Ndërlidhjet

Vuçiq pret Sorensenin: Asociacioni, parakusht për normalizim


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, (majtas) takohet në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, 25 mars.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, (majtas) takohet në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, 25 mars.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua të martën në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në një postim në Instagram pas takimit, Vuçiq tha se takimi i tij i parë me të dërguarin e ri për dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë”.

Ai ka thënë se e ka njoftuar Sorensenin, i cili javën e kaluar e vizitoi Kosovën “për problemet me të cilat ballafaqohen serbët” atje.

“Unë shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”, shkroi Vuçiq.

Presidenti serb e akuzoi Kosovën se po bën “pengesa të vazhdueshme në procesin e dialogut”, duke ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”.

Më vonë gjatë ditës, Sorensen është takuar edhe me shefin e diplomacisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Gjuriq ka thënë se parakusht për ringjallje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është “besimi ndërmjet të gjitha palëve në këtë proces”.

“Duke theksuar se Beogradi mbështet punën e Përfaqësuesit të posaçëm, Gjuriq theksoi se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe zbatimi i obligimeve të tjera të dakorduara në Marrëveshjen e Brukselit, janë faktorë kyç për normalizimin e marrëdhënieve”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se e ka informuar Sorensenin, për “gjendjen e rëndë” të popullit serb në Kosovë, dhe e ka fajësuar Prishtinën zyrtare për problemet në dialog.

Në tetor të vitit 2023, të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ia ofruan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Kosova nuk ka pranuar ta themelojë atë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar ta dërgojë këtë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës - veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se këtë ia ka thënë edhe Sorensenit gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 17 mars.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikon një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës.

Vuçiq tha se pret nga Bashkimi Evropian ta rrisë angazhimin e tij në mënyrë që të ruajë besueshmërinë e dialogut dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces.

Ai shtoi se qëndrimi i Serbisë është se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Sorensen – në vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës – u takua me udhëheqësit institucionalë dhe me përfaqësuesit e opozitës javën e kaluar.

Në Prishtinë, emisari evropian tha se prioritet për të është që të sigurojë takime mes dy shteteve.

"Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar", tha Sorensen në Prishtinë.

Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG