Ndërlidhjet

Vijat e kuqe të dialogut


Kosova duhe t’i vendosë vijat e saj të kuqe në dialogun me Serbinë thonë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë. Sipas tyre, vijat e kuqe, nënkuptojnë përcaktimin e temave dhe çështjeve të cilat nuk mund të hapen fare për diskutim në këtë fazë të dialogut.

Megjithatë, potencohet edhe fakti që temat dhe vijat e kuqe apo të gjelbra në këto bisedime, nuk i caktojnë vetëm palët, në këtë rast Prishtina e Beogradi, por i cakton edhe faktori ndërkombëtar, përkatësisht Bashkimi Evropian si lehtësues i bisedimeve.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas zyrtareve të institucioneve të Kosovës, ka hyrë në fazën finale të bisedimeve dhe siç theksojnë ata, ky proces duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për të dyja palët.

Analistët politikë thonë se gjatë këtij procesi Kosovës i duhen edhe vijat e kuqe.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se procesi i dialogut nuk mund të vazhdojë pa pasur vija të kuqe për Serbinë. Ajo thotë se në radhë të parë, Kosova duhet t’i vë vijat e kuqe Serbisë në lidhje me negociatat për integritetin territorial.

"Vijat e kuqe për shtetin e Kosovës janë pavarësia e saj, pra integriteti territorial i shtetit të Kosovës, është funksionimi unitar i brendshëm i shtetit të Kosovës si dhe përfaqësimi i saj në arenën ndërkombëtare si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera”.

“Këto do të duhej të ishin tri vijat e kuqe të shtetit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të jenë pjesë e diskutimit apo e tryezës së bisedimeve në fazën finale të dialogut", tha Krasniqi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë biseduar muajin e kaluar në Bruksel për një kornizë e cila do të dërgonte në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes dyja vendeve. Derisa presidenti Thaçi është shprehur optimist sa i takon përfundimit të këtij procesi, presidenti serb, Vuçiq e ka quajtur proces të vështirë.

Analisti politik, Agon Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë dialogu po hyn në fazën finale dhe se të dyja shtetet mund të detyrohen të bëjnë edhe lëshime.

"Po hymë në fazën ku sipas marrëveshjes, Serbia duhet të bëjë ndryshim kushtetues për ta hequr Kosovën prej Kushtetutës së vet dhe tani është një lloj pritje që edhe Kosova të bëj ndonjë lëshim dhe ky lëshim a do të jetë diçka simbolike apo diçka përmbajtjesore".

"Te kjo pjesa përmbajtjesore është ajo çështja e vijave të kuqe, se a do të jetë asociacioni me kompetenca të atilla, për shembull që të kalojnë kornizën e sotme kushtetuese dhe të kërkojë ndryshime kushtetuese, apo është ai skenari tjetër i cili nuk po vdes së përmenduri, i ndarjes apo ndryshimit të kufijve, që padyshim pastaj e ndryshon lojën së tepërmi", tha Maliqi.

Ai thekson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund edhe të bëhet brenda disa kornizave që e ruajnë funksionimin e Kosovës, por çështje tjetër mbeten vijat e kuqe në lidhje me ndryshimin e kufijve.

"Se a duhet të ketë asociacion apo jo, besoj se mund të bëhet brenda disa kornizave që e ruajnë funksionalitetin në Kosovë dhe vija tjetër e kuqe rreth çështjes së ndarjes, kjo nuk do të jetë vijë e kuqe të cilën e caktojnë Kosova dhe Serbia, por do të jetë vijë të cilën e cakton bashkësia ndërkombëtare", tha Maliqi,

Ndërkaq, analistja Jeta Krasniqi thekson se në këtë fazë të dialogut politik, një rol kryesor duhet ta ketë edhe Kuvendi i Kosovës. Sipas saj, për këtë çështje duhet të ketë një konsensus të të gjitha partive politike në vend.

"Ky proces duhet të shkojë në bashkërendim mes institucioneve dhe të ketë një konsensus sa më të gjerë mes partive politike. Kosova në këto bisedime duhet të shkojë për të përmbyllur njëherë e mire të gjithat çështjet që i ka të hapura me Serbinë duke marrë njohjen reciproke, duke zgjidhur njëherë e mirë çështjen me pesë shtete jo njohëse të BE-së dhe garancitë për perspektivën evropiane si dhe anëtarësimin e saj si anëtare me të drejta të plota në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare", tha Krasniqi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shfaqur si fakt i domosdoshëm që është dashur të ndodhë, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Arritja e një marrëveshje juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përveç zgjidhjes së problemeve ndërmjet dy vendeve, do ta lehtësonte edhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Analistët kanë vlerësuar se bilanci i dalë nga dialogu Kosovë - Serbi, gjatë viteve, nuk mund të shihet si krejtësisht pozitiv apo si krejtësisht negativ për Kosovën.

Si rezultat i dialogut Kosovë- Serbi, kjo e fundit ka përfituar nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG