Ndërlidhjet

Zelensky dhe liderët perëndimorë takohen për të diskutuar të ardhmen e Ukrainës


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është planifikuar të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Joe Biden në ditën e fundit të samitit të NATO-s në Lituani.

Samiti nuk i dha Ukrainës një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në NATO. Megjithatë, fuqitë perëndimore po përgatiten të shpallin një marrëveshje sigurie për Kievin ditën e sotme.

Zelensky, i cili ka shprehur haptas zhgënjimin e tij për mungesën e angazhimit të NATO-s drejt pranimit të Ukrainës në aleancë, do të takohet veçmas më 12 korrik me Bidenin dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, përfshi kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Vilnius.

Kryeministri Sunak njoftoi më 11 korrik se vendet e Grupit të Shtatë (G7) janë gati të nënshkruajnë një marrëveshje bazë, e cila synon t'i ofrojë Ukrainës garanci afatgjata sigurie, ndërkohë që i mundëson vendit të krijojë marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes me vendet anëtare të G7-ës.

"Mbështetja e përparimit të Ukrainës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, së bashku me marrëveshjet formale, shumëpalëshe dhe dypalëshe, dhe mbështetja nga shumica e anëtarëve të NATO-s do t'i dërgojë një sinjal të fortë presidentit [rus] Putin dhe do të kthejë paqen në Evropë", tha Sunak.

Raportohet se marrëveshja pritet të përfshijë pajisjet ushtarake, trajnimin dhe shkëmbimin e inteligjencës për Ukrainën. Marrëveshja e G7-ës vjen pasi NATO, më 11 korrik, tha se teksa e ardhmja e Ukrainës është brenda NATO-s, aleanca ushtarake do t'i japë një ftesë Kievit vetëm kur "anëtarët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet".

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një konferencë për shtyp se nuk ka pasur kurrë një mesazh më të fortë nga NATO, si për mesazh politik për anëtarësim, ashtu edhe për mbështetjen konkrete nga aleatët.

Zelensky u ankua për "formulim të paqartë në lidhje me kushtet" për të ftuar Ukrainën në NATO, edhe para se të publikohej deklarata.

Ai tha se do të ishte "absurde" nëse NATO nuk do t'i ofronte Kievit një afat kohor të qartë ose për integrimin e plotë ose të paktën një ftesë për të filluar negociatat e anëtarësimit.

"Duket se nuk ka gatishmëri as për të ftuar Ukrainën në NATO, dhe as për ta bërë atë anëtare të Aleancës," shtoi ai.

Por shefi i NATO-s tha në konferencën për shtyp se pranimet e mëparshme në NATO nuk ishin shoqëruar me një afat kohor. "Ato janë të bazuara në kushte, ashtu kanë qenë gjithmonë," tha ai.

Udhëheqësi ukrainas tha se nga kjo paqartësi do të përfitojë vetëm Rusia, dhe u zotua ta ngrejë çështjen personalisht në samit.

"Për Rusinë, kjo do të thotë motivim për të vazhduar terrorin e saj. Pasiguria është dobësi. Dhe unë do ta diskutoj hapur këtë në samit," tha Zelensky.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG