Ndërlidhjet

Vuçiq dhe Dodik urojnë Trumpin për fitoren e pretenduar në SHBA


Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, majtas, bisedon me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë Kuvendit gjithërserb në tempullin ortodoks serb të Shën Savës në Beograd, Serbi, më 8 qershor 2024.
Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, majtas, bisedon me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë Kuvendit gjithërserb në tempullin ortodoks serb të Shën Savës në Beograd, Serbi, më 8 qershor 2024.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar republikanin Donald Trump për fitoren në garën presidenciale në SHBA - një fitore që ende nuk është e konfirmuar.

"Urime Donald Trump për fitoren tuaj. Së bashku, përballemi me sfidat serioze që kemi përpara. Serbia është e angazhuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe", shkroi Vuçiq në X.

Edhe pse fitorja e Trumpit ende nuk është konfirmuar, ai duket të jetë pranë fitores pasi ka siguruar shtetet kyçe si Pensilvania dhe Karolina e Veriut dhe ka avantazh në katër të tjera, sipas sondazhit të Edison Research.

Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.

Fitoren e Trumpit e mirëpriti edhe presidenti prorus i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

"Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-së, por edhe të botës," shkroi Dodik në X.

Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.

Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës "jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë".

Grenell është ende aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit.

Ndërkohë, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka investuar në ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si pasuri kulturore.

Shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, Vuçiq, në një intervistë për gazetën britanike *Financial Times*, tha se marrëveshja është thjesht një “sipërmarrje biznesore”.

"Miku im [kryeministri hungarez] Viktor [Orbán] është 100 për qind në anën e Trumpit. Miqtë e mi nga Brukseli janë 100 për qind në anën e [presidentit aktual të SHBA-së, Joe] Biden. Unë nuk jam. Unë jam në anën serbe duke i pritur rezultatet," tha Vuçiq për Financial Times.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG