Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar se do të prezantojë së shpejti kabinetin e ri qeverisës, i cili sipas tij do të merret me çështjet më të rëndësishme për vendin.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës janë paraqitur në një konferencë të përbashkët, pasi që Kuvendi zgjodhi Kadri Veselin në postin e kryetarit dhe më pas, presidenti Hashim Thaçi e mandatoi për kryeministër Haradinajn.
Me këtë rast, Haradinaj tha se pret që Kuvendi ta votojë Qeverinë e re, e cila sipas tij, do të jetë e qëndrueshme.
Ndërkaq, kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Kadri Veseli tha se faza e formimit të institucioneve të reja po përmbyllet dhe se konstituimi i Kuvendit ishte hapi i parë i rëndësishëm.
Ai ka përsëritur se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe ftoi partitë politike për unitet e bashkëpunim për tu përballë me shumë sfida në rrugën e integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO.
Veseli dhe Haradinaj kanë folur dhe në lidhje me qëndrimet e Listës Serbe, e cila për pjesëmarrje në Qeverinë e re kanë paralajmëruar se do të konsultohen fillimisht me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, siç tha Veseli, nuk bëhet fjalë për kushte e kushtëzime, ngase edhe Lista Serbe është pjesë e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës.
Haradinaj, pritet që të prezantojë para Kuvendit të Kosovës Qeverinë e re, e cila duhet t’i marrë të paktën 61 vota të deputetëve për tu zgjedhur.
Koalicioni i ri përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe Aleanca Kosova e re si dhe pakicat serbe dhe ato joserbe.