Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të kërkojë që forcat ruse të mbahen përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.
Zelensky ofroi detaje grafike të ngjarjeve që ndodhën në qytetin Buça, ku ai tha se familje të tëra janë vrarë pa dallim, veçanërisht ata që kanë shërbyer në ndonjë kapacitet për forcat ukrainase.
Njerëzit “u vranë në banesat e tyre, në shtëpitë e tyre... civilët u shtypën me tanke teksa ishin në veturat e tyre, vetëm për qejfin [e trupave ruse]”, tha Zelenksy përmes një video-adresimi para Këshillit më 5 prill.
Ai tha se krimet e kryera në Buça ishin “krimet më të tmerrshme të luftës” që prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, Buça ishte “një prej shumë shembujve se çfarë okupuesit kanë bërë në tokën tonë në 41 ditët e fundit”.
Zelensky, i cili iu drejtua OKB-së vetëm një ditë pasi vizitoi Buçan, tha se kudo që trupat ruse janë dislokuar, ata kanë lënë pas gërmadha dhe varre masive.
Ai shtoi se “qindra-mijëra” ukrainas po ashtu janë deportuar për në Rusi, duke thënë se atyre “iu duhet pasuria jonë, njerëzit tanë”. Presidenti ukrainas akuzoi rusët se po vidhnin gjithçka, duke fituar nga ushqimi e deri tek ari që u përkiste ukrainasve.
Ambasadori rus në OKB, që foli pasi Zelensky iu adresua Këshillit të Sigurimit, mohoi pretendimet për deportime masive dhe po ashtu mohoi se forcat ruse po shënjestronin civilët.
"Në përgjithësi, që prej nisjes së operacionit të posaçëm ushtarak, mbi 600,000 persona janë evakuuar në Rusi, përfshirë edhe mbi 119,000 fëmijë", tha Vasily Nebenzia.
"Dhe ne nuk po flasim për asnjë detyrim apo rrëmbim, siç duan ta paraqesin partnerët tanë perëndimorë, por për vendim vullnetar të këtyre personave, siç kanë dëshmuar përmes videove që janë të qasshme në rrjetet sociale", tha ai para Këshillit të Sigurimit.
Presidenti ukrainas i bëri thirrje OKB-së jo vetëm të veprojë menjëherë që Rusia të mbahet përgjegjëse për vdekjet e civilëve në Buça, por po ashtu ta përjashtojë Rusinë nga Këshilli i Sigurimit, institucion që nuk ka mundur të marrë asnjë veprim, përveç rezolutave jodetyruese mbi pushtimin rus të Ukrainës, për shkak se Moska ka fuqinë e vetos.
"Ne po përballemi me një shtet që e shndërron veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në të drejtë për të shkaktuar vdekje", tha Zelensky.
- Zelensky thotë se “s'ka zgjidhje tjetër” pos të negociojë me Rusinë
- Perëndimi planifikon më shumë sanksione kundër Rusisë
Ai tha se OKB-ja duhet ta pyes veten nëse i ka kaluar koha ligjit ndërkombëtar, duke bërë thirrje për reforma në Kartën e OKB-së dhe për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krime të luftës, siç ishte krijuar për krimet e nazistëve pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai po ashtu tha Kievi mund të jetë vendi ku do të mbahej një konferencë për riorganizimin e Kombeve të Bashkuara.
“OKB-ja thjesht mund të mbyllet. Zonja dhe zotërinj, a jeni gati që ta mbyllni OKB-në? Dhe koha e ligjit ndërkombëtar ka ikur?”, pyeti ai. “Nëse përgjigja e juaj është jo, atëherë veproni menjëherë”, shtoi ai.
Fjalimi i tij në OKB vjen pas reagimeve të shumta lidhur me zbulimin e viktimave civile në Buça, pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se fuqitë perëndimore “duhet të ngrihen para kërcënimit të rrezikshëm dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe botës”.
“Askush nuk duhet ta mbrojë agresionin rus”, tha ajo, duke kërkuar që Rusia të përjashtohet nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së. Sipas diplomatëve, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet që të enjten të vogojë për këtë çështje.
Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se pushtimi rus i Ukrainës ishte një prej sfidave më të mëdha ndaj rendit ndërkombëtar “për shkak të natyrës së tij, intensitetit dhe pasojave”.
“Ky këshill është përgjegjës për mirëmbajtjen e paqes dhe duke e bërë këtë në solidaritet”, tha ai, duke theksuar se i vjen keq se për shkak të ndarjeve ky institucion nuk po mund të marrë vendime.
Thomas-Greenfield u përgjigj: “Kjo është e vërtetë dhe është përgjegjësi e liderëve të OKB-së. Çdo shtet anëtarë duhet ta ngrehë zërin në Asamblenë e Përgjithshme”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje që të ketë gjykim për krime të luftës dhe përveç SHBA-së, edhe Britania ka kërkuar që Rusia të largohet nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së.
“Çfarë kemi parë në Buça nuk është një veprim i rëndomtë i ndonjë njësie ushtarake që ka vepruar krye në vete”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për gazetarët më 5 prill, teksa u nis drejt Brukselit, ku të mërkurën dhe të enjten do të takohen ministrat e Jashtëm të NATO-s.
Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë premtuar se do të vendosin sanksione ekonomike, që kanë për synim të detyrojnë presidentin rus, Vladimir Putin, t'i japë fund luftës.
BE-ja ka njoftuar se pakoja e pestë e sanksioneve do të shënjestrojë eksportet e naftës dhe qymyrit dhe do të ndalojë anijet ruse të hyjnë në portet evropiane. Ndërkaq, Thesari amerikan tha se Rusia më nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhin e jashtëm me dollarët që i ka në bankat amerikane.