
Policia e Kosovës ka thënë se “grupet kriminale” që kanë bllokuar disa rrugë në veri të Kosovës, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri kundër njësiteve policore në rrugën që të çon në pikën kufitare Bërnjak, e cila lidh Kosovën me Serbinë.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se zyrtarët policorë u janë përgjigjur këtyre sulmeve, po ashtu, me armë zjarri dhe sulmuesit më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Policia ka thënë se për të shtëna me armë zjarri është dëgjuar në disa pjesë të veriut, por nuk ka informacione për të plagosur.