Ndërlidhjet

Vetëvendosja e të pakënaqurve


Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, i cili u largua nga Lëvizja Vetëvendosje
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, i cili u largua nga Lëvizja Vetëvendosje

Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, është anëtari i fundit që në shenjë pakënaqësie, ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje. Ky subjekt politik, aktualisht përfaqëson partinë më të madhe opozitare me 32 ulëse në Kuvend. Por, këta muajt e fundit, Vetëvendosje është tronditur nga numri i madh i dorëheqjeve, duke e vënë në pikëpyetje të madhe ruajtjen e unitetit të brendshëm.

Dorëheqja e Ahmetit, po komentohet në dy mënyra. E para, po shihet si formë presioni mbi liderin e tashëm Albin Kurti, që të tërhiqet nga posti i kryetarit të Vetëvendosjes për t’u krijuar kështu rrethanat që të dy blloqet të ulen dhe gjejnë një zgjidhje dhe kompromis. Dhe, së dyti, dorëheqja e Ahmetit shihet edhe si mundësi serioze që ai të vihet në ballë të grupit të personaliteteve të pakënaqura, që kanë dhënë dorëheqje nga partia, dhe të formojnë një subjekt të ri politik.

Ahmeti dorëheqjen e tij e ka arsyetuar në një letër që e ka dërguar për mediat.

“Sikurse edhe ju, qytetarë të nderuar, muajt e fundit kam vëzhguar një debat me dëme të pariparueshme për Lëvizjen Vetëvendosje, të cilin as armiqtë më të mëdhenj të LVV-së e të shtetit nuk do të mund as ta dizajnonin e as imagjinonin. Ende sot nuk po mund të besoj se ky debat ka ndodhur në mes të njerëzve që deri dje kanë qenë të gatshëm të vdesin për njëri-tjetrin”, ka shkruar mes tjerash Ahmeti.

Derisa, anëtarët e larguar nuk duan të flasin për largimin e Shpend Ahmetit e as për largimin e tyre nga Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje tha se largimi i Shpendit Ahmetit, nuk ka qenë lajm befasues.

"Qytetarët e Prishtinës, aktivistët e Vetëvendosjes nuk e kanë merituar dorëheqjen e tij dhe sigurisht që e konsideroj se është e padrejtë, por ndonëse jo të befasishme, sepse tash e sa kohë ka pasur deklarata se ai do të dalë sot, do dalë nesër, andaj është bërë e lodhshme gjithë kjo situatë", tha Haxhiu.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se “fatkeqësisht Shpendi ka zgjedhur që të mbajë anën e atyre personave që për më gjatë se një vit e gjysmë punojnë brenda Lëvizjes, kundër Lëvizjes”.

Përplasjet në Vetëvendosje kanë dalë në sipërfaqe qysh në muajin dhjetor, pas publikimit të bisedave private ndërmjet disa deputetëve të këtij subjekti politik, ku ka pasur edhe shprehje fyese të drejtuara ndaj kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti.

Deputetja Haxhiu tha se Lëvizjen Vetëvendosje e presin sfida të mëdha e puna shumë, por siç tha ajo, ato do të kalohen pavarësisht dorëheqjeve që janë bërë e që mund të ketë.

"Nuk e di se si do të shkojë situata tutje. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që Vetëvendosje tash së voni ka zgjedhur kryetarin e saj. Jemi duke punuar në qendrat e pikat tona ku i kemi. Duhen ndryshime rrënjësore përbrenda qendrave dhe pikave të cilat i kemi në Kosovë dhe jashtë",tha Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se largimi i Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë i pritur, pavarësisht dëmeve që i ka shkaktuar subjektit nga i cili tashëm është larguar.

"Natyrisht që largimi i zotit Ahmeti është një dëm i madh që i shkaktohet Lëvizjes Vetëvendosje, po është edhe një të them fitore e madhe e grupit të pakënaqurve. Unë pres që ai t'i bashkohet subjektit të ri politik. Ky veprim i zotit Ahmeti besoj që përnjëmend e vulos ndarjen në Vetëvendosje, një ndarje që është formësuar si e tillë në javët e fundit dhe tash ka marrë edhe formën përfundimtare", tha Mushkolaj.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje thotë se "Shpend Ahmeti ka qenë një prej figurave më të respektuara prej Lëvizjes, dhe kontributor i madh në disa rezultate të mira elektorale. Por, si të gjithë ne, edhe ai ka fituar nga Lëvizja më shumë se ç’i ka dhënë Lëvizjes", thuhet në komunikatë.

Nga postet udhëheqëse në këtë subjekt politik kanë dhënë dorëheqje ish-kryetari, Visar Ymeri, ish-Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj dhe zyrtarët tjerë, Aida Dërguti, Shqipe Pantina, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Driton Çaushi e të tjerë.

Për shkak të krijimit të dy blloqeve politike, ishte pikërisht Shpend Ahmeti që bashkë me deputetin Glauk Konjufca kishin marrë si mision negociatat e brendshme për tejkalimin e ndasive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG