Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka konsideruar zhgënjyese mosarritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
“Situata aktuale përbën rrezik për sigurinë e qytetarëve të thjeshtë në Kosovë dhe ua largon vëmendjen nga misioni qeveritar për të përmirësuar jetët e tyre. Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve, apo që të kërcënojnë sigurinë”, ka thënë Abbott përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë, po ashtu, se aktualisht është shumë e nevojshme që të arrihet përparim drejt marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që mospajtimet, sikur kjo e targave, të mos jenë të nevojshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë marrë pjesë të hënën në një takim urgjent, të thirrur nga Bashkimi Evropian, për të diskutuar çështjen e targave.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.
"Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot", ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë "vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë".
"Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", ka thënë Borrell për gazetarët.
Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.
Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.
Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor.
Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit është në fuqi faza e qortimit të shoferëve.
Pas fazës së gjobave, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.