Ndërlidhjet

Grenell thotë se e ardhmja e Serbisë është pranë SHBA-së, dhe jo Kinës dhe Rusisë


I dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
I dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.

I dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se e ardhmja e Serbisë është pranë Shteteve të Bashkuara, dhe jo pranë Kinës dhe Rusisë, raporton Zëri i Amerikës.

Ai beson se mes SHBA-së dhe Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet.

“Unë flas rregullisht me presidentin e [Serbisë, Aleksandar) Vuçiq dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-në. Si një amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk hezitoj të promovoj vlerat e Perëndimit”, tha Grenell.

Grenell ishte ndër të ftuarit në pritjen “Serbia përtej së ardhmes”, të cilën Misioni i Përhershëm i Serbisë në OKB e organizoi në Nju Jork.

Ish-zyrtari i administratës Trumpit ka mbetur i afërt me përfaqësuesit e pushtetit në Serbi edhe pas largimit nga detyra.

Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.

Në pyetjen e gazetarëve për gjendjen e tanishme në Kosovë, ish-zyrtari, i cili është ende aktiv në fushatën e Donald Trump, kritikoi administratën e presidentit të tanishëm amerikan Joe Biden.

“Jam shumë i zhgënjyer që gjithë puna e mirë që ka bërë presidenti Trump në rajon është hedhur poshtë”, tha ai.

Sipas raportimit të Zërit të Amerikës, për shkak të ndërhyrjes nga shërbimi për shtyp i presidentit të Serbisë, Grenell nuk iu përgjigj pyetjes së këtij mediumi për investimin e dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, në ndërtesën e ish- Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Ish-zyrtari i administratës Trump shpesh ka folur publikisht me lëvdata për projektin e dhëndrit të Trump në Beograd.

Grenell, ndër të tjera, vlerësoi se ndërtesa e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, e cila është simbol i konfliktit, mund të shndërrohet në një urë miqësie mes Serbisë dhe SHBA-së.

Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes së pasurisë kulturore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG