Ndërlidhjet

Udhëheqësit e “koalicionit të vullnetit” diskutojnë për luftën në Ukrainë


Samiti në Paris i shteteve të "koalicionit të vullnetit".
Samiti në Paris i shteteve të "koalicionit të vullnetit".

Udhëheqësit nga më shumë se 30 shtete janë takuar në Paris për diskutime të rëndësishme, si pjesë e një “koalicioni të vullnetit” me qëllim forcimin e mbështetjes për Ukrainën në rast të një armëpushimi ose marrëveshjeje për paqe të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.

Mikpritës i samitit ishte presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe në të morën pjesë udhëheqësit evropianë, por edhe përfaqësuesit nga Kanadaja dhe Turqia. Ata diskutuan lidhur me formatin e çdo garancie të ardhshme të sigurisë që mund t’i ofrojnë Kievit, por po ashtu për koordinimin për çështjet që po diskutohen në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, përfshirë edhe kërkesën ruse për lehtësim të sanksioneve.

Sipas agjendës të samitit, të parë nga Radio Evropa e Lirë, udhëheqësit kanë diskutuar për ndihmë të mëtejme luftarake për Ukrainën, ruajtjen dhe monitorimin e ndonjë marrëveshjeje armëpushimi, përfshirë atë të arritur së voni për Detin e Zi, dhe si të financojnë dhe pajisin ushtrinë ukrainase në terma afatgjatë.

Në samit, po ashtu është diskutuar për dislokimin e një force sigurie evropiane në Ukrainë, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të paqes.

Para samitit, pas një takimi me Macronin në Paris, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë “të paktën, po aq të qëndrueshëm sa jemi ne” përballë kushteve të vendosura nga Rusia për zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi.

Zelensky tha se ai ishte pajtuar që të vazhdonte bisedimet për armëpushim në Arabinë Saudite për të siguruar rinisjen e ndihmës amerikane dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës.

Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet prodhuan një marrëveshje “për zhvillimin e masave për zbatimin” e zotimeve të fundit për të ndalur sulmet ndaj ndërtesave të energjisë dhe një armëpushim në Detin e Zi.

Por, Rusia po kërkon që të përmbushen një sërë kushtesh, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, në këmbim të respektimit të marrëveshjes.

“Ne e kemi shfaqur qëndrueshmërinë tonë. Tani është e rëndësishme që edhe partnerët tanë të jenë po aq të qëndrueshëm sa ne, edhe pse ata kanë më shumë kapacitete”, tha Zelensky.

Në mes të një stuhie diplomatike, të udhëhequr nga SHBA-ja për dhënien fund të luftës në Ukrainë, udhëheqësit evropianë po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një ulëse në tavolinën e negociatave, por deri më tani janë mbajtur jashtë rundeve të bisedimeve që kanë përfshirë Moskën, Kievin dhe Uashingtonin.

Macroni deklaroi se krijimi i një force evropiane të sigurisë do të diskutohet gjatë samitit të 27 marsit, por ai theksoi se ajo nuk do të ishte në vijën e frontit dhe nuk do të kishte për detyrë monitorimin apo zbatimin e një armëpushimi – një detyrë që ai sugjeroi se bie mbi paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se kjo forcë do të dislokohej brenda Ukrainës për të parandaluar Rusinë dhe për të ofruar trajnime e mbështetje për forcat ukrainase.

Disa orë para se takimit në Paris, Macron njoftoi se Franca do t’i japë Ukrainës një paketë të re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 2 miliardë eurosh, që do të përfshijë raketa kundërtanke, sisteme të mbrojtjes ajrore, avionë luftarakë Mirage, autoblinda, municion dhe ndihmë tjetër.

“Ne duhet të vazhdojmë që të ofrojmë mbështetje të menjëhershme për Ukrainën. Është e rëndësishme që të vazhdohet rezistenca”, tha Macron pasi njoftoi për paketën e ri të ndihmës.

Nisma për krijimin e koalicionit fillimisht u prezantua nga kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë samitit të 2 marsit të mbajtur në Londër, kur udhëheqësit evropianë dhe botërorë diskutuan për mbështetjen për Kievin.

Mbi 30 shtete që janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në një forcë paqeruajtëse të koalicionit.

Macron e ka akuzuar Rusinë se po shfaq “dëshirë për luftë” dhe ka insistuar se Moska duhet të pranojë propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor “pa asnjë parakusht”.

Ndërkaq, duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Xhamajka, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do të vlerësojë kushtet e Moskës.

“Ne do t’i vlerësojmë ato. Disa nga kushtet përfshijnë sanksionet që nuk janë tonat, ato janë të BE-së”, tha Rubio më 26 mars.

Megjithatë, Macron tha se Parisi nuk do të heqë sanksionet sepse “është shumë herët për një gjë të tillë”.

Këto deklarata u bënë në ditën e njëjtë që BE-ja përmes një njoftimi tha se tërheqja “pa kushte” e forcave ruse nga e mbarë Ukraina mbetet një nga kushtet kryesore për lehtësimin e sanksioneve që Brukseli ka vendosur ndaj Moskës.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë një interviste për Fox News më 26 mars deklaroi se beson që Trumpi “nuk do të hezitojë t’i ashpërojë sanksionet nëse kjo gjë i jep avantazh në negociata”.

Ai tha se lehtësimi apo ashpërsimi i sanksioneve do të varen nga veprimet që do të ndërmarrë udhëheqja ruse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG