Ndërlidhjet

Zgjedhje historike në Poloni - opozita me sy kah fitorja


Lideri i opozitës polake, Donald Tusk.
Lideri i opozitës polake, Donald Tusk.

Për zgjedhjet parlamentare në Poloni, tash për tash, janë në dispozicion vetëm exit poll-et, pasi polakët mbetën deri vonë në radhë për të votuar.

Duket se rezultati do të ketë pasoja dramatike si për Poloninë, ashtu edhe për Evropën më gjerë.

PiS e para, por opozita fiton?

Sipas exit poll-it kombëtar, që u publikua në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme, Partia në pushtet për Ligj dhe Drejtësi (PiS) përfundoi e para në zgjedhjet parlamentare të 15 tetorit, me 36.8% të votave, por tri parti opozitare kanë së bashku vota të mjaftueshme për të formuar shumicën, që do t’iu jepte fund tetë vjetëve pushtet të PiS-it.

Koalicioni Qytetar i qendrës së djathtë (KO), i cili siguroi 31.6% të votave, mund t’i bashkojë forcat me Rrugën e Tretë - një koalicion midis Partisë Popullore Polake dhe një force të re të qendrës, të quajtur Polonia 2050, si dhe me Partinë e Majtë.

Sipas këtij parashikimi, treshja mund të sigurojë 248 vende në Parlamentin prej 460 sosh.

PiS, e cila siguroi 44% të votave në vitin 2019, shpresoi të qeveriste sërish vetëm, ose të bashkohej me partinë e pestë në Parlament, Konfederatën.

Nuk ka marrë fund ende

Rezultatet përfundimtare, megjithatë, do të dalin të martën.

Exit poll-i ka një diferencë gabimi prej vetëm 2%, andaj ia vlen të kujtohen zgjedhjet parlamentare në Sllovaki të 30 shtatorit, në të cilat opozita liberale përfundoi e para në exit poll, por u mposht lehtësisht nga partia e majtë populiste, Smer, pasi u numëruan të gjitha votat.

Por, në Poloni, zgjedhjet nuk kanë përfunduar edhe për një arsye tjetër - të dyja palët pretendojnë se kanë fituar.

Presidenti Andrzej Duda, i cili është i lidhur me PiS-in, duhet ta thërrasë seancën e parë të Kuvendit të ri brenda 30 ditësh. Më pas, ai duhet ta caktojë një kandidat për kryeministër - normalisht nga partia më e madhe, edhe pse nuk ka ndonjë detyrim kushtetues për ta bërë këtë. Por, ka të ngjarë që ta emërojë dikë nga PiS-i, pasi kjo parti përfundoi e para dhe shpalli menjëherë fitoren në zgjedhje.

Për të qeverisur, duhen mbledhur 50 për qind e votave. Nëse ato nuk sigurohen, atëherë Parlamenti mund ta zgjedhë një kandidat alternativ për kryeministër dhe të shohë nëse ka shumicën.

Këtu, tri partitë e opozitës duket se janë në avantazh, pasi së bashku kanë më shumë se gjysmën e deputetëve. Dhe, ka të ngjarë që ato ta paraqesin Donald Tuskun, kreun e KO-së, si kandidat të përbashkët. Ashtu si PiS-i, edhe ai e shpalli veten fitues natën e zgjedhjeve.

Pra, ditët dhe javët e ardhshme do të jenë interesante për t’u parë. Prisni që PiS-i t’i përdorë të gjitha truket në libra për të tentuar t’i joshë deputetët në anën e vet, sidomos ata nga Rruga e Tretë, dhe ta vonojë procesin sa më shumë që të jetë e mundur.

Polonia mund të mos ketë qeveri të re deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Rikthimi triumfues i Tuskut

Mund të duhet pak kohë, por kryeministër i ardhshëm i Polonisë ka gjasa të jetë Donald Tusk. Dhe çfarë rikthimi personal!

“Nuk kam qenë kurrë kaq i lumtur në jetën time me këtë vend të dytë të supozuar. Polonia fitoi. Demokracia fitoi”, u tha Tusk mbështetësve, teksa prezantohej exit poll-i.

Ai shërbeu si kryeministër i Polonisë nga viti 2007 deri më 2014. Në Varshavë u kthye vitin e kaluar pasi shërbeu si president i Këshillit Evropian në Bruksel.

Gjatë kohës së tij në kryeqytetin e BE-së, PiS dominoi peizazhin politik në Poloni dhe ishte e qartë se, gjatë gjithë fushatës zgjedhore, vëmendjen (dhe inatin) e përqendroi tek ish-kryeministri.

Kjo u pa dukshëm nga krijimi i një ligji të ri - i quajtur “Lex Tusk” nga kundërshtarët - që krijoi një komision, i cili do të hetonte këdo që perceptohej se ka vepruar nën “ndikimin rus” gjatë kohës sa ka qenë në pushtet - gjë për të cilën PiS-i shpesh e akuzon Tuskun - dhe do ta ndalonte atë që të mbajë sërish ndonjë post.

Megjithatë, ligji u zbut pas presionit të BE-së.

Por, edhe nëse opozita do ta formojë qeverinë në fund, kjo nuk do të jetë një gjë e thjeshtë. Ajo nuk ka gjasa ta arrijë shumicën e 3/5-tave për të përmbysur vetot e presidentit Duda.

Pjesëmarrje historike

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte ndoshta rezultati më befasues nga ky votim.
Rekordi prej 62.7% u shënua në zgjedhjet e para demokratike në vitin 1989, kur Polonia po dilte nga dekadat e sundimit komunist. Nga ajo kohë, pjesëmarrja ka rënë herë-herë nën 50%. Por, sipas exit poll-eve, pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje ishte 73%, duke thyer rekordin e mëparshëm me diferencë të madhe.

Zgjedhjet u cilësuan si vota më e rëndësishme në këtë vend që nga viti 1989. Nëse opozita e formon qeverinë, pjesëmarrja mbresëlënëse do të jetë arsyeja kryesore për këtë.

Në zgjedhjet polake është argumentuar shpesh se votuesit e PiS-it janë më mirë të mobilizuar dhe se ky nuk është gjithmonë rasti me mbështetësit e opozitës - shpesh të rinj dhe polakë që jetojnë jashtë vendit. Por, kësaj radhe ishte ndryshe. Sipas sondazheve, më shumë se 60% e atyre që votuan më 2023, por nuk votuan më 2019, votuan për tri partitë opozitare. Po ashtu, pjesëmarrja e njerëzve të moshës 18-29 vjeç - normalisht me prirje më liberale - ishte më e lartë se e atyre të moshës 60+ dhe më konservatorë.

Nuk ka lodhje me Ukrainën

Nëse lodhja me Ukrainën dukej se funksionoi kur sllovakët hodhën votat në zgjedhjet e tyre parlamentare dy javë më parë, në Poloni ndodhi e kundërta.

Qeveria vendosi të organizojë një referendum në të njëjtën ditë me zgjedhjet, duke shtruar katër pyetje në lidhje me: privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, rritjen e moshës së pensionit, heqjen e pengesave në kufirin Poloni-Bjellorusi dhe pranimin e emigrantëve joevropianë, nën mekanizmin e BE-së për zhvendosje.

Pyetjet u kritikuan nga kundërshtarët, të cilët thanë se ato kanë synuar të rrisin pjesëmarrjen në votime të mbështetësve të PiS-it.

Referendumi, gjithashtu, u krahasua me referendumet e ngjashme të mbajtura nga Partia Fidesz në Hungari, në vitet e fundit, me qëllim rritjen e mbështetjes për qeverinë.

Megjithatë, referendumi i dha goditje PiS-it, pasi nuk e kaloi pragun prej 50% për ta bërë atë të vlefshëm.

Qëndrimi më i ashpër kundër Ukrainës nuk u shpagua, po ashtu.

Në prag të zgjedhjeve, PiS-i ndaloi hyrjen e produkteve bujqësore ukrainase në tregun polak, shmangu takimet e nivelit të lartë me zyrtarët ukrainas dhe shtyu një vendim të BE-së për t’i rritur të drejtat e refugjatëve ukrainas në bllok.

Këto pozicione mund ta kenë ndihmuar atë vetëm të marrë disa vota nga Konfederata - partia më anti-ukrainase në fletëvotim - por jo më shumë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG