Ndërlidhjet

Gjërat kryesore nga bisedimet e SHBA-së me Ukrainën dhe Rusinë në Riad


Hoteli Ritz-Carlton ku SHBA-ja ka mbajtur bisedime me Ukrainë dhe Rusinë në Riad në Arabinë Saudite.
Hoteli Ritz-Carlton ku SHBA-ja ka mbajtur bisedime me Ukrainë dhe Rusinë në Riad në Arabinë Saudite.

Pas bisedimeve të ndara të Shteteve të Bashkuara me delegacionet ukrainase dhe ruse gjatë tri ditëve në Arabinë Saudite, Uashingtoni njoftoi për marrëveshje të ndara me Ukrainën dhe Rusinë për ndalimin e forcës në Detin e Zi dhe për përpjekjet për të ndaluar sulmet ndaj ndërtesave energjetike në dy vendet. Por, ende ka shumë pengesa në rrugën drejt paqes.

Dy njoftimet e Shtëpisë së Bardhë – një për bisedimet më 23 dhe 25 mars me Ukrainën, dhe tjera për takimin e 24 marsit me Rusinë – u lëshuan disa orë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se përmbajtja e bisedimeve SHBA-Rusi “definitivisht nuk do të bëhet publike”.

Në dy njoftimet u tha se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të lehtësojnë negociatat mes dy palëve për të arritur një zgjidhje paqësore” për luftën, që tashmë është në vitin e katërt që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Marrëveshjet duket se janë arritjet më konkrete sa i përket përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur përfundimin e luftës që kur ai mori mandatin dy muaj më parë. Por, këto marrëveshje lënë shumë paqartësi, përfshirë edhe sa larg është e gatshme të shkojë Moska drejt një armëpushimi të plotë apo një marrëveshjeje të paqes që nuk përfshin qëllimin e saj, atë të nënshtrimit të Ukrainës.

Në këtë artikull mund të mësoni se cilat janë pikëpyetjet kryesore:

A do të zbatohet armëpushimi për Detin e Zi?

Si SHBA-ja ashtu edhe Rusia kanë sugjeruar se qëllimi kryesor i këtij rundi bisedimesh ishte të arrihej një marrëveshje për armëpushim detar në Detin e Zi, që do t’u lejojë atyre lëvizje të papenguar të anijeve në këtë zonë strategjike detare dhe do të shërbente si një hap i rëndësishëm drejt një armëpushimi më të gjerë.

Rusia dhe Ukraina kanë brigje në Detin e Zi dhe në Gadishullin ukrainas i Krimesë, që Rusia e ka pushtuar dhe aneksuar më 2014, i cili shtrihet në jug nga territori ukrainas. Deti i Zi është një rrugë kryesore për eksportet e grurit ukrainas dhe rus.

Para takimit SHBA-Rusi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti pretendimin rus se premtimet e bëra ndaj Moskës nën marrëveshjen e vitit 2022 për kalimin e sigurt të anijeve, që njihet si marrëveshja e drithërave në Detin e Zi, nuk janë përmbushur. Marrëveshja u zhbë një vit më vonë, pasi Rusia u tërhoq njëanshëm nga pakti teksa palët këmbyen akuza të ndërsjella.

Më 25 mars, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i përsëriti këto pretendime, duke sugjeruar se kundërshtarët po pengojnë eksportet ruse të drithërave dhe plehrave artificiale. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet me Rusinë u tha se SHBA-ja “do të ndihmojë në rivendosjen e qasjes së Rusisë në tregun botëror për bujqësi dhe eksporte të plehrave artificiale, të ulë kostot në sigurimet detare dhe të rrisë qasjen në porte dhe sisteme të pagesave për transaksione të tilla”.

Kjo përbën një shtytje të rëndësishme për Rusinë, por djalli mund të fshihet në detaje.

Në njoftimin e tij, Kremlini tha se ndalimi i përdorimit të forcës në Detin e Zi do të hyjë në fuqi pasi të jenë zbatuar disa masa specifike, duke kërkuar masa të detajuara që nuk u përmendën qartë nga Shtëpia e Bardhë. Këto masa përfshijnë heqjen e sanksioneve ndaj Rosselkhozbank – bankës shtetërore ruse për kredi – si dhe ndaj institucioneve të tjera financiare, si dhe rilidhja e tyre me sistemin e pagesave SWIFT, gjë për të cilën mund të duhet edhe miratimi i Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, i cili mori pjesë në bisedimet SHBA-Ukrainë, bëri thirrje në rrjetet sociale për “konsultime shtesë teknike sa më shpejt të jetë e mundur që të pajtohen mbi të gjitha detajet dhe aspektet teknike të zbatimit, monitorimit dhe kontrollit të marrëveshjeve”.

Ai gjithashtu tha se Ukraina mund të “ushtronte të drejtën e vetëmbrojtjes” nëse luftanijet ruse lëvizin drejt perëndimit nga pjesa lindore e Detit të Zi.

Po ashtu, nuk pati sinjale për një marrëveshje të drejtpërdrejtë mes Ukrainës dhe Rusisë, duke rritur mundësinë e interpretimeve të ndryshme, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kritikoi disa aspekte të marrëveshjes SHBA-Rusi.

“Me sa e di, rusët e kanë ngritur çështjen e ndihmës nga ana amerikane që rusët të transportojnë produktet e tyre bujqësore. Kjo ka të bëjë me portet, tarifat e të tjera”, tha ai. “Ne nuk jemi pajtuar për këtë... Ne besojmë se ky është dobësim i qëndrimeve dhe dobësim i sanksioneve”.

Po pezullimi i sulmeve ndaj ndërtesave të energjisë?

Bisedimet në Riad u mbajtën pas propozimit të Trumpit për një armëpushim të plotë 30-ditor – një ndalim të armiqësive në tokë, det dhe ajër – që u pranua nga Ukraina më 11 mars, por u përball me rezistencën ruse. Pasi Trumpi bisedoi ndarazi me Putinin dhe Zelenskyn, Kievi dhe Moska u pajtuan në parim javën e kaluar për një marrëveshje më të ngushtë armëpushimi.

Por, në njoftimet e Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, pas bisedës Trump-Putin të zhvilluar më 18 mars, kishte një dallim të vogël, por substancial. Në njoftimin e SHBA-së u tha se udhëheqësit “u pajtuan që lëvizja drejt paqes të nisë nga armëpushimi në energji dhe infrastrukturë”, ndërkaq në njoftimin rus u përshkrua për një ndalim më të ngushtë të sulmeve ndaj “infrastrukturës së energjisë”.

Kremlini tha se Putini ka lavdëruar nismën dhe “menjëherë i dha urdhër ushtrisë ruse”, por Ukraina e akuzoi Rusinë se vazhdoi sulmet ndaj infrastrukturës, përfshirë ndaj ndërtesave të energjisë.

Në deklaratat e saj paralele më 25 mars, Shtëpia e Bardhë nuk përmendi specifikisht infrastrukturën, por tha se shtetet “janë pajtuar të zhvillojnë masa për zbatimin [e marrëveshjeve] për të ndalur sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë të Rusisë dhe Ukrainës”.

Kush do të kontrollojë dhe çfarë do të kontrollojë?

Një çështje që lidhet me çdo marrëveshje për armëpushim apo me një pakt të mundshëm të paqes është pyetja për territorin: Sa territor të Ukrainës do të kontrollojë Rusia – nëse do të kontrollojë ndonjë pjesë –dhe nën çfarë rrethanash?

Duke folur për gazetarët në Uashington më 24 mars, Trump sugjeroi se në negociatat në Riad është biseduar për këtë çështje.

“Tani ne po flasim për territorin. Po flasim për vijat e demarkimit”, tha Trump.

Rusia aktualisht ka nën okupim rreth një të tretën e Ukrainës: të gjithë Krimenë, pothuajse të gjithë territorin e rajonit të Luhanskut, por edhe pjesë të rajoneve të Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit – por, jo edhe kryeqytetet e dy rajoneve të fundit. Në shtator të vitit 2022, Putini pa asnjë bazë shpalli rajonet e Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit në tërësi si pjesë të Rusisë, përfshirë zonat që janë nën kontrollin ukrainas.

Moska thotë se Ukraina duhet të tërheqë forcat e saj nga rajonet dhe insiston se ato duhet të njihen si ruse. Zelensky e ka pranuar se Kievi mund të mos jetë në gjendje të rimarrë kontrollin e gjithë shtetit shumë shpejt. Çdo marrëveshje e armëpushimit në një të ardhme të afërt duket se mund të lërë shumicën e territorit të pushtuar në duart e rusëve, por Ukraina është zotuar se kurrë nuk do të pranojë zyrtarisht apo në mënyrë të përhershme ndryshimin e kufijve të saj.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet në Riad nuk u përmend territori.

Po marrëveshja për mineralet e rralla të tokës?

Më 25 mars, Zelensky u tha gazetarëve se SHBA-ja ka propozuar një version të ri gjithëpërfshirës për marrëveshjen lidhur me burimet minerale, çështje për të cilën është diskutuar për muaj të tërë. Në deklarimet e tij më 24 mars, Trump tha se Uashingtoni dhe Kievi “shpejt” do të nënshkruajnë marrëveshjen për zhvillimin e përbashkët të mineraleve të rralla të Ukrainës dhe burimeve të tjera natyrore, që sipas zyrtarëve të SHBA-së do të ndihmojnë Ukrainën që t’i ofrohet siguri. Marrëveshja, po ashtu, sipas zyrtarëve amerikanë do të jetë një pjesë e rëndësishme e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Nënshkrimi i marrëveshjes pritej të ndodhte kur Zelensky vizitoi Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, por ai takim ishte i tensionuar, teksa Trumpi dhe nënpresidenti JD Vance e kritikuan presidentin ukrainas gjatë një përplasjeje të pazakontë para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Që atëherë, tensionet janë ulur dhe marrëveshja për mineralet e rralla të tokës mund të nënshkruhet në shenjë solidariteti mes Ukrainës dhe SHBA-së, teksa po vazhdojnë përpjekjet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës.

Cili është plani i Rusisë?

Trump tha se përgjigja e Putinit ndaj propozimit për armëpushim të plotë prej 30-ditësh ishte: “ne jemi për të, por ka nuanca”.

Ndër të tjera, këto “nuanca” përfshijnë një thirrje për mbështetësit e Ukrainës që të ndalojnë dërgimin e armëve dhe për Kievin që të ndalojë mobilizimin e ushtarëve gjatë armëpushimit. Ndërkaq, Rusia nuk do të ishte subjekt i këtyre kufizimeve.

Kievi e ka akuzuar Moskën se po blen kohë dhe po bën sikur është e interesuar që lufta të përfundojë. Analistët thanë se Rusia ka gjasa që me qëllim po zvarrit procesin me shpresën që të shtyjë sa më shumë përpara qëllimet e saj përmes diplomacisë dhe në fushëbetejë.

“Për momentin, ky proces ka qenë plotësisht pa kosto nga një këndvështrim rus. Mendoj se mësimi që ata po nxjerrin nga kjo është se nëse lëvizin ngadalë, pikë së pari ata mund të nxjerrin koncesione nga amerikanët, dhe potencialisht edhe nga evropianët, thjesht për të mbajtur Rusinë në tryezën e bisedimeve”, tha më 20 mars, Sam Greene, profesor në Institutin Mbretëror të Rusisë, njëherësh drejtor i Qendrës për Analiza të Politikës Evropiane.

Greene sugjeroi se pavarësisht se asaj që mund të bien dakord, ka një hendek mes qëllimeve të Trumpit dhe Putinit kur bëhet fjalë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Trump dëshiron “përfundimin e kësaj lufte”, tha ai, ndërkaq “Rusia dëshiron një rezultat nga kjo luftë që e lë atë në një pozicion dominues në Ukrainë. Mendoj se Rusia beson e mund të jetë fleksibile, në kuptim se si do të realizohet ky dominim... për aq kohë sa të mbetet dominante”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG