Ndërlidhjet

Zelensky: Ukraina s’ka të bëjë asgjë me vdekjen e supozuar të Prigozhinit


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të enjten se vendi i tij nuk ka “të bëjë asgjë” me vdekjen e supozuar të shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, nga rrëzimi i një avioni më 23 gusht.

Ai ka lënë të kuptohet se Kremlini është përgjegjës për këtë.

“Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë situatë, kjo është e sigurt. Mendoj se të gjithë e dinë se kush është përgjegjës”, tha Zelensky më 24 gusht, një ditë pasi një avion privat, në të cilin Prigozhin ishte i regjistruar si udhëtar, u rrëzua mes Moskës dhe Shën Peterburgut.

Hetuesit i kanë vazhduar kërkimet në rrënojat avionit privat që i përkiste grupit Wagner qysh në orët e hershme të mëngjesit së 24 gushtit.

Zyrtarët e shërbimeve të urgjencës, të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti, thanë se trupat e tetë personave ishin gjetur në rrënojat deri më tani, por nuk kishte asnjë informacion nëse ndonjë prej trupave ishte identifikuar dhe nuk kishte konfirmim se Prigozhin ishte në bord.

Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya) tha se "sipas listës së pasagjerëve, emri dhe mbiemri i Yevgeny Prigozhinit ishte" në fluturimin që u rrëzua në veri të Moskës.

Komandanti dhe bashkëthemeluesi i Wagnerit, Dmitry Utkin, u rendit gjithashtu në mesin e shtatë pasagjerëve në avion, tha autoriteti i aviacionit, duke cituar linjën ajrore. Dy pilotë dhe një stjuardesë ishin gjithashtu në bordin e avionit, tha autoriteti i aviacionit, duke shtuar se një hetim për incidentin ka nisur.

Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Kremlini apo Ministria e Mbrojtjes se Prigozhini dhe Utkini vdiqën, por një kanal i lidhur me Wagnerin në platformën Telegram e shpalli atë të vdekur.

Kanali Gray Zone ("Zona gri" në shqip) e shpalli Prigozhin një hero dhe një patriot për të cilin tha se kishte vdekur në duart e njerëzve të paidentifikuar që i quajti "tradhtarë të Rusisë".

Gray Zone raportoi gjithashtu se një tjetër avion privat në pronësi të Prigozhinit u ul i sigurt në rajonin e Moskës. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta verifikojë këtë informacion në mënyrë të pavarur.

Një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, Prigozhin udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër më 24 qershor, kur luftëtarët e Wagnerit pushtuan qytetin jugor të Rostov-mbi-Don dhe marshuan deri në 200 kilometra larg Moskës. Një avion ushtarak rus u rrëzua gjatë kryengritjes dhe gjithsej 13 trupa të Forcave Ajrore ruse u vranë. Kjo cilësohet si sfida më serioze për Putinin në më shumë se dy dekadat e tij në pushtet.

Prigozhin nuk u arrestua apo burgos në atë kohë, por Putin e denoncoi kryengritjen si një "thikë pas shpine" dhe u zotua se do t'i ndëshkojë të gjithë "tradhtarët" e përfshirë.

"Nuk ka gjasa që dikush të mendojë se kjo është një rastësi. Thjesht ndodh që kundërshtarët politikë të cilët Vladimir Putin i konsideron si kërcënim për pushtetin e tij nuk vdesin natyrshëm", tha ministri i jashtëm polak Zbigniew Rau.

Nëse zbulohet se Prigozhin ka vdekur gjatë fluturimit, kjo do të ishte një goditje e rëndë për grupin Wagner, i cili ishte kyç në betejën e Rusisë për ta marrë qytetin ukrainas të Bahmut në fillim të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG