Ndërlidhjet

Zhdukja e banorëve ukrainas në rajonin e kontrolluar nga Rusia


Trupat ruse shihen teksa banorët e Heniçeskut në rajonin Herson protestojnë kundër pushtimit rus. 6 mars 2022.
Trupat ruse shihen teksa banorët e Heniçeskut në rajonin Herson protestojnë kundër pushtimit rus. 6 mars 2022.

Në mëngjesin e 12 marsit, pak pas orës 09:00, Serhiy Tsyhipa u përshëndet me gruan e tij dhe doli nga shtëpia në qytetin jugor ukrainas, Nova Kahovka. Së bashku me qenin e tij Ais, ai u nis që të takohej me kolegët në një qytet pranë.

Tsyhipa, një aktivist 60-vjeçar, bloger, dhe kundërshtar i zëshëm i pushtimit të Rusisë, po ashtu duhej që të dërgonte disa ilaçe për vjehrrën e tij.

“Ai nuk erdhi kurrë. Ai nuk u kthye kurrë në shtëpi. Telefoni i tij u aktivizua dy herë për disa minuta dhe kaq. Unë munda vetëm të dërgoja mesazhe zanore, asgjë më shumë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Olena, bashkëshortja e Serhiy Tsyhipa.

Në ditën e njëjtë që Tsyhipa u zhduk, Oleh Baturin, gazetar në një media lokale të quajtur Noviy Den, po ashtu u zhduk. Familjarët dhe kolegët e tij ende po e kërkojnë.

Në rajonin jugor të Ukrainës, Herson, njerëzit po zhduken. Rasti i fundit ndodhi më 16 mars, kur persona të armatosur kapën kryetarin e qytetit bregdetar Skadovsk dhe zëvendësin e tij, dhe i dërguan në një lokacion të panjohur.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Shumica e këtij rajoni, që gjeografikisht përfshin bregdetin e Detit të Zi, grykën e lumit Dneipr dhe kufirin administrativ me Krimenë e kontrolluar nga Rusia, ka qenë nën okupim që nga 3 marsi, kur forcat ruse hynë në kryeqytetin rajonal, që gjithashtu quhet Herson.

Ky ishte qyteti i parë i madh ukrainas që ra nën kontrollin e rusëve që prej se Moska nisi pushtimin e shkallës së gjerë më 24 shkurt.

Banorët e Hersonit e kanë kundërshtuar pushtimin, duke organizuar marshe përgjatë qytetit, duke valëvitur flamuj ukrainas dhe duke u konfrontuar haptazi me trupat ruse. Në Skadovsk, protestuesit janë mbledhur jashtë ndërtesës së administratës lokale, duke kërkuar që të lirohet kryetari.

Disa orë më vonë, kryetari Oleksandr Yakovlyev publikoi një video në internet, ku tha se ai ishte liruar dhe se të tjerët do të liroheshin po ashtu shumë shpejt. Megjithatë, në video ai dukej dhe tingëllonte keq.

Deri më tani, forcat ruse gjerësisht janë përmbajtur nga përdorimi i dhunës ndaj protestave të tilla, të paktën publikisht. Gjatë një marshi më 13 mars, ushtarët rusë u panë duke shtënë në ajër me armë, që duket se ishte një përpjekje për të frikësuar protestuesit në Herson.

Ukrainasit protestojnë në qytetin e kontrolluar nga forcat ruse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:42 0:00

Por, banorët lokalë thanë se po rritet numri i personave që po zhduken, teksa ka raportime se persona të armatosur – disa të kamufluar, të tjerë pa ndonjë shenjë identifikuese – po shkojnë derë më derë për të kërkuar qytetarë.

Deri më tani, 400 persona janë raportuar se janë zhdukur në këtë rajon në javët e fundit, kanë thënë zyrtarët e ushtrisë ukrainase.

“Këta janë aktivistë, organizatorë të tubimeve”, tha për Current Time, Pavlo Keba, banor i Hersonit.

“Ata po tentojnë të shtypin çdolloj të protestave sepse po e shohin se populli absolutisht nuk është i frikësuar të marshojë para trupave ruse dhe e kuptojmë plotësisht se çfarë ata thonë”.

Protestat në Herson kundër pushtimit rus. 6 mars 2022.
Protestat në Herson kundër pushtimit rus. 6 mars 2022.

Forcat okupuese gjithashtu kanë sugjeruar se planifikojnë të organizojnë një referendum për pavarësinë e rajonit Herson – një votim mashtrues sipas banorëve lokalë dhe Qeverisë ukrainase, që do të shërbente si pretekst për formalizimin e kontrollit rus.

Serhiy Khlan, zëvendësshef i këshillit rajonal të Hersonit, i tha Current Time se zyrtarët rusë duket se po kërkojnë aktivistët pro-ukrainas dhe ligjvënës lokalë.

“Ata po fshihen, por ata po kërkohen [nga forcat ruse]. Ka pasur bastisje. Forcat ruse po i kërkojnë ata në qytetin e Hersonit dhe në rrethinat e rajonit. Ata këshilltarë që morën thirrje telefonike refuzuan [të bashkëpunonin]”, tha ai.

Khlan tha po ashtu se policia ruse dhe civilët janë dërguar për të patrulluar dhe qeverisur me qytetin. Me gjasë, sipas tij, civilët janë dërguar nën urdhrat e Gardës Kombëtare të Rusisë, një forcë policore jashtëzakonisht e militarizuar që i përgjigjet drejtpërdrejt presidentit Vladimir Putin. Ai po ashtu tha se në mesin e zyrtarëve policorë janë edhe ish-anëtarë të njësisë famëkeqe policore të Ukrainës, të njohur si Berkut.

Kjo njësi njihej për shtypjen e dhunshme të protestuesve dhe është fajësuar për shumicën e vdekjeve të civilëve ukrainas që ndodhën në shkurt të vitit 2014, në ditët e fundit të protestave në rrugën Maidan.

Olena Tsyhipa i tha REL-it se pasi ajo filloi ta bënte publike zhdukjen e burrit të saj, ajo filloi të dëgjonte nga banorët e tjerë të Nova Kahovës se e kanë parë burrin e saj në një pikë-kontrolli të ushtrisë.

“E gjeta qenin. Disa njerëz të mirë më thirrën dhe më thanë se ai ishte i lidhur” pranë zyrës së administratës lokale, tha ajo. “Ai ishte shumë i frikësuar”.

Ajo tha se beson që burri i saj, por edhe gazetari i Noviy De, Oleh Baturin, janë arrestuar ose sepse kanë refuzuar që ta pranojnë pushtimin rus ose sepse kanë folur publikisht kundër këtij pushtimi.

“Ata janë arrestuar në mënyrë që të mos shkruajnë asgjë pro-Ukrainës, sepse ata po bëjnë një luftë të informacionit që seriozisht po iu pengon pushtuesve”, tha ajo.

Gruaja e Baturinit, Natalya, tha se burri i saj doli nga shtëpia pasditen e 12 marsit, pasi kolegët e kontaktuan dhe i propozuan që të takoheshin në një stacion autobusi aty pranë.

“Ai shkoi të takonte kolegët që e thirrën. Më pas nuk kemi asnjë informacion, asgjë. Ai nuk mori asgjë me vete”, tha ajo.

Gazetari Oleh Baturin.
Gazetari Oleh Baturin.

Në një postim të paverifikuar në platformën sociale TikTok, një banore e Hersonit e quajtur Oksana postoi një video që ajo tha se shfaqte burrin e saj duke u marr nga burra të maskuar, të armatosur dhe të kamufluar.

“Ma ktheni burrin tim. A e kuptoni se ju jeni në një shtet të huaj? A e kuptoni që jeni në një shtet të huaj? Ma ktheni burrin tim. Ai as nuk ka armë”, dëgjohet ajo duke thënë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta verifikojë këtë video. Kjo përdoruese e TikTok-ut nuk i është përgjigjur mesazheve për informacione të mëtejme.

Raportimet për zhdukjet e dhunshme nuk ka pasur vetëm në Herson. Në qytetin Melitopol, që gjendet në rajonin fqinj të Zaporizhjas, autoritetet akuzuan forcat ruse se më 11 mars rrëmbyen kryetarin e qytetit – duke e marrë atë nga zyrat e tij, duke i vendosur një thes në kokë dhe duke e dërguar në një lokacion të panjohur.

Më 16 mars, autoritetet ukrainase thanë se kryetari i Melitopolit është liruar.

Ndërkaq, një banore e Melitopolit, që u prezantua vetëm si Anna, i tha Current Time se persona të armatosur po shkojnë derë më derë në disa pjesë të qytetit – përfshirë edhe brenda ndërtesës ku ajo jeton.

“Ata e thyen derën e hyrjes natën. Dëshironin që ta hidhnin në ajër derën e banesës të njeriut që po e kërkonin. Ne i bindëm që të mos e bënin këtë, duke iu shpjeguar se në banesën që po kërkonin nuk banonte askush prej shumë kohësh”, tha ajo.

“Është një gjueti shtrigash ose sikurse sistemi që ishte më 1937, unë se di se çfarë është kjo, por është alarmuese”, tha ajo, duke iu referuar represionit të madh që ndodhi gjatë epokës së diktatorit sovjetik, Josep Stalin, një periudhë që njihet si “Terrori i Madh”.

Ajo tha se disa persona të armatosur, gjykuar nga aksenti që kishin, i tingëllonin sikur ishin nga Donbasi – rajon në lindje të Ukrainës që për tetë vjet ka qenë skenë e luftës ndërmjet forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, që kontrollojnë pjesë të dy provincave Donjeck dhe Luhansk.

Ajo tha se patrullat po konfiskonin nga banorët telefona mobilë, tabletë dhe pajisje të tjera elektronike kur ata po ndalohen në pikat e kontrollit.

Në Buça, një zonë në periferi të kryeqytetit, Kiev, kanë ndodhur bombardime të rënda. Këshilli i qytetit tha se gjashtë punonjës të komunës dhe vullnetarë janë kapur nga ushtria ruse dhe më pas janë liruar. Rrethanat pas rrëmbimit të tyre ende nuk janë të qarta.

Serhiy Tomilenko, drejtor i Unionit Kombëtar të Gazetarëve, tha se organizata po pranon një numër në rritje të raportimeve nga Hersoni lidhur me persona të paidentifikuar që po thyejnë dyert e shtëpive të gazetarëve dhe figurave publike që publikisht kanë demonstruar çfarëdo lloj patriotizmi ukrainas.

Ai tha se sheh ngjashmëri me atë që ka ndodhur në Krime pasi Rusia e aneksoi këtë gadishull ukrainas më 2014.

“Një prej veprimeve të tyre të para ishte pastrimi, në veçanti, i hapësirës së informacionit publik të atyre që janë të gatshëm t’i kritikojnë ose thjesht të dëshmojnë për krime ose veprime që kanë të bëjnë me marrjen e pushtetit, kontrollit... duke bërë shkelje të të drejtave të njeriut në shkallë të gjerë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG