Ndërlidhjet

Familjarëve të viktimave në Vuhan u ndalohet të flasin me ekipin e OBSH-së


Vullnetarët duke dezinfektuar teatrin kryesor në Vuhan. Fotografi e bërë më 2 prill, 2020.
Vullnetarët duke dezinfektuar teatrin kryesor në Vuhan. Fotografi e bërë më 2 prill, 2020.

Familjarët e viktimave që vdiqën nga koronavirusi në Vuhan të Kinës, thonë se autoritetet kineze kanë fshirë një grup në mediat sociale që ata kanë pasur dhe po u bëjnë presion që të mos flasin, teksa ekipi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është në këtë qytet për të kryer hetime lidhur me origjinën e pandemisë.

Dhjetëra familjarë të viktimave janë bashkuar në platformat online, për të kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët e Vuhanit, të cilët ata i fajësojnë se nuk e kanë trajtuar siç duhet situatën, kur para një viti u regjistruan rastet e para me koronavirusin e ri, shkruan AFP.

Këta familjarë të viktimave nga COVID-19, thonë se përpjekjet e tyre për të kërkuar përgjegjësi, deri më tani janë penguar nga zyrtarët.

Por, ditët e fundit, presioni ndaj tyre është rritur, me gjasë për të shmangur çdo kritikë gjatë hetimit që do të kryejë grupi i OBSH-së.

Anëtarët e OBSH-së, që do të hetojnë origjinën e COVID-19, hypin në një autobus, pasi kanë arritur në aerportin e Vuhanit. 14 janar, 2021.
Anëtarët e OBSH-së, që do të hetojnë origjinën e COVID-19, hypin në një autobus, pasi kanë arritur në aerportin e Vuhanit. 14 janar, 2021.

Një grup në platformën sociale WeChat, që përdorej nga 80 deri në 100 anëtarë të familjeve të viktimave, para dhjetë ditësh është fshirë pa asnjë arsyetim, tha Zhang Hai, i cili ishte anëtar i këtij grupi dhe njëherësh një kritik i zëshëm ndaj menaxhimit të pandemisë nga autoritetet kineze.

“Kjo tregon se (autoritetet kineze) janë shumë nervozë. Ata janë të frikësuar se këto familje do të kontaktojnë me ekspertët e OBSH-së”, tha Zhang, 51 vjeç, babai i së cilit vdiq më herët gjatë shfaqjes së pandemisë, nën dyshimin se ishte i infektuar me koronavirus.

Ekspertët e OBSH-së arritën në Vuhan më 14 janar dhe filluan punën më 28 janar, pasi kanë dalë nga karantina 14-ditore.

“Kur OBSH-ja erdhi në Vuhan, (autoritetet) me forcë shkatërruan (grupin). Si rezultat i kësaj, ne kemi humbur kontaktin me shumë anëtarë të grupit”, shtoi Zhang.

Një tjetër familjar ka konfirmuar se ky grup është fshirë. Platforma WeChat operon në kuadër të gjigantit digjital kinez, Tencent.

Platformat e njohura në Kinë në mënyrë sistematike censurojnë përmbajtjen që kanë doza të kritikës ndaj qeverisë.

“Melodia e njëjtë”

Familjarët e viktimave nga COVID-19 në qytetin e Vuhanit, që ndodhet në provincën Hubei, kanë akuzuar qeverinë provinciale se kanë lejuar që sëmundja COVID-19 të përhapet dhe iu doli nga kontrolli, teksa u përpoqën që ta fshihnin shpërthimin në dhjetorin e vitit 2019. Familjarët po ashtu thonë se autoritetet kanë dështuar që ta njoftojnë publikun dhe i knaë mashtruar duke u thënë se po e menaxhojnë mirë situatën.

Sipas shifrave zyrtare të Kinës, koronavirusi i ri ka vrarë pothuajse 3,900 persona në Vuhan, ndërkaq shifra totale e viktimave në Kinë është raportuar se është 4,636.

Shumë familjarë të viktimave kanë hedhur poshtë këto shifra, duke thënë se në ditët e para të shpërthimit të pandemisë nuk janë kryer testime për koronavirus, gjë që sipas tyre, nënkupton se shumë persona që kanë vdekur në atë periudhë as që janë testuar për të konfirmuar nëse kanë qenë të infektuar me virusin.

Në nivel botëror, mbi dy milionë persona kanë vdekur nga koronavirusi.

Përderisa Kina gjerësisht e ka kontrolluar pandeminë, ajo ka zemëruar shumë vende me përpjekjet e saja për të penguar hetimet e pavaruar për gjetjen e origjinës së virusit.

Në vend që të kryejë hetime mbi origjinën e virusit, Kina ka tentuar që të heqë fajin për dëmin e tmerrshëm njerëzor dhe ekonomik që është shkaktuar në gjithë botën, duke sugjeruar, pa dhënë prova, se virusi fillimisht ishte shfaqur diku tjetër.

Në ekip nga OBSH-ja më në fund u lejuan që të hyjnë në Vuhan para dy javësh.

Hetimi i tyre mbi origjinën e virusit ka filluar të enjten, më 28 janar, nën masa të rrepta sigurie.

Një tjetër familjare, vajza e së cilës vdiq nga virusi janarin e kaluar, thotë për AFP-në se javën e kaluar, autoritetet kineze e kontaktuan atë dhe e paralajmëruan që të “mos flas për mediat ose të përdorem nga të tjerët”.

Autoritetet erdhën në shtëpinë e saj gjatë kësaj jave dhe i thanë që të “luajë melodinë e vjetër dhe të njëjtë dhe më dhanë 5,000 yuan (775 dollarë) si pagesë për ngushëllim”, tha ajo, duke kërkuar që të mbetej anononime.

Pengesa zyrtare

Qeveria e Partisë Komuniste hesht çdo zë kritik ndaj qeverisë dhe ditët e para të shpërthimit të koronavirusit vazhdojnë të jenë një nga temat më të ndjeshme sot në Kinë.

Disa familjarë të viktimave në Vuhan kanë tentuar që të ngrenë padi, duke kërkuar kompensim dhe ndëshkimin e zyrtarëve, por ata thonë se gjykatat në këtë qytet kanë refuzuar që të pranojnë rastet e tyre.

Qeveria në Vuhan nuk ka pranuar që t’i përgjigjet pyetjeve të AFP-së lidhur me kërkesat e këtyre familjeve.

Zhang u ka bërë thirrje ekspertëve të OBSH-së që të takohen me familjarët e viktimave, duke thënë se hetuesit me gjasë do të keqinformohen ose do të pengohen nga autoritetet kineze.

Ai shprehet se familjet kanë njohuri se si virusi është shpërndarë dhe këto informacione mund të ndihmojnë hetimin e OBSH-së, edhe pse ai e pranon se një takim me OBSH-së ka pak gjasa të ndodhë.

Koronavirusi i ri besohet se origjinën nga lakuriqët dhe fillimisht është përhapur në një treg në Vuhan ku shtazët e egra shiten si ushqim.

Por, për këtë teori dihet shumë pak.

Një tjetër teori, të cilën e ka përmendur vazhdimisht edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është që virusi ka dalë nga një laborator në Vuhan, ku shkencëtarët ishin duke studiuar koronavirusët.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG