Udhëheqësit e NATO-s thanë se do ta ftojnë Ukrainën për t’u anëtarësuar në aleancë “kur ata të bien dakord” dhe “të plotësohen kushtet”.
Ky është formulimi me të cilin u pajtuan krerët e të 31 vendeve anëtare, sa i përket perspektivës së anëtarësinit të Ukrainës në NATO.
Në ditën e parë të samitit që zhvilluan në Vilnius të Lituanisë, ata u dakorduan për thjeshtëzimin e procesit të pranimit të Ukrainës, duke e anashkaluar Planin e Veprimit të Anëtarësimit.
Ky plan përfshin reformat ekonomike dhe politike që një vend kandidat duhet t'i përmbushë, përpara anëtarësimit të plotë.
“Sot pranojmë se rruga e Ukrainës drejt integrimit të plotë euroatlantik ka tejkaluar nevojën për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Ukraina po bëhet gjithnjë e më e ndërveprueshme dhe e integruar politikisht me aleancën dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në rrugën e saj të reformave”, thuhet në dokumentin që miratuan udhëheqësit e aleancës.
Ukraina, e cila ndodhet nën pushtimin rus qysh nga shkurti i vitit të kaluar, priste garanci më të mëdha në lidhje me procesin e anëtarësimit.
Para miratimit të dokumentit, presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, shkroi në Twitter se është “e paprecedentë dhe absurde” nëse nuk vendoset një afat kohor për ftesën apo anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Duket se nuk ka gatishmëri as që Ukraina të ftohet në NATO, as të bëhet anëtare e aleancës”, tha Zelensky.
Megjithatë, për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, mesazhi nga samiti është inkurajues për Ukrainën.
“Nëse i shikoni të gjitha proceset e anëtarësimit, ato nuk bazohen në afate kohore, ato bazohen në kushte - siç ka qenë gjithmonë”, tha Stoltenberg në një konferencë për gazetarë.
Me gjithë insistimin e gazetarëve se për çfarë kushtesh bëhet fjalë në rastin e Ukrainës, ai nuk dha përgjigje konkrete.
Zelensky ndodhet në Vilnius dhe do të marrë pjesë në ditën e dytë të samitit të NATO-s, më 12 korrik, kur edhe do të formohet Këshilli i parë NATO-Ukrainë - organ ky që pritet t’i përmirësojë marrëdhëniet mes aleancës dhe Kievit.
Ukraina kërkon prej kohësh të bëhet pjesë e NATO-s, por përderisa lufta vazhdon, e ardhmja e kësaj ambicieje mbetet e paqartë.
Jozyrtarisht u tha se në mesin e aleatëve nuk kishte disponim për ndonjë referencë eksplicite se kur Ukraina do ta marrë ftesën për t'u anëtarësuar në NATO.
Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa të tjerat, si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, shqetësohen se premtimi për anëtarësim automatik mund t’i japë Rusisë shkas për ta përshkallëzuar dhe zgjatur luftën.
Samiti i organizatës më të madhe ushtarake në botë zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.
Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.
Udhëheqësit e NATO-s po diskutojnë edhe për tema të tjera, përfshirë pranimin e Suedisë në aleancë.
Drita jeshile për Suedinë
Tema e Suedisë, praktikisht, ka përfunduar më 10 korrik, një natë përpara samitit të aleancës, kur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka pranuar që t’ia përcjellë Parlamentit të vendit të tij kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO.
Suedia - ashtu si edhe Finlanda - ka qenë tradicionalisht vend neutral sa u përket aleancave ushtarake, por ajo ka kërkuar pranimin në aleancë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Finlanda është bërë anëtare e plotë e NATO-s në prill të këtij viti.
Ndonëse të dyja vendet kanë kërkuar njëkohësisht pranimin, Turqia e ka bllokuar deri më tash procesin e anëtarësimit për Suedinë, duke pretenduar se ky vend strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja i konsideron terroriste.
Në takimin që Stolteberg ka organizuar më 10 korrik me presidentin e Turqisë dhe kryeministrin e Suedisë, Erdogan ka pranuar që ta heqë veton, duke hapur mundësinë që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s.
Anëtarësimi i plotë do të ndodhë kur të gjitha vendet ta ratifikojnë protokollin e pranimit.
Kosova jashtë agjendës
Në samit nuk pritet të diskutohet fare për Kosovën, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Trazirat e fundit atje kanë çuar në sulme të protestuesve serbë kundër ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, por, megjithatë, Kosova është jashtë agjendës zyrtare të diskutimeve.
Masa të rrepta për sigurinë
Për mikpritësen e samitit të NATO-s, Lituaninë, kjo ngjarje është më e madhja në historinë e këtij vendi.
Për sigurinë janë angazhuar tri njësi kundërajrore gjermane, Patriot, ashtu si edhe avionë shtesë luftarakë.
Gjithashtu, mbi 1.000 ushtarë nga vende të ndryshme të NATO-s do të kujdesen për sigurinë.
Lituania kufizohet me rajonin rus të Kaliningradit në jugperëndim, si dhe me Bjellorusinë - aleate e Rusisë - në lindje dhe në jug.