Ndërlidhjet

Vuçiq u bën thirrje serbëve në Kosovë që "ta ruajnë paqen"


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se në orët e mbrëmjes do të takohet në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, dhe se kërkesa e tij do të jetë “ruajtja e paqes”.

Vuçiq ka thënë se do të bisedojë me ta “gjithë natën dhe gjithë mëngjesin”.

“Duhet të përpiqemi të tregojmë se nuk donim konflikte as për një sekondë. Nëse protestojnë, duhet të protestojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Le të bëjmë çmos për të ruajtur paqen. Ne do të respektojmë kërkesën e (kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep) Borrellit. Nuk do të nxjerrim të reja, dhe as nuk do t'i publikojmë”.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel, për të diskutuar çështjen e targave.

Takimi ka përfunduar pa marrëveshje.

"Mesazhi im kryesor do të jetë të bëjmë më të mirën për të ruajtur paqen".

Vuçiq ka thënë se Serbia do të bëjë çmos që serbët në veri të Kosovës të jenë të sigurt, por nëse dikush mendon se mund të kryejë “dëbime, vrasje dhe plagosje", sipas tij, "Serbia do të qëndrojë pranë popullit serb dhe nuk do ta lërë në baltë."

Pa marrëveshje për targat në Bruksel
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:15 0:00

Mes tjerash, presidenti serb ka thënë se prej fillimit të ndërrimit të parë të Policisë, më 22 nëntor, do të fillojë një periudhë e vështirë, me net pa gjumë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në paraditen e 22 nëntorit, përkatësisht pas orës 08:00, do të fillojë shqiptimin e gjobave për qytetarët që kanë makina me ato që autoritetet në Kosovë i konsiderojnë targa ilegale serbe.

Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit për targat ilegale serbe për 10 muaj.

Mirëpo Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit më 1 nëntor.

Kryeministri Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian "kanë hequr dorë" nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm "nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve".

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.

"Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot", ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë "vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë".

"Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", ka thënë Borrell për gazetarët.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG