Ndërlidhjet

VMRO DPMNE kërkon votimin e mocionit për rrëzimin e qeverisë 


Foto nga arkivi - Kuvendi i Maqedonisë
Foto nga arkivi - Kuvendi i Maqedonisë

Me akuzat se qeveria aktuale e Maqedonisë “është kriminele”, partia opozitare VMRO DPMNE ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev.

“Kjo qeveri është kriminale, ndërkohë që gjyqësori punon nën direktivë të pushtetit, përderisa ekonomia e vendit është në kolaps të plot”, thuhet në arsyetimet e partisë maqedonase në opozitë VMRO DPMNE në lidhje me kërkesën në Kuvend për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Maqedonisë.

Debati rreth këtij mocioni ka kthyer deputetët e VMRO DPMNE-së në Kuvend pasi që kanë kaluar disa muaj që kur ata kanë bojkotuar punën e institucionit ligjdhënës.

Deputeti i VMRO DMNE-së, Dragan Donev duke numëruar siç tha ai, dështimet e kësaj qeverie, ka theksuar se qeveria e kryeministrit Zoran Zaev duhet të bjerë që të shpëtoj Maqedonia si shtet.

Donev tha se kjo përbërje qeveritare po bën një revanshizëm të paparë politik duke arrestuar deputetët e opozitës pa marrë parasysh imunitetin e tyre.

“Vendi ka përjetuar cunami ekonomik me qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev. Jo vetëm VMRO DPMNE, por të gjithë qytetarët thonë se kjo përbërje qeveritare nuk vlen. Këta nuk janë të aftë”, tha Donev.

“Në vitin 2017 kishte zero për qind rritje ekonomike, derisa të gjitha vendet tjera të rajonit kanë shënuar rritje ekonomike. Kur LSDM-ja është në pushtet nuk ka rritje të pagave dhe pensioneve. Njerëzit nuk kanë para. Pas shumë viteve, Republika e Maqedonisë po shënon rënie”, tha ai.

Deputeti i VMRO DPMNE-së Dragan Donev ka drejtuar akuza ndaj dy partive në pushtet, LSDM-së së kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik për Integrim të udhëhequr nga Ali Ahmeti. Ato ai i ka akuzuar se kanë shkelur rregulloren e punës së institucionit ligjdhënës gjatë miratimit të Ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç tha ai “vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë koalicioni qeverisës”.

Nga ana tjetër social demokratët e kryeministrit Zoran Zaev e kanë cilësuar mocionin si mundësi për të treguar të arriturat e deritanishme të Qeverisë.

Deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Tomisllav Tuntev tha se mocioni po shfrytëzohet nga VMRO DOMNE si shkas për t’u kthyer në Kuvend.

“Kërkesa për mosbesim të qeverisë është një dëshpërim i madh i VMRO DPMNE-së sepse kjo parti debatin e shfrytëzon si arsyetim që të kthehet në Kuvend. Pra, do të thosha se në këtë mënyrë deputetët e opozitës synojnë të kthehen përmes ‘derës së madhe’ në Kuvend. Por, dera e madhe duhej të nënkupton debat rreth ligjeve reformuese dhe debat rreth planit 3-6-9, debat që ky plan të bëhet realitet”, tha deputeti i LSDMS-së, Tomisllav Tuntev.

Ai tha po ashtu se në vend të mosbesimit të qeverisë deputetët e opozitës duhet të fokusohen në ligjet reformuese që vendi të ecë me hapa të sigurt në drejtim të integrimeve euroatlantike, rrugë kjo në të cilën Maqedoninë si shtet e ka kthyer pikërisht qeveria aktuale.

Debati për mosbesimin e qeverisë duhet të përfundojë deri në mesnatën e së mërkurës kur dhe duhet të realizohet votimi.

Megjithatë, vlerësimet janë se ka pak gjasa që mocioni të kalojë sepse për të votuar pro- mosbesimit të qeverisë, nevojiten 61 vota nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë, përderisa VMRO-ja në zgjedhjet e fundit siguroi ulëse për 51 deputetë, por tre deputetë prej tyre kanë dalë si të pavarur. Kështu që grupi i tyre parlamentar ka mbetur me 48 deputetë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG