Ndërlidhjet

Veshja mirditore - trashëgimia e një kulture që jeton edhe sot


Veshja mirditore.
Veshja mirditore.

Në restorantin e tij në Perlat të Mirditës në Shqipërinë veriore, Ermal Duka ka ekspozuar veshjen mirditore që gjyshja e tij e ka veshur ditën e dasmës, 120 vjet më parë.

Ai duket se ia ka ditur vlerën përpara se veshja mirditore të shpallej “vlerë kombëtare”.

Ky vendim u miratua në dhjetor të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore të Shqipërisë, ndërsa propozimi u bë nga Unioni “Mirdita”. Pjesë e grupit për përgatitjen e dosjes ishin historianë, juristë, akademikë dhe etnologë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, tha atëkohë se kjo veshje e mbushur me simbole mitike e kulti “e ka shoqëruar me shekuj gruan e krahinës së Mirditës”.

Mirdita është një rajon në Qarkun e Lezhës, rreth 85 kilometra në veri të Tiranës, dhe ka rreth 27.000 banorë.

Një pamje e xhupit të zbukuruar me motive shqiptare.
Një pamje e xhupit të zbukuruar me motive shqiptare.

Veshja mirditore 120-vjeçare tërheq turistë të huaj

Ermali thotë se prej se ka ngritur biznesin e tij, vite më parë, e ka menduar edhe ekspozimin e kësaj veshjeje, që e konsideron të shenjtë.

“Ideja e ekspozimit të veshjes ka ecur paralelisht me idenë e ndërtimit të agro-turizmit. Ekspozimi i saj është traditë e çdo mirditori në çdo hapësirë ku i jepet mundësia. E kemi të shenjtë si veshje, ka qëndruar aq autoktone sa vetë treva”, thotë Ermali për Radion Evropa e Lirë.

Pamje nga ekspozita për veshjen mirditore.
Pamje nga ekspozita për veshjen mirditore.

Veshja, sipas tij, transmeton të bukurën dhe të dinjitetshmën. Është “trashëgimi iliro-arbërore dhe shqiptare ndër shekuj”, thotë ai.

Ermali synon që, më vonë, në ambientet e biznesit të tij të ketë edhe një muze, ku do të ekspozojë veshje të vjetra origjinale mirditore, por edhe gjëra të tjera të përdorura dhe trashëguara ndër breza.

Ai tregon se veshja mirditore, e vendosur në restorantin e tij, zgjon interesin e shumë turistëve, kryesisht atyre të huaj.

“Duke qenë unike dhe e pandikuar nga huazimet ballkanike dhe më gjerë, zgjon interes të madh te turistët që vijnë nga treva të tjera jashtë Mirditës. Restoranti është në një pikë të rëndësishme kalimi në zona të tjera dhe vizitohet edhe nga të huajt. Ata e kanë shumë të lartë interesimin për ta parë këtë veshje dhe pjesët e saj, për ta fotografuar, për të mësuar sa më shumë për të...”, rrëfen Ermali.

Çorapet e veshjes mirditore me motive shqiptare të punuara me dorë.
Çorapet e veshjes mirditore me motive shqiptare të punuara me dorë.

Tridhjetë vjet duke punuar veshjen mirditore

Drane Fizi nga ky rajon qep rroba mirditore tash e 30 vjet. Ajo e kujton se gjyshja dhe nëna e saj e kanë mbajtur gjithnjë këtë veshje në përditshmërinë e tyre.

“Pjesët e saj janë gryka [këmisha e bardhë me qëndisje], fundi, tlinat... Këto janë pjesët e pambukta, ndërsa të leshtat janë xhahengu, xhupi dhe xhurdini - që përdorej në raste morti - pastaj xhamadani, qemeri dhe stravecja, ashtu si dhe kësula me strengla që vendosen në kokë, pasi që të rregullohen flokët me dy gërsheta... Pjesë tjetër janë edhe çorapet dhe opingat”, shpjegon Dranja.

Ajo tregon se për ta përfunduar një veshje mirditore, duhet një kohë e gjatë.

“Për t’i bërë rrobat e pambukut duhet një muaj ose pak më shumë, ndërsa për xhupin, xhahengun dhe xhurdinin duhen vite... Unë habitem se si e bënin nënat tona, sidomos xhupin, sepse ka shumë punë”, thotë artizania.

Sipas saj, simbolet që përdoren janë të shumtë: kryqi, forma e gjarprit, e lules, e zogut e të tjera.

Simbole të punuara me dorë te xhupi (jeleku i gjatë), pjesa kryesore e veshjes mirditore.
Simbole të punuara me dorë te xhupi (jeleku i gjatë), pjesa kryesore e veshjes mirditore.


Ajo tregon se edhe mënyra se si vishet, është e veçantë dhe ka radhën e vet.

“Fillimisht vishen tlinat, pastaj fundi dhe gryka. Vendoset çemeri dhe shtrëngohet në bel, vishet xhamadani, xhahengu me mëngë të gjata, xhupi që është prej leshi dhe pa mëngë... thuren gërshetat dhe vendosen sipër kokës, pastaj vendosen kësula e strengla”, thotë Dranja.

Tregon, po ashtu, se veshjes nuk i mungojnë as bizhuteritë në qafë dhe gjoks, si dhe vëthët e veçantë.

Thotë se, viteve të fundit, kjo veshje po kërkohet gjithnjë e më shumë, pasi që përdoret në dasma, ditëlindje e ceremoni të tjera. Sipas saj, kërkohet edhe nga shqiptarë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është ruajtur origjinale”

Etnologia shqiptare, Afërdita Onuzi, thotë se veshja mirditore ka vlera të jashtëzakonshme.

Shpallja si vlerë kombëtare ka, sipas saj, vlera jo vetëm për veshjen, por edhe për shumë objekte e dukuri që lidhen me të.

“Janë disa elemente shumë specifike, siç është ‘xhupja’ [pjesë e veshjes mirditore që përdoret në ceremoni, por edhe në dimër, pasi është e trashë] që dokumentojnë një periudhë kur kombi nisi të merrte formën e tij të plotë të organizimit të një shteti. Kjo veshje përkon me kufijtë e përhapjes së shtetit të Arbrit të shekullit XII-XIII”, thotë etnologia.

E gjithë veshja, sipas saj, ka simbole të periudhave të ndryshme, por më interesantja për të mbetet “xhupja”, apo “xhahengu”, siç i thonë mirditorët.

“Ajo ka një ngarkesë dekori shumë të pasur dhe interesante. Ka një shqiponjë të stilizuar, që herë interpretohet si shqiponja e kohës së Arbrit, e herë interpretohet nga studiuesit si ‘kryq i fshehtë’, i përpunuar për të ruajtur identitetin në kohën e pushtimit turk”, thotë Onuzi.

Qemeri - brez i punuar me dorë dhe i zbukuruar me tufa.
Qemeri - brez i punuar me dorë dhe i zbukuruar me tufa.

Etnologia vlerëson, po ashtu, faktin se kjo veshje është ruajtur origjinale siç ka qenë dhe se nuk është “denatyruar”, siç ka ndodhur me disa kostume të tjera popullore.

“Duke u shpallur vlerë - edhe pse gratë që e riprodhojnë janë shumë të kujdesshme, i kanë ruajtur elementet origjinale krahasuar me krahinat e tjera - artizanet do të angazhohen akoma më shumë në ruajtjen e çdo elementi autokton”, thotë Onuzi.

Sipas saj, veshja popullore sot përdoret nga grupet artistike, por edhe në dasma, sidomos në veri të Shqipërisë, por edhe në Kosovë.

Me këto veshje nuk shfaqen vetëm nusja e dhëndri, por edhe dasmorët, thotë ajo. Ruajtja e të gjitha elementeve të saj është detyrë, sipas saj.

“Sot, për fat të keq, ka disa ‘denatyrime’, shpesh dëshpëruese, në riprodhimin e kostumeve popullore. Por, Mirdita e ka ruajtur shumë mirë dhe shpresoj të vazhdojë”, thotë Onuzi për Radion Evropa e Lirë.

Ekspozita për veshjen mirditore e hapur në Tiranë.
Ekspozita për veshjen mirditore e hapur në Tiranë.

“Veshja mirditore e ka vendin në UNESCO”

Interes për ta studiuar veshjen mirditore, sipas Onuzit, përbëjnë edhe teknikat e qëndisjes së saj, të qepjes me fije, me shumë ngjyra e me bizhuteri.

Ajo shfaq shpresën që kjo veshje, një ditë, të shkojë “atje ku e ka vendin” - në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, UNESCO.

“Nëse plotësohet mirë dosja, vërtetohet shkencërisht, do ta marrë vendin që i takon, do të mbrohet nga UNESCO-ja. Duhet të dokumentohet sa më mirë, me gjithë tiparet e saj, edhe historia e zhvillimit të kësaj veshjeje, edhe dijebërja e saj”, shprehet etnologia.

Në muajin dhjetor, nën mbrojtje të UNESCO-s është futur shtegtimi i bagëtive në Shqipëri.

Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s janë edhe: Gjirokastra, Butrinti, Berati, Liqeni i Ohrit, Lumi i Gashit në Luginën e Valbonës, si dhe xhubleta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG