Ndërlidhjet

Putin dhe Lukashenka takohen në Minsk


Vladimir Putin dhe Alyaksandr Lukashenka para takimit në Minsk.
Vladimir Putin dhe Alyaksandr Lukashenka para takimit në Minsk.

Udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë zhvilluar bisedime në Minsk.

Ky është udhëtimi i parë i Putinit në më shumë se tre vjet për në Bjellorusi dhe u mbajt në mes të spekulimeve se ai do të tentojë t’i bëjë presion Bjellorusisë që t’i bashkohet luftës kundër Ukrainës.

Lukashenka i tha Putinit se çështjet kryesore në raportet e tyre dypalëshe së fundi kanë qenë mbrojtja dhe siguria.

“Kohërat e vështira kërkojnë që ne të kemi vullnet politik dhe të përqendrohemi në arritjen e rezultateve në të gjitha temat e agjendës dypalëshe”, tha Lukashenka gjatë takimit me Putinin më 19 dhjetor.

Para takimit, zyra e Lukashenkës tha se dy zyrtarët do të bisedonin së bashku me ministrat e tyre të Integrimit, ndërkaq zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë spekulimet se Rusia do të kërkojë nga Bjellorusia që të hyjë në luftë kundër Ukrainës.

Vizita e Putinit në Bjellorusi erdhi disa orë pasi forcat ruse sulmuan një rrjet elektrik dhe infrastrukturë tjetër, duke përdorur dronë kamikazë në Kiev dhe në qarqet përreth.

Putin, që ka zhvilluar pak vizita jashtë vendit që kur nisi pandemia e koronavirusit më 2020, mund të kërkojë që ta bindë Lukashenkën që të diskolojë ushtarë bjellorusë përkrahë forcave ruse në luftën kundër Ukrainës, thanë analistët dhe zyrtarët ushtarakë.

Ekspertë të tjerë thanë se lideri rus mund të tentojë që të shpërqendrojë udhëheqjen ushtarake të Ukrainës dhe të tërheqë trupat nga luftimet e ashpra në zonat lindore dhe t’i dërgojë drejt kufirit të Ukrainës dhe Bjellorusisë në veri.

Gjenerallejtënanti ukrainas, Serhiy Nayev, tha më 18 dhjetor se dy liderët ka të ngjarë që të bisedojnë për një “përfshirje më të gjerë” të ushtrisë bjelloruse në luftë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina po "përgatitet për të gjitha zhvillimet e mundshme", duke përfshirë një sulm që vjen nga territori bjellorus.

Por, duke folur për gazetarët para nisjes së Putinit drejt Bjellorusisë, Peskov tha se raportimet se lideri rus do të kërkojë nga Lukashenka që të ketë një rol më aktiv në luftë “janë të pabaza” dhe “budallallëqe”.

Po ashtu, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, raportohet se është në Minsk për bisedime me homologun bjellorus.

Aktualisht, Rusia ka mijëra trupa në Bjellorusi për trajnime. Ekspertët kanë argumentuar se Moska po i përgatit këto trupa për një ofensivë të shkallës së gjerë në fillim të vitit të ardhshëm.

Lukashenka është një aleat i ngushtë i presidentit rus, i cili e ka mbështetur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Moska.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG