Ndërlidhjet

Biden zotohet për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë konferencës për media në Uashington më 21 dhjetor 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë konferencës për media në Uashington më 21 dhjetor 2022.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”, teksa priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjatë konferencës për media, Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk e ka ndërmend ta ndalojë këtë luftë mizore”.

Biden po ashtu njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej afër 2 miliardë dollarësh. Në të përfshihen edhe sistemet tokë-ajër, Patriot.

Në paketën e ndihmës po ashtu përfshihen “edhe transfere direkte të pajisjeve në Ukrainë.... por edhe kontrata për të furnizuar me municion Ukrainën, që do t’i duhen për tanket dhe raketahedhësit”, tha Biden.

“Përveç këtyre aftësive të reja, paketa përfshin edhe baterinë raketore Patriot, për përdorimin e të cilës do t’i trajnojmë forcat ukrainase, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, shtoi ai.

Biden shtoi se Patriot janë "sisteme mbrojtëse, jo përshkallëzuese", teksa Rusia ka paralajmëruar se armatimet amerikane mund ta përkeqësojnë luftën.

Zelensky: Paqja e drejtë nuk nënkupton kompromise

Ndërkaq, presidenti Zelensky tha se vizita e tij në SHBA është historike dhe falënderoi Bidenin për paketën e re të ndihmës.

Sipas Zelenskyt, sistemi i mbrojtjes ajrore, Patriot, do të jetë një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një mburoje ajrore.

“Kjo është mënyra e vetme që ne mund të privojmë shtetin terrorist nga instrumenti i tij kryesor i terrorit – ta privojmë nga mundësia për të goditur qytetet tona dhe energjinë tonë”, tha ai.

SHBA-ja tha se do ta ndihmojë Ukrainën që të arrijë “paqe të drejtë”. Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk do të ketë “kompromise” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

“Për mua si president, ‘paqja e drejtë’ nuk ka kompromise”.

Ai shtoi se lufta do të marrë fund kur sovraniteti, liria dhe integriteti terroritorial i Ukrainës do të rivendosen dhe “kur të paguhen të gjitha dëmet e shkaktuara nga agresioni rus”.

Kjo është vizita e parë e Zelenskyt në SHBA, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Para takimit në Zyrën Ovale, Zelensky falënderoi Bidenin, ligjvënësit dhe “amerikanët e zakonshëm” për mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ndërkaq, Biden i tha Zelenskyt se ukrainasit “inspiruan botën”.

Zelensky gjatë vizitës në SHBA gjithashtu, do t'i drejtohet Kongresit dhe do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe.

Zelensky rregullisht pret liderë të huaj në kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe viziton trupat ushtarake nëpër Ukrainë.

Presidenti ukrainas shpesh ka zhvilluar edhe biseda telefonike dhe ka realizuar video-lidhje me liderët botërorë nga zyra e tij në Kiev. Ai po ashtu vazhdimisht ka bërë thirrje për më shumë fonde dhe ka thënë se kostoja mujore e mbrojtjes për Ukrainën është rreth 5 miliardë dollarë.

Zyrtarët ukrainas, po ashtu, kanë bërë thirrje prej kohësh për sisteme më të fuqishme të mbrojtjes ajrore nga Perëndimi. Sistemi i ri i raketave Patriot do t'i mundësojë Ukrainës të mbrojë infrastrukturën e saj jetike kundër sulmeve ruse.

Rusia ka vënë në shënjestër sektorin energjetik të Ukrainës, duke lënë miliona njerëz në errësirë në temperaturat e dimrit që janë disa gradë nën zero.

Presidenti Biden tha se Rusia po e përdor "dimrin si armë" në luftë, duke sulmuar infrastrukturën kritike ukrainase.

Autoritetet ukrainase thanë se Rusia po sulmon rrjetin elektrik dhe infrastrukturën tjetër duke përdorur dronë kamikazë iranianë.

Ndërkaq, Kremlini paralajmëroi më 21 se rritja e furnizimeve me armë nga SHBA-ja për Ukrainën do të përkeqësonte luftën. Duke folur gjatë një takimi me liderët ushtarakë, presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu tha se Moska do të forcojë forcat e saj të armatosura dhe do të rrisë kapacitetet e trupave.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se ushtria ruse do të kontraktojë 695.000 vullnetarë me kontratë. Afër 520.000 pritet të rekrutohen deri në fund të vitit 2023, raportoi AP.

Rusia pritet të përqendrohet në zhvillimin e forcave bërthamore, që përshkruhen si “garantuesit kryesorë të sovranitetit të Rusisë”.

Këshilltari i Zelenksyt, Mykhaylo Podolyak, tha se vizita e Zelenskyt në SHBA është “jashtëzakonisht e rëndësishme” dhe pengon përpjekjet e Moskës për të krijuar ndarje mes Uashingtonit dhe Kievit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG