Ndërlidhjet

Petritsch: SHBA-ja do të mbështesë udhëheqjen e BE-së në Ballkan


Wolfgang Petritsch, foto nga arkivi.
Wolfgang Petritsch, foto nga arkivi.

“Jam i sigurt që normalizimi i marrëdhënieve, në fund do të nënkuptojë një lloj njohjeje të Kosovës nga Serbia”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Wolfgang Petritsch, ish i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën dhe Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë e Hercegovinën, duke komentuar letrën e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

Petritsch thekson se BE-ja është më e kujdesshme në lidhje me çështjen e Kosovës dhe se zgjidhja “nuk është pas qoshes”.

“Për mua, në këtë moment, është çështje shumë me rëndësi se çfarë mund të bëjë BE-ja, jo vetëm kur bëhet fjalë për Serbinë, për t’ua mundësuar vendeve të rajonit që të kenë qasje në programet evropiane që deri më tani ishin të rezervuara vetëm për vendet anëtare. Ky do të ishte mjet ndihmues për të lidhur gradualisht, hap pas hapi, Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian. Pritja dhe shtyrja, për shkak se Franca dhe Holanda nuk e duan zgjerimin së shpejti – është strategjia më e keqe sepse është në favor të Rusisë dhe Kinës," tha Petritsch.

Biden ka porositur Beogradin se duhet të respektojë realitetin

Radio Evropa e Lirë: Presidenti amerikan, Joe Biden, në letrën e dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ka bërë thirrje për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të dy shtetet të mund t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre në bazë të njohjes së ndërsjellë. Si e komentoni letrën e presidentit Biden dhe reagimin e Serbisë?

Wolfgang Petritsch: Para së gjithash, mendoj që ky është fillimi i komunikimit zyrtar ndërmjet Bidenit, si president i SHBA-së dhe Vuçiqit. Pjesa më e madhe e letrës flet në mënyrë pozitive për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Por, Biden ka dëshiruar që përmes kësaj letre të dërgojë edhe një herë porosinë se SHBA-ja është me vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën. Në rastin e Bashkimit Evropian, kjo nënkupton shumicën e anëtareve të saj, por jo të gjitha. Gjithashtu, që realiteti duhet të respektohet dhe se fundi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – që është fjala kryesore – për SHBA-në do të thotë njohja diplomatike e Kosovës. Ky është një hap më tutje në krahasim me fjalorin që e përdor BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë që termi “njohje e ndërsjellë” nuk është theksuar në asnjë marrëveshje apo rezolutë. “Nuk është shumë e këndshme të dihet se politika e jashtme e SHBA-së ka për qëllim njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Vuçiq. “E kuptojmë që kjo është një politikë e re amerikane dhe ka pasur përpjekje edhe në Uashington për të na imponuar atë term, si diçka që do të duhej ta kishim pranuar si zgjidhjen përfundimtare. Në Shtëpinë e Bardhë, unë e thashë shumë qartë se çfarë mendoj për njohjen e ndërsjellë dhe përgjigjja ime kësaj here nuk do të jetë ndryshe ”, ka thënë Vuçiq.

Wolfgang Petritsch: Ky është hendeku për të cilin duhet të bisedohet. Beogradi gjithsesi konsideron se njohja e Kosovës nuk është pjesë e procesit të normalizimit, ndërkaq që qëndrimi i SHBA-së është ndryshe. Kjo është një çështje semantike e cila, për mendimin tim, nuk duhet të mbivlerësohet. Çështja kryesore tani është nëse BE-ja, si ndërmjetëse në dialog, është e gatshme të bëjë një hap përpara. Kur Kosova, pas zgjedhjeve, të formojë ekipin negociator, duhet të vazhdohet hap pas hapi. Kjo do të jetë rrugë e gjatë, një maratonë e vërtetë dhe në atë dialog duhet të përafrohen pozicionet e Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme pragmatike përpara.

Qasja e BE-së, "më e përafërt me atë që dëshiron Beogradi"

Radio Evropa e Lirë: BE-ja, deri më tash, nuk ka reaguar ndaj letrës së Bidenit. Zëdhënësi i saj, Peter Stano, ka thënë se qëllimi i dialogut është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por duke mos përmendur njohjen e ndërsjellë. Duket që BE-ja është më e kujdesshme sepse pesë nga anëtaret e saj nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. A do të thotë kjo se edhe më tej do të ketë ndryshime të caktuara midis Uashingtonit dhe Brukselit, të cilat ishin të dukshme gjatë administratës së Donald Trumpit?

Wolfgang Petritsch: Po, është e rëndësishme që të theksohet se BE-ja është në situatë më komplekse dhe i duhet të jetë më e kujdesshme, sepse disa anëtare të saj nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Prandaj, qëndrimi i saj është më i përafërt me atë që dëshiron Beogradi dhe kjo do të thotë që çështja e njohjes të mbetet e hapur. Këto kufizime, me të cilat përballet BE-ja, duhet t’i marrë parasysh ndërmjetësuesi i saj, Miroslav Lajçak, që do të thotë se kjo çështje do të zgjidhet në përfundim të të gjithë procesit. Nëse kemi parasysh shembujt e negociatave të tilla komplekse nga e kaluara, kjo zgjatë goxha shumë. Për shembull, negociatat e dikurshme ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore janë zhvilluar në disa faza, derisa nuk është realizuar një lloj normalizimi. Përderisa të gjitha anëtaret e BE-së të mos e njohin Kosovën, nuk është ide e mirë që të ushtrohet presion shumë i madh për atë se si do të duket zgjidhja përfundimtare në fund të gjithë procesit.

Pra, logjika është kjo, pse do të duhej ta njihte Serbia Kosovën, përderisa këtë nuk e bëjnë të gjitha shtetet në bllokun evropian. Kjo, në njëfarë mënyrë është “situata 22” (dilema ose rrethana e rëndë e cila nuk mund të shmanget për shkak të konfliktit të interesave ose kushtëzimit të ndërsjellë). Por, në dialog mund të anashkalohen ato pengesa dhe të realizohet përparimi. Gjegjësisht, këtu nuk bëhet fjalë situatën “gjithçka ose asgjë”, por për një qasje graduale, tipike evropiane dhe për t'i dhënë fund negociatave, ndërkaq që zgjidhja dhe situata përfundimtare nuk është e thënë që të definohen paraprakisht.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ajo logjikë mund të vërehet edhe nga ana tjetër. Më saktë, pra që në qoftë se Serbia e njeh Kosovën, atëherë këtë do ta bëjnë edhe pesë anëtaret e BE-së, të cilat deri më tash nuk e kanë njohur, si dhe vendet tjera në mbarë botën.

Wolfgang Petritsch: Po, kjo është tipike për “situatën 22” sepse vendet që nuk e kanë njohur Kosovën presin që të shohin përparim. Për këtë shkak janë këto negociata dhe BE-ja duhet të bëjë lëvizje graduale.

Zgjidhja “nuk është duke pritur pas qoshes”

Radio Evropa e Lirë: Kjo do të nënkuptojë se negociatat do të zgjasin një kohë të pacaktuar, ndërkaq që Beogradi dhe Prishtina tashmë janë në dialog për gati një dekadë.

Në çdo rast, është ende e vështirë të imagjinohet që ndonjë politikan serb do të dëshironte të shënohej në histori se e nënshkroi aktin mbi njohjen e Kosovës, ndërkaq edhe disponimi i publikut në Serbi është i ngjashëm. Pra, është pak e besueshme që Serbia do të pranonte që ta bëjë këtë, madje edhe në rast se ky do të ishte kusht i për hyrjen e saj në BE. Në këtë situatë, si mund të gjendet dalja nga kjo rrugë pa krye. Në një rast të tillë, a do të ekspozohej Serbia ndaj presionit shtesë dhe madje edhe ndaj ndonjë lloji të sanksioneve nga Perëndimi?

Wolfgang Petritsch: Jo, nuk besoj që sanksionet do të kishin ndonjë kuptim në këtë situatë. Duhet pasur parasysh situatën aktuale mjaft komplekse gjeopolitike në Ballkan. BE-ja dhe SHBA-ja duhet të veprojnë mjaft kujdesshëm. Situata me vaksinat është mjaft ilustruese. Serbia ka përfituar nga marrëdhëniet e mira me Moskën dhe Pekinin. Pra, BE-ja duhet të mendojë në mënyrë strategjike kur bëhet fjalë për ndikimin pozitiv dhe negativ të Rusisë dhe Kinës në këtë rajon. Kjo do të thotë që ajo duhet të veprojë në mënyrë që të zvogëlojë efektet negative të veprimeve të këtyre dy vendeve në Ballkan, dhe në të njëjtën kohë të mos krijojë pengesa për aspektet pozitive të veprimeve të Moskës dhe Pekinit. Kjo do të thotë se e gjithë kjo do të zgjasë, gjegjësisht që zgjidhja për Kosovën dhe hyrja në BE nuk janë duke pritur pas qoshes së parë. Një nga arsyet se pse ky proces është ngadalësuar, sidomos në dhjetë vjetët e fundit, është për shkakun se edhe vetë BE-ja nuk është e sigurt nëse dëshiron të zgjerohet.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, në atë mënyrë BE-ja e humb instrumentin me të cilin do të inkurajonte, në këtë rast Serbinë, që të pranojë kompromisin.

Wolfgang Petritsch: Absolutisht. Unë nuk jam aq i bindur që Franca dhe Holanda janë drejtpërdrejt të interesuara për përparimin në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ndoshta është cinike kjo që po e them, por politika ndonjëherë është makiaveliste. Gjegjësisht, për sa kohë që negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës janë në vendnumërim, Parisi dhe Haga kanë justifikimin për të thënë se tani nuk bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të rinj në BE, çfarëdo që kjo “tani” të nënkuptojë në kohë. “Situata 22” të cilën e përmenda, ka të bëjë me të gjitha çështjet kryesore në Ballkanin Perëndimor.

Çështja e Kosovës, kusht për hyrjen e Serbisë në BE

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo që në fund të këtij procesi, kurdo qoftë, për një, pesë apo dhjetë vjet, njohja e drejtpërdrejtë e Kosovës do të jetë parakusht për hyrjen e Serbisë në BE?

Wolfgang Petritsch: Po. Jam i sigurt që normalizimi i marrëdhënieve në fund do të nënkuptojë një lloj pranimi të Kosovës nga ana e Serbisë. Megjithatë, për mua, në këtë moment, është mjaft e rëndësishme çështja se çka BE-ja mund të bëjë, jo vetëm kur bëhet fjalë për Serbinë, që t’ua mundësojë vendeve të rajonit qasjen në programet evropiane, të cilat deri më tash kanë qenë të rezervuara vetëm për shtetet anëtare. Ka aq shumë programe, në të cilat do të mund të merrnin pjesë vendet që nuk janë anëtare të BE-së, varësisht nga përparimi në fusha të caktuara. Ky do të ishte mjet ndihmës për lidhje graduale, hap pas hapi, të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Pritja dhe shtyrja, për shkak se Franca dhe Holanda nuk dëshirojnë zgjerim së shpejti – është strategjia më e keqe, sepse është në favor Rusisë dhe Kinës. Duhet të kemi parasysh që vendet nga Ballkani Perëndimor nuk do të pranohen së shpejti në BE. Pra, çfarë duhet të bëjmë ndërkohë? Të presësh dhe të vështrosh, nuk është opsion. Në vend të kësaj, duhet të formalizohet hyrja graduale e vendeve të rajonit në programet evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Deri vonë, flitej për gjetjen e një zgjidhje kreative, inovative për Kosovën. Këtë e ka përmendur edhe presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një takimi me Vuçiqin, së fundmi në Paris. Çka do të nënkuptonte kjo ose a është kjo vetëm blerje e kohës në situatën kur nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës?

Wolfgang Petritsch: Njohja e Kosovës nuk është vlerë më vete. Ajo do të ketë kuptim vetëm nëse marrëdhëniet – ekonomike, ndërmjet njerëzve të zakonshëm dhe të gjithë të tjerë –do të vendosen në një bazë të re. Sidoqoftë, kjo nuk është reale për t’u arritur në një të ardhme të parashikueshme. Ndërkohë, janë të nevojshme veprimet sikurse përfshirja e vendeve të Ballkanit në programet evropiane. Do të thotë, në esencë, në natyrën e BE-së është procesi. SHBA-ja thekson që është e fokusuar në aksion, ndërkaq BE-ja në proces. Në fund, të nevojshme janë të dy qasjet, por përderisa një zgjidhje përfundimtare të mos jetë e dukshme, qasja hap pas hapi është e domosdoshme.

A po e mbështet Perëndimi Vuçiqin për hir të marrëveshjes për Kosovën?

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për Serbinë, nga njëra anë njerëzit po humbin shpresën dhe besimin në BE-në për shkak të pritjes shumë të gjatë. Nga ana tjetër, forcat liberale janë të zhgënjyera sepse besojnë se Brukseli po injoron shkeljet e normave demokratike nga ana e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, duke llogaritur që më lehtë mund të arrijë një marrëveshje me të për Kosovën.

Wolfgang Petritsch: Po, ne kemi qenë të zhgënjyer edhe me forcat liberale në Serbi. Boris Tadiq ka qenë një zhgënjim i madh për Perëndimin. Vuçiq, në njëfarë mënyre, tash është në situatë të ngjashme në të cilën ishte gjetur Richard Nixon, në përpjekjet që të arrijë marrëveshje me Kinën. Vuçiqi e ka shansin që t’i shmangë akuzat se e ka humbur Kosovën dhe në të njëjtën kohë, të marrë diçka më të mirë sesa përpjekja për të mbajtur Kosovën. Ky është sekreti i mendimit diplomatik dhe politik se si të gjesh një zgjidhje, në të cilën të gjithë fitojnë. E di që tingëllon si e përgjithshme, por duhet të mendojmë në kategori më të gjera vizionare. Kjo ka funksionuar në rastin e Gjermanisë, ndërmjet Italisë dhe Austrisë lidhur me Tirolin Jugor. Në situata të tjera, kjo megjithatë, nuk ishte efektive.

BE-ja duhet “të insistojë për formimin e Asociacionit”

Radio Evropa e Lirë: Beogradi këmbëngul se BE-ja nuk ka përmbushur pjesën e saj të obligimit për të bindur Prishtinën për të zbatuar dispozitat nga Marrëveshja e Brukselit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe..

Wolfgang Petritsch: Beogradi ka të drejtë. Por, e pyes veten pse nuk është rritur presioni mbi Prishtinën për të përmbushur ato që janë shkruar tashmë në planin e Martti Ahtisaari. Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara. Kjo do t’u jepte serbëve më shumë besim në vetvete kur bëhet fjalë për bashkëpunim, sepse ai asociacion, përveç koordinimit ndërmjet komunave në të cilat serbët janë shumicë, do të nënkuptonte edhe koordinim me institucionet në Prishtinë. Unë e kuptoj që është shumë e vështirë për autoritetet në Kosovë të bëjnë këtë veprim, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por kjo do të lejojë përparimin shtesë, i cili është arritur pjesërisht në vitet e fundit. Megjithatë, është e nevojshme që të shkohet më shpejt përpara, ndërkaq që kryesore për këtë është çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Biden “nuk do të insistojë” për hapjen e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem

Radio Evropa e Lirë: Mungesa e besimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e dukshme. Cili është fati i marrëveshjes që kanë nënshkruar Serbia dhe Kosova, vitin e kaluar, nën ombrellën e administratës së Trumpit? A do të zbatohet fare?

Wolfgang Petritsch: Në njëfarë mënyre, situata është e çuditshme. Tash janë vendosur marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Njëkohësisht, këtu janë edhe çështjet ekonomike. Ato janë në rregull, por duhet të integrohen në konceptin e gjerë të dialogut. Unë e shoh rolin e SHBA-së në mbështetjen e qasjes konstruktive të BE-së, në mënyrë që procesi të përparojë, sepse tani është shumë i ngadaltë, gjë që është frustruese. Por, konfliktet e tilla zgjidhen gjatë. Shikoni se çfarë po ndodh në Qipro, ku papritmas filloi të përmendet një zgjidhje me dy vende, të cilën Kombet e Bashkuara kurrë nuk e shqyrtuan. Pra, Serbia dhe Kosova janë ende shumë larg, por në fund ato do të duhet të pajtohen se çfarë nënkuptojnë me normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella, ndërkaq që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është hap i rëndësishëm në atë rrugë.

Radio Evropa e Lirë: Liderët e Kosovës e kanë përshëndetur letrën e presidentit Biden për Vuçiqin. Por, vendimi i tyre për të hapur ambasadën në Jerusalem, pasi që Izraeli e pranoi pavarësinë e Kosovës, ka nxitur reagime negative në vendet islamike. Si do të reflektojë kjo në përpjekjet për t'u integruar plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare, duke marrë parasysh që tashmë është e njohur nga shumë vende islamike?

Wolfgang Petritsch: Unë isha kritikues ndaj kësaj politike të jashtme manipuluese të administratës Trump. Përveç Kosovës, kjo vlen edhe për Serbinë, e cila është pajtuar ta zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem. Unë dyshoj se këto lëvizje do të ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në këtë rajon. Çështja e përmendur nuk ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor dhe nuk do të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e Kosovës. Kjo i ka mundësuar Prishtinës njohjen edhe nga një vend tjetër, por mund të shkaktojë më shumë probleme në planin afatgjatë.

Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Radio Evropa e Lirë: A do të insistojë administrata e Bidenit që Kosova dhe Serbia të hapin ambasada në Jerusalem apo do ta lënë atë mënjanë, duke pasur parasysh që një marrëveshje e tillë ishte nënshkruar gjatë administratës së mëparshme?

Wolfgang Petritsch: Unë mendoj se kjo do të lihet mënjanë për një kohë dhe se administrata e Bidenit nuk do të insistojë që Kosova dhe Serbia të hapin ambasada në Jerusalem.

Parandalimi që Kosova të bëhet një konflikt i ngrirë

Radio Evropa e Lirë: Duket se do të kalojnë vite para se të arrihet një zgjidhje për Kosovën. Për shkak të mungesës së përparimit, kohët e fundit tashmë ky po duket paksa si një konflikt i ngrirë dhe mund të mbetet i tillë, pasi që është e vështirë të imagjinohet në këtë moment që Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Arrihet përshtypja që Serbia, jo se do të heqë dorë krejtësisht nga integrimi evropian, por se do t’i drejtohet edhe më shumë Moskës dhe Pekinit.

Wolfgang Petritsch: Do të kemi edhe disa kohë pa përparim, por duhet pasur kujdes që të mos kalojë në një konflikt plotësisht të ngrirë. Sidoqoftë, Beogradi ka shprehur gatishmëri për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin. Bashkëpunëtori shumë i ngushtë i Vuçiqit, i cili ishte negociuesi kryesor me Prishtinën, Marko Gjuriq, tani është ambasador në SHBA. Mendoj se përpjekja e Beogradit për të normalizuar marrëdhëniet, përndryshe shumë komplekse, me Uashingtonin, është shumë e rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por, ne nuk duhet të kemi shumë shpresë në administratën e Bidenit, në përgjithësi, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor sepse Shtetet e Bashkuara janë në krizën më të rëndë në historinë e tyre moderne. Ata duhet të forcojnë shtetin e tyre dhe të promovojnë demokracinë në shtëpi.

Dhjetë vjet bisedime në vesh të shurdhër
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:13:22 0:00

Sigurisht, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe BE-së janë gjithashtu shumë të rëndësishme, por ato do të përqendrohen në zgjidhjen e çështjeve globale, të tilla si ndryshimi i klimës, përballja me Kinën. Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, evropianët do të drejtojnë procesin me mbështetjen e amerikanëve. Sidoqoftë, për udhëheqje në këtë rajon, nënkupton që nevojitet një koncept, strategji dhe ide se çfarë do të arrihet. Fatkeqësisht, mungesa e dinamizmit në procesin e zgjerimit të BE-së është një pengesë kryesore.

Mbështetja e SHBA-së për BE-në

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, gjatë një bisede telefonike, të kohëve të fundit, midis Bidenit dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, Ballkani Perëndimor u përmend si një nga gjashtë përparësitë në veprimin e tyre të ardhshëm. A do të veprojnë ata të koordinuar apo mosmarrëveshjet e aleatëve tradicionalë transatlantikë gjatë administratës Trump do të lënë gjurmë edhe në të ardhmen?

Wolfgang Petritsch: Ekspertët amerikanë, të tillë si Richard Haass, paralajmërojnë evropianët që të mos presin shumë nga administrata e Bidenit, duke pasur parasysh shkallën e problemeve të brendshme. Më së shumti që BE-ja mund të marrë është mbështetja e Uashingtonit për lëvizjet e saj dhe për të mos e penguar atë, siç ishte rasti gjatë kohës së Trumpit. Por, Evropës do t'i duhet të merret vetë me probleme të vogla, rajonale, të tilla si në Ballkan, në mënyrë që të ketë duart e lira për t’u marrë me çështjet globale.

Radio Evropa e Lirë: Pra, BE-ja do të drejtojë procesin me mbështetjen e SHBA-së dhe nuk do të përsëritet situata nga vitet 1990, kur Uashingtoni kishte një pozicion udhëheqës në zgjidhjen e problemeve në Ballkan?

Wolfgang Petritsch: Po. Por, BE-ja duhet të përmbushë pritjet se është në gjendje të zgjidhë problemet në fqinjësinë e saj.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Radio Evropa e Lirë: Ne përmendëm që Macron, është kundër zgjerimit të BE-së, në një të ardhme të parashikueshme. A ekziston rreziku që ajo të humbasë tërheqjen e saj në Ballkanin Perëndimor sepse, për shembull, nuk e miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën. Prandaj, ish-kryeministri Ramush Haradinaj paralajmëron se nëse nuk ka progres në këtë çështje, si në negociatat me Serbinë, Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë.

Wolfgang Petritsch: Të gjithë këta janë shembuj se si mund të kërcënohet Bashkimi Evropian dhe se pozicioni i tij është dobësuar. Megjithatë, mendoj se Lajçak është duke bërë një punë të mirë në prapaskenë, por ai duhet të presë që zgjedhjet në Kosovë të përfundojnë, të formohet një ekip negociator në Prishtinë dhe të vazhdojë dialogun me Beogradin. BE-ja duhet të mësojë se si të përdoret fuqia politike.

Radio Evropa e Lirë: Sa real është kërcënimi i bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë, apo është thjesht retorikë?

Wolfgang Petritsch: E gjithë kjo histori rreth shkëputjes ose bashkimit, qoftë ajo për Republikën Srpska apo për Kosovën, është joreale dhe vetëm një kërcënim. Megjithëkëtë, BE-ja duhet të veprojë në mënyrë më aktive dhe të bëjë përparim. Në të kundërtën, dalin në sipërfaqe edhe ide tjera, sikurse ato secesioniste. Por, edhe Shqipëria e edhe Serbia e dinë shumë mirë që në rast se do t’i pranonin në ombrellat e tyre Kosovën, gjegjësisht Republikën Srpska – aspiratat e tyre për t'u bashkuar me BE-në, do të shpërndaheshin përgjithmonë.

Sidoqoftë, mosmarrëveshja midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, tregon dobësinë e procesit të zgjerimit, pasi anëtari më i varfër i BE-së mund të parandalojë që të tjerët të arrijnë qëllimin e hapjes së bisedimeve me autoritetet në Shkup.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG