Ndërlidhjet

Putin: Të dyshuarit për Rastin Skripal nuk janë "kriminelë"


Presidenti rus, Vladimir Putin
Presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se nuk ka “asgjë kriminale” lidhur me dy burrat e emëruar nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, si të dyshuar për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia.

Autoritetet britanike kanë identifikuar të dyshuarit si, Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, që besohet se janë zyrtarë të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Rusisë (GRU).

Kamerat e Sigurisë kishin incizuar Ruslan Boshirov dhe Aleksandr Petrov duke ecur në Sallsbëri më 4 mars, 2018.
Kamerat e Sigurisë kishin incizuar Ruslan Boshirov dhe Aleksandr Petrov duke ecur në Sallsbëri më 4 mars, 2018.

Putin nuk ka dhënë asnjë shenjë se do t’i ndihmojë Britanisë për t’i kapur të dyshuarit, përderisa në fytyrën e tij mund të vërehej qartë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Rusia vazhdimisht kundërshton përfshirjen në helmim, çka ka rezultuar me tensionim të marrëdhënieve në mes të Rusisë dhe Perëndimit.

Mirëpo, Putin ka thënë se të dy personat janë civilë dhe se do të tregojë rrëfimin e tyre shumë shpejtë.

Ish-spiuni rus dhe vajza e tij Yulia janë helmuar në Sallsbëri në muajin mars me agjent nervor.

“Ne e dimë kush janë ata dhe i kemi gjetur”, ka thënë Putin në qytetin lindor, Vladivostok.

“Shpresoj se ata do shfaqen dhe do t’i tregojnë të gjitha. Kjo do të ishte më e mira për të gjithë. Nuk ka asgjë të veçantë këtu, asgjë kriminale, ju siguroj. Do ta kuptojmë në një të ardhme të afërt”, ka shtuar ai.

Scotland Yard dhe Shërbimi i Prokurorisë britanike kanë thënë se ka të dhëna të mjaftueshme për të akuzuar të dy personat, të cilët është vërtetuar se kanë udhëtuar në Londër nga Moska më 2 mars me pasaporta ruse.

Helmet që rrëzojnë kritikët e Kremlinit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:08:00 0:00

Dy ditë më vonë, policia ka thënë se ata kanë hedhur agjent nervor, Noviçok, para derës së Skripalëve, në Sallsbëri, para se të udhëtonin sërish në Rusi po atë ditë.

Policia beson se dy të dyshuarit kanë përdorur një shishe të modifikuar të parfumit për të hedhur helmin në derën e ish-agjentit Skripal.

Sekretari i Brendshëm britanik, Sajid Javid, ka paralajmëruar burrat, që besohet se janë rreth moshës 40-vjeçare, se do të kapen dhe ndiqen penalisht nëse ndonjëherë dalin nga Rusia.

Mirëpo, ekstradimi i tyre nuk mund të ndodhë, pasi Kushtetuta e Rusisë e ndalon një gjë të tillë.

Ministri britanik i Sigurisë, Ben Wallance, pati thënë më 6 shtator se Putin mban përgjegjësinë përfundimtare për helmimin pasi “është Qeveria e tij ajo që kontrollon, financon dhe drejton inteligjencën ushtarake”.

Ndërkohë, autoritetet kanë njoftuar për lëshimin e një urdhërarresti evropian, në mënyrë që ata të ndalohen nëse udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Policia po ashtu është duke lidhur këtë rast me një tjetër helmim me Noviçok më 30 qershor, pasi Dawn Sturgess dhe Charlie Rowley janë sëmurë në Eimsbëri, shumë afër Sallsbërit.

Si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, Sturgess ka vdekur në spital më 8 korrik.

Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Kanadaja janë pajtuar me Mbretërinë e Bashkuar se Qeveria ruse “pothuajse me siguri” ka miratuar helmimin me Noviçok në Sallsbëri.

Ata i kanë bërë thirrje Rusisë të shpalosë në tërësi programin e saj me Noviçok.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG