Ndërlidhjet

SHBA dhe Rusia përmbyllin takimin mbi 12-orësh në Arabinë Saudite


Flamuri amerikan dhe ai rus. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Flamuri amerikan dhe ai rus. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Zyrtarët amerikanë dhe ata rusë kanë negociuar më shumë se 12 orë në Arabinë Saudite, në kuadër të përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka hyrë në vitin e katërt.

Takimi mes SHBA-së dhe Rusisë, i cili ka përfunduar në mbrëmjen e 24 marsit, është mbajtur një ditë pas takimit të zhvilluar mes SHBA-së dhe Ukrainës – gjithashtu në Arabinë Saudite – të cilin Kievi e ka përshkruar si “produktiv”.

Pak të reja janë bërë të ditura prej takimit, në të cilin kishte pritje se do të adresoheshin hollësi për pauzë në sulmet me rreze të gjatë në objektet e energjisë dhe infrastrukturën civile në Ukrainë dhe Rusi, si dhe ndaljen e sulmeve në Detin e Zi.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, duke cituar një burim brenda delegacionit rus, ka raportuar se Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët më 25 mars.

Zyrtarët amerikanë nuk janë deklaruar pas takimit.

Në ditën e negociatave, një sulm ajror rus ka dëmtuar një shkollë dhe një spital në qytetin ukrainas Sumi, duke plagosur të paktën 74 njerëz, përfshirë dhjetëra fëmijë.

Ky rast është vetëm një sinjal se sa të komplikuara janë bisedimet.

Ekipi amerikan udhëhiqej nga Andrew Peek, drejtor në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, dhe Michael Anton, zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.

Ekipi rus përfaqësohej nga Grigory Karasin, kryetar i Komisionit për Çështje të Jashtme në Parlamentin e Rusisë, dhe Sergei Beseda, këshilltar i drejtorit të Shërbimit Federal të Sigurisë, sipas mediave ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonit përqendrohen në çështje teknike, përfshirë në sigurinë e transportit tregtar në rajon.

Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve se bisedimet në Arabinë Saudite do të fokusohen në territorin në Ukrainë, ku Rusia e ka pushtuar një të tretën e shtetit, si dhe për mundësinë që SHBA-ja t'i kontrollojë centralet e energjisë në Ukrainë.

“Po flasim për territor. Do të flasim për linjat e demarkacionit. Për pronësinë e centraleve të energjisë. Disa njerëz janë duke thënë se SHBA-ja duhet t'i ketë në pronësi centralet e energjisë, sepse ne e kemi ekspertizë”, ka thënë Trump.

Ai ka thënë se SHBA-ja dhe Ukraina do të nënshkruajnë “shpejt” një marrëveshje për mineralet e Ukrainës dhe burimet tjera.

"Bisedime frytdhënëse dhe konstruktive"

Ekipi i Uashingtonit nuk ka komentuar ende bisedimet me përfaqësuesit e Kievit, por ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se bisedimet ishin “konstruktive dhe kuptimplota”.

“Diskutimet ishin frytdhënëse dhe të përqendruara. Adresuam çështje kyçë, përfshirë energjinë”, shkroi Umerov në Facebook.

“Qëllimi i presidentit Volodymyr Zelensky është ta sigurojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për vendin dhe popullin tonë - dhe për gjithë Evropën. Ne po punojmë për ta arritur këtë synim”, shtoi ai.

Bisedimet në Riad shënuan një moment historik në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për ta arritur një armëpushim në luftën në Ukrainë. Më parë, ka pasur ndërprerje prej një ose më shumë ditësh midis rundeve të ndryshme të bisedimeve dypalëshe.

Megjithatë, edhe pse negociatorët rusë dhe ukrainas do të jenë në të njëjtin vend teksa zhvillojnë bisedime me delegacionin amerikan, pak njerëz presin ndonjë përparim të madh.

Zelensky, duke folur derisa bisedimet po zhvilloheshin, tha se “ekipi ynë po punon në një mënyrë plotësisht konstruktive”.

“Biseda është mjaft e dobishme – puna e delegacioneve po vazhdon”, shtoi ai.

“Por, pavarësisht se çfarë u themi sot partnerëve tanë, ne duhet ta bëjmë [presidentin rus Vladimir] Putin të japë urdhër të vërtetë për t’i ndaluar sulmet. Kushdo që e solli këtë luftë, duhet ta ndalojë atë”, nënvizoi Zelensky.

Kievi dhe Moska kanë qenë më të përmbajtur në pikëpamjet e tyre.

Në Rusi, ku Radio Evropa e Lirë është shpallur organizatë e padëshirueshme dhe është praktikisht e ndaluar, ishte zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ai që shoi çdo shpresë për një marrëveshje të shpejtë.

"Nuk duhet të kemi pritshmëri të larta. Një punë shumë serioze dhe e madhe na pret. Do të duhet të futemi në hollësi", tha ai në një intervistë për televizionin shtetëror të dielën.

"Jemi vetëm në fillim të kësaj rruge", shtoi ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë deri më tani më i vendosuri në favor të negociatave. Por, shpresat e tij për përparim të shpejtë kanë hasur në pengesa të vazhdueshme.

Së pari, një plan i rënë dakord me Ukrainën për një armëpushim të përgjithshëm 30-ditor u bllokua nga Putin. Pas një telefonate me Putinin, Trump tha se ata ishin pajtuar për një ndërprerje të sulmeve ndaj infrastrukturës.

Por, Kremlini e ngushtoi edhe më tej këtë fokus, duke thënë se marrëveshja lidhej vetëm me infrastrukturën energjetike – të cilën forcat e tij e sulmuan gjithsesi. Ukraina shpreson ta qartësojë këtë çështje në Xhedah, duke sjellë një listë të asaj që Rusia duhet të pranojë të mos e shënjestrojë.

Mjegull e ngjashme ishte edhe pas bisedimeve mes Trumpit dhe Zelenskyt. Derisa zyrtarët amerikanë flisnin për një plan të ri për pronësinë amerikane të centraleve bërthamore ukrainase, si një formë e garancive të sigurisë për Ukrainën, Zelensky e bëri të qartë se këto centrale janë pronë shtetërore që u përkisnin të gjithë ukrainasve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG