Shefi i mercenarëve rusë të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, dhe komandanti i grupit, Dmitry Utkin, ishin në bordin e avionit që u rrëzua të mërkurën në veri të Moskës, duke mos lënë asnjë të mbijetuar, bëri të ditur Autoriteti i Aviacionit Civil të Rusisë.
Prigozhin ishte në listën e shtatë pasagjerëve të avionit privat, ndërsa tre personat e tjerë në bord ishin anëtarë të ekuipazhit.
Avioni i përkiste grupit mercenar Wagner dhe ishte nisur nga Moska për në Shën Petersburg.
As Kremlini, as Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk konfirmuan se Prigozhin dhe Utkin vdiqën në incident, por një kanal në Telegram i lidhur me Wagnerin e shpalli atë të vdekur.
Kanali Zona Gri tha se Prigozhin ishte një "hero" dhe "patriot" që vdiq në duart e njerëzve të paidentifikuar, e që ai i quajti "tradhtarë të Rusisë".
Kush është Wagneri?
Wagner është një ushtri mercenare ruse që u themelua në vitin 2014, sipas udhëheqësit të saj, Yevgeny Prigozhin.
Grupi ishte shumë aktiv në luftën në Ukrainë derisa u rebelua kundër ushtrisë ruse në muajin qershor.
Luftëtarët e Wagnerit tani raportohet se janë të vendosur në kampet ushtarake në Bjellorusi.
Ndërkohë, grupi është aktiv edhe në Afrikë dhe Lindje të Mesme.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se ai "nuk është i befasuar" nga lajmet se Prigozhin mund të ketë vdekur nga rrëzimi i avionit.
"Unë nuk e di faktikisht se çfarë ndodhi, por nuk jam i befasuar", tha Biden, duke shtuar se "nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi e pas të cilave nuk është [presidenti Vladimir] Putin".
Zyrtarët e shërbimeve të urgjencës në Rusi, që u cituan nga agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, thanë se trupat e tetë personave janë gjetur nën rrënojat e avionit. Agjencia nuk tha nëse ndonjë prej trupave është identifikuar.
Zyrtarët nuk i komentuan arsyet e mundshme të incidentit.
Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë - Rosaviatsiya - tha se hetimet tashmë kanë nisur.
Dikur aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në muajin qershor.
Prigozhin nuk u arrestua apo ndalua në atë kohë, por Putin e cilësoi kryengritjen si "thikë pas shpine" dhe u zotua se do t'i ndëshkojë të gjithë "tradhtarët" e përfshirë.
Nga ajo kohë, vendndodhja e shefit të Wagnerit ishte kryesisht e panjohur.
Ai u shfaq në videon e tij të parë që nga rebelimi në fillim të kësaj jave. Në pamjet e xhiruara mesa dukej në Afrikë dhe të publikuara më 21 gusht në Telegram, Prigozhin u pa duke qëndruar në një shkretëtirë dhe me një pushkë në duar.
Më parë, ai besohej se lëvizte midis Rusisë dhe Bjellorusisë.
Përpjekja e tij për rebelim u bë pas disa muajsh mospajtime publike me udhëheqjen ushtarake të Rusisë, për strategjinë e luftës në Ukrainë.
Kreu i CIA-s, William Burns, tha muajin e kaluar se Putini ka gjasa që të hakmerret kundër Prigozhinit.
Ai tha se do të habitej nëse Prigozhini do t'i shpëtonte ndëshkimit.