Nën tymin e temjanit të djegur që prifti e shpërndan për aromë, Lubomir Ristiq viziton varrin e të birit, pasi ndez qirinj e lutet për të.
Më 14 dhjetor bëhet një çerek shekulli nga dita kur djali i tij atëkohë 18 vjeç, Svetisllavi, u vra bashkë me pesë shokë të tjerë në Pejë - pjesa perëndimore e Kosovës.
Sot e kësaj dite, rasti nuk ka epilog.
“Janë 25 vjet të vështirë dhe të dhimbshëm”, thotë Ristiq për Radion Evropa e Lirë.
Tani i zhvendosur në Beograd të Serbisë, Ristiq deri në fund të viteve ’90 jetonte në Pejë.
Në një lagje asokohe multi-etnike, djali i tij e frekuentonte shpesh një kafene të vogël, të quajtur “Panda”, përballë gjimnazit të qytetit që mbante emrin Sveti Sava.
Mbrëmjen e 14 dhjetorit të vitit 1998, Svetisllavi ishte pikërisht aty, bashkë me disa të rinj të tjerë, kur, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar hynë në kafene dhe gjuajtën me breshëri plumbash mbi ata që ishin brenda.
Të vrarë në vend mbetën: Ivan Radeviq, 25 vjeç, Ivan Obradoviq, 14 vjeç, Vukota Gvozdenoviq, 16 vjeç, dhe Dragan Trifoviq, 17 vjeç.
Po atë natë, si pasojë e plagëve të marra, në spital vdiqën: Svetisllav Ristiq, 18 vjeç, dhe Zoran Stanojeviq, 17 vjeç.
Kafeneja “Panda” ishte biznes familjar i Suad Shaboviqit, i cili jetonte shumë pranë lokalit.
“Ai lokal ishte afër gjimnazit dhe, në fakt, ishte një lloj kantine e hapur për ushqime të shpejta dhe më pas u shndërrua në një kafene, një vend pushimi për fëmijët, si ta them...”, kujton sot Shaboviq për Radion Evropa e Lirë.
Mbrëmjen e sulmit, ai thotë se “energjia elektrike ishte e ndalur në shumicën e qytetit”. Në lokal thotë se kishte arritur pak minuta para se të ndodhnin vrasjet.
“Dera u hap dhe filloi breshëria. Sipas një hetimi, ishin gati 60 plumba… Po gjuanin nga dera... Vëllai im u plagos në këmbë. Afër tij, fatkeqësisht, vdiq djali i baxhanakut tim”, thotë Shaboviq.
Shaboviq, sikurse edhe familjet e të vrarëve në rastin që u bë i njohur si “Panda”, u larguan shumë shpejt nga Kosova për në vende të tjera të Ballkanit.
“E gjithë Peja, në përgjithësi, nuk ishte më e njëjta pas asaj ngjarjeje”, thotë ai.
Burgosje e torturim i të pafajshmëve
Vrasja e gjashtë të rinjve serbë ndodhi në një kohë kur tensionet ndëretnike në Kosovë ishin të larta.
Lufta mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës veçse kishte filluar.
Pikërisht në ditën e vrasjeve në “Panda”, disa pjesëtarë të UÇK-së u vranë në një pritë të forcave serbe, teksa bartnin armë nga Shqipëria.
Vrasjet në “Panda” u panë si një akt hakmarrjeje, çfarë çoi, pastaj, në bastisje e arrestime të shqiptarëve nëpër Pejë. Shënjestër ishte edhe Agron Kollçaku, atëkohë 26 vjeç.
“Zymtë ka qenë Peja, heshtje… Kur kam dëgjuar për atë rast, jam tronditur. Thashë fëmijë, çfarë kanë faj fëmijët…”, kujton Kollçaku, i cili edhe sot jeton jo larg lokalit ku dikur ishte “Panda”.
Vetëm dy ditë pas vrasjeve, atij i trokiti në derë policia për ta arrestuar si të dyshuar.
“Kam qenë në gjumë, se ora katër e mëngjesit ka qenë, veç kur kanë trokitur në derë. E kam hapur derën, kanë hyrë... Agron Kollçaku? U thashë po. E di, një polic i ka treguar kolegut të tij me ato radiolidhjet... ‘e zumë terroristin’. Kaq ka qenë. M’i kanë lidhur duart, më kanë marrë me vete”, rrëfen Kollçaku për Radion Evropa e Lirë.
Përveç tij, si të dyshuar për këtë rast u arrestuan edhe Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj, Beqir Loxha dhe Behar Bajri.
Të gjithë u liruan 12 muaj më vonë nga gjykata në Beograd, në mungesë provash për përfshirjen e tyre në vrasje.
Kollçaku thotë se torturat që i përjetoi gjatë qëndrimit fillimisht në burgun e Pejës e më vonë edhe në Serbi, nuk do t’i harrojë kurrë.
“I sillnin [disa persona]... Nuk i njihja, nuk ishin gardianë të rregullt të burgut, por i sillnin me siguri nga rruga, nuk e di... Ishin të pashpirtë, të rrihnin deri në alivanosje. Më kujtohet, e patën lënë një bidon të madh me ujë... Të rrihnin, të fusnin aty, të kthjellonin dhe prapë i vazhdonin maltretimet”, kujton Kollçaku.
Thotë se as ai, as personat e tjerë që ishin arrestuar për këtë rast, nuk kanë marrë ndonjë kërkimfalje apo dëmshpërblim nga shteti serb.
“Pse? Pyetem pse. Edhe sot pyes pse. Pa kurrfarë lidhjeje, pa kurrfarë… nuk e di”, shprehet ai.
Dyshime për inskenim të krimit
Pas lirimit të të dyshuarve për rastin “Panda”, për një kohë nuk kishte shumë deklarime publike se kush mund ta kishte kryer krimin.
Familjet e shpërngulura nga Kosova i zhvendosën edhe të vrarët që, fillimisht, ishin varrosur në varrezat ortodokse në Pejë.
Këta familjarë, përmes një avokati, janë duke ndjekur ende drejtësinë.
Sipas avokatit Ivan Niniq, dyshimet fillestare për vrasjet në “Panda” erdhën si pasojë e një “propagande të fuqishme” të autoriteteve serbe në atë kohë.
“Drejtimi që dëshiruan t’i jepnin rastit shteti dhe qeveria e asaj kohe, e viteve ‘98-99 e madje edhe më vonë, ishte narrativi që kjo [vrasje] ishte bërë nga persona me kombësi shqiptare dhe, thjesht, nuk ka prova për këtë”, thotë Niniq me bazë në Beograd.
Rreth 14 vjet pas ngjarjes në “Panda”, në vitin 2013, Aleksandar Vuçiq, që në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i Serbisë, la të kuptohej se krimi “mund të mos ishte kryer nga shqiptarët”.
Në një intervistë për Televizionin “Pink” në Serbi, ai tha se zbardhja e këtyre vrasjeve do të mund të ishte befasi në të ardhmen.
Nga ajo kohë qarkulluan dyshime se vrasja mund të ishte inskenuar nga autoritetet serbe.
Hetimi i rastit nga Prokuroria e Serbisë, që nisi në vitin 2016, vazhdon ende - pa rezultat.
Kjo prokurori i tha Radios Evropa e Lirë se “janë marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë dhe janë siguruar prova të shumta materiale”, por se “rasti është ende në hetim”.
“Pikë kyçe është që dikush duhet ta rikonstruktojë atë çfarë ndodhi më 14 dhjetor, 1998... nëse shteti ka pasur dorë në të apo jo. Nëse shteti ka pasur lidhje [me vrasjet], kush e përfaqëson shtetin? Kush e simbolizon shtetin? Viktimat meritojnë të paktën të vërtetën, nëse jo drejtësinë”, thotë avokati Niniq.
Natasha Kandiq, ish-drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, e kishte vizituar Pejën më 1998, për të hulumtuar rastin “Panda”.
“Ne kemi bërë përpjekje për të siguruar të dhëna dhe ajo që kemi marrë vesh - duke biseduar me një numër të madh njerëzish - është se ato [vrasje] nuk janë kryer prej askujt nga komuniteti shqiptar dhe nuk janë organizuar në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thotë Kandiq për Radion Evropa e Lirë.
“Tri ditë pas vrasjeve, në qytet nuk ndodhi asgjë dhe më pas hetimi - që në fakt kishte formën e kërkimit të autorit - nisi më 17 dhjetor, gjë që ishte shumë e çuditshme. Pati kërkime, një sjellje banditësh shumë arrogante. U pa se në atë kërkim policia vendore nuk ishte e përfshirë... por që të gjithë ishin pjesëtarë të njësive të caktuara nga Beogradi, të cilët as nuk kishin informacione të sakta se çfarë kërkonin. Ishte një kontroll i furishëm i shtëpive. Më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan më pas”, kujton Kandiq.
Ajo thotë se shteti serb ka përgjegjësi për ta zbuluar të vërtetën rreth vrasjes së të rinjve serbë në Pejë.
“U pa, faktikisht, se ai rast ishte i fabrikuar, u mendua në institucionet e atyre që e krijuan atë strategji në Kosovë se çfarë duhej atëherë, në atë kohë, në dhjetor, për t’i forcuar ato marrëdhënie të këqija mes serbëve dhe shqiptarëve… Dhe, sigurisht, strategjia kaq monstruoze pati efekt. Ajo i ndryshoi marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve. Ato nuk u riparuan kurrë”, thotë Kandiq.
Familjarët e viktimave në rastin “Panda” kërkojnë vazhdimisht takim me Vuçiqin, tani president i Serbisë, por një i tillë nuk ka ndodhur ende.
“Supozojmë se janë detyrimet presidenciale dhe politike që e pengojnë t’i gjejë 5-10 minuta në orarin e tij të ngjeshur për t’i takuar prindërit. Por, nuk e humbim shpresën se një ditë do të kemi kontakte me të”, thotë Ristiq, babai i Svetisllavit të vrarë.
Kujtimi i tragjedisë, i mbrojtur nga shteti i Kosovës
Në lagjen tani jo shumë multi-entike qëndron ende objekti që dikur ishte kafeneja “Panda”.
Në vitin 2014, këtë lokal, bashkë me shtëpinë ngjitur, e bleu Mustafë Vejsa, të cilin Shaboviq e kishte fqinj.
Derisa kalon nëpër objektin që e ka shndërruar në depo personale, Vejsa prek me duar shenjat e plumbave që janë ende të dukshme në lokal.
“Unë, të tregoj drejt, kur e kam marrë këtë lokal, as këto shenja nuk janë parë”, thotë ai, duke treguar se kishte pasur rrëmujë të madhe derisa ishte pastruar.
Vejsa kujton që, për shumë vite pas blerjes së lokalit, nuk i kishte thënë askush se duhet ta mbronte, por kujtimi për tragjedinë thotë se e shtyri atë që të mos e rrëzonte objektin njëkatësh.
“Kur kam shkuar... në çdo vend ku kam kërkuar si një lloj ndihme, ose të bëjmë diçka... secili më ka thënë rrëzoje ore”, kujton ai.
“Do të thotë për to [institucionet], nuk ka pasur vlerë, por se çfarë ndodhi përnjëherë që u bë i vlefshëm, nuk e di”, thotë Vejsa, duke komentuar një vendim të Qeverisë së Kosovës që objektin e ish-Pandës ta fusë nën mbrojtje të përhershme.
Me shpalljen e këtij vendimi, në tetor të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se lokali do t’i shërbejë kujtesës kolektive për krimin që, sipas tij, është bërë nga Serbia.
Sot, shumë larg vendit që dikur e quante shtëpi, Ristiq thotë se në jetë i ka mbetur vetëm shpresa.
“Unë besoj thellë se e vërteta dhe drejtësia do ta shohin dritën. Është thjesht çështje kohe”.