Ndërlidhjet

Pse nuk votuan të rinjtë në Shqipëri?


Dy qytetarë duke kërkuar emrat në listat e votuesve për zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri
Dy qytetarë duke kërkuar emrat në listat e votuesve për zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri

Në zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri votuan vetëm afro 14 për qind e të rinjve të regjistruar si votues për herë të parë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këtë proces ishin regjistruar 122.545 votues për herë të parë, por vetëm 16.628 prej tyre e ushtruan të drejtën e votës.

Klea Dehari, studente në vitin e parë në degën e Fizioterapisë thotë se asnjë prej partive politike nuk e ka frymëzuar që të japë votën e saj për të.

"Nuk më intereson shumë politika dhe mendoj se votimi nuk ka ndonjë ndikim të madh në zgjidhjen e problemeve të mia të përditshme. Nuk u besoj politikanëve që momentalisht na përfaqësojnë në Shqipëri dhe nuk mendoj se ata do të jenë të aftë për të bërë ndryshime të rëndësishme. Gjithashtu, nuk kam gjetur ndonjë parti politike që të përputhet me pikëpamjet dhe vlerat e mia, dhe kjo më ka bërë të mos gjej frymëzim për të votuar", thotë Klea për Radio Evropa e Lirë.

Hygerta Haka është një tjetër e re, e cila për herë të parë pati të drejtë vote, por që nuk e ushtroi.

"Mendoj që Shqipëria ka nevojë për një ndryshim dhe mendoj që partitë politike aktuale nuk kanë më diçka të re për të sjellë. Si pjesë e brezit të ri mund të them se ne vazhdojmë të mos e shohim të ardhmen brenda vendit, të largohemi dita-ditës, kjo më bën të mos më frymëzoj asnjë nga partitë", thotë 18-vjeçarja Haka.

E zhgënjyer nga kjo situatë ajo thotë se pret një frymë të re politike.

"Pres diçka të re, diçka që sjell zhvillim, jo premtime boshe nga çdo parti siç ka ndodhur sa herë ka zgjedhje. Mendoj që ka ardhur koha që Shqipëria të udhëhiqet nga një frymë e re politike", thotë Hygerta Haka.

Refuzimi i pjesës më të madhe të të rinjve për të votuar në zgjedhjet e 14 majit shihet si mjaft shqetësues për Migen Qiraxhi, drejtuesi i "Qëndresa Qytetare", një prej organizatave më aktive sa i përket problematikave të ndryshme që shqetësojnë të rinjtë.

"Shifrat flasin për bojkot të të rinjve votues për herë të parë. Besojmë që është një kombinim faktorësh. E dhëna kryesore që ne prej kohësh e komentojmë është ajo që vjen nga sondazhet se 70 për qind apo 79 për qind e të rinjve planifikojnë të lënë vendin, për këtë arsye nuk është i prirë të marrë pjesë në proceset demokratike. Besoj se tjetër element është edhe mungesa e programeve të partive dhe kandidatëve, apo veçanërisht për të rinjtë. Për këtë arsye të rinjtë kanë vlerësuar se nuk kanë pse marrin pjesë, kur nuk flitet edhe për ta", thotë Qiraxhi.

Ai vlerëson se një tjetër argument është edhe gjuha e përdorur nga politikanët:

"Edhe në këto zgjedhje liderët politikë patën një gjuhë konflikti dhe bullizimi".

Qiraxhi thotë se për këtë refuzim nga të rinjtë duhet shtuar edhe një tjetër element siç është mungesa e edukimit demokratik, që e kanë gjithë qytetarët, por edhe te të rinjtë.

"Mendoj se puna e të gjithëve, shoqërisë civile, institucioneve, ndërkombëtarëve duhet të nisë pikërisht tek argumenti i fundit që unë përmenda, por që është shumë i rëndësishëm: mungesa e edukimit demokratik. Rëndësia e votave, duhet të futet në kurrikulat shkollore, të kemi fushata më të mëdha ndërgjegjësuese dedikuar të rinjve nga KQZ-ja. Duhet të arrijmë të korrektohet gjuha agresive dhe bullizuese, duhet fokusim te programet e kandidatëve dhe partive. Nëse ndodhin të gjitha këto, kam besim se të rinjtë do të kishin qasje tjetër", thotë drejtuesi i "Qëndresës Qytetare".

Për kreun e Kongresit Studentor, drejtues i Portalistudentor.al, Gevio Tabaku, partitë i përdorin të rinjtë për të marrë vota, por ata i bojkotuan sepse nuk e gjejnë veten në asnjë prej tyre.

"Bojkoti i të rinjve është tregues i mungesës së besimit te politika. Ata gjejnë në vendin e tyre pak apo aspak mundësi zhvillimi dhe trajnimi, punësimi, angazhimi dhe kjo i shtyn të mos dalin në zgjedhje. Pjesëmarrja është demoralizuese dhe për vendin, rreth 90 për qind e të rinjve votues për herë të parë nuk kanë dalë të votojnë. Kjo të bën të reflektosh, për të gjetur përgjigjet e shumta pse i kanë bojkotuar. Kryesorja është se të rinjtë janë të painteresuar për angazhim politik dhe se partitë nuk i kanë në fokus - ata i përdorin të rinjtë për të marrë vota, por nuk i përfshijnë as në listat e tyre, as në politikat aktive. I lënë mënjanë si një grupim, koha e të cilëve nuk ka ardhur ende. Bojkoti është revolta e tyre", thotë Gevio Tabaku.

Në zgjedhjet në Shqipëri edhe pjesëmarrja në tërësi e qytetarëve ishte e ulët.

Vetëm 38.23 për qind e rreth 3 milionë e 600 mijë qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në votime.

Më 14 maj Shqipëria zgjodhi 61 kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Në listat e kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe anëtarëve për këshilla bashkiakë kishte shumë pak gra dhe të rinj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG