Zhvillime të reja politike kanë dalë në dritë vetëm një ditë para se të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila ka filluar, po ka mbetur e papërfunduar që nga 3 gushti.
Në mungesë të një marrëveshjeje me ndonjë subjekt politik, subjekti fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ka paralajmëruar sërish se mund të mungojë në seancë. Ngjashëm kishte vepruar edhe gjatë seancave të thirrura javët e fundit, për shkak se nuk arriti t’i sigurojë të paktën 61 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, pas një takimi konsultativ me shumicën e partive politike, me kërkesën e vet koalicionit PAN, e ka caktuar datën 24 gusht për vazhdimin e seancës.
Por, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ka thënë se ende janë në konsultime me partitë politike dhe se nuk ka një marrëveshje konkrete me Aleancën Kosova e Re apo ndonjë subjekt tjetër politik, rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.
Sipas tij, edhe të enjten, kur është caktuar vazhdimi i seancës konstituive, mund të ndodh që deputetët nga koalicioni PAN (PDK, AAK dhe Nisma) të mos jenë të pranishëm.
"Jemi ende në përpjekje që nesër të jemi në seancë. Ekziston mundësia reale që edhe nesër të mos mund të fillojmë. Me këto shtyrje e fitojmë në një aspekt tjetër kohën, për shkak se e bëjmë gati një nisje që do të jetë më gjithëpërfshirës e qëndrueshme", tha Haradinaj në një konferencë për media në AAK, derisa ka prezantuar kandidatët për kryetar të komunave.
Ai tha po ashtu se kjo vonesë nuk po ndodh vetëm për shkak të një mosmarrëveshje me AKR-në, por, siç tha ai, po synohet në një Qeveri më gjithëpërfshirës, e cila mund t’i çonte përpara çështjet dhe temat e rëndësishme për vendin.
"Një Qeveri gjithëpërfshirës, një Qeveri e aftë që t’iu bëj ballë temave që e presin vendin është interes i vendit dhe për këtë jemi kështu sot. Vet shprehi keqardhje për këtë vonesë edhe më vjen keq që po vonohemi dhe nuk besoj që është diçka e mirë vendin, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se Kosova, populli i Kosovës, na obligon që të veprojmë", tha Haradinaj.
Aleanca Kosova e Re e cila drejtohet nga afaristi i njohur Behgjet Pacolli, ka konfirmuar se nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me koalicionin PAN.
Më herët gjatë këtyre ditëve u tha se Haradinaj dhe Pacolli kishin arritur në parim një marrëveshje, që të zgjidhet problemi për krijimin e institucioneve të reja.
Mirëpo, zëvendëspresidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleanca Kosova e Re, Vesel Makolli tha për Radion Evropa e Lirë se AKR-ja nuk ka deri më tash asnjë marrëveshje me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.
Makolli deklaroi se deputetët e AKR- së nesër do të jenë në seancë, por nuk do të votojnë për kandidatin për kryetar të Kuvendit nga koalicioni PAN.
"Me sa e di unë koalicioni PAN, nga ne nuk i ka votat. Qëndrimi ynë nuk është për ta votuar dhe besoni se nuk ka marrëveshje", tha Makolli.
Ai ka shtuar se lideri i partisë, Behgjet Pacolli ka sugjeruar që të gjithë liderët e subjekteve politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, të angazhohen për të dalë nga kjo gjendje, e cila ka bllokuar procesin e formimit të institucioneve të reja.
"Nuk ka marrëveshje. Këtu në Ballkan po keqinterpretohen gjërat, po nxirret nga konteksti një konkluzion apo një qëndrim. Ne e kemi thënë, atë që duhet të gjendet një zgjidhje. Sidomos ky apel vlen për opozitën e cila po rrinë në istikamet e veta. Kemi 61 deputetë, e këta nuk lëvizin nga vendi. Prandaj nuk ka qenë vendim që ad-hok të shkohet. Kjo është keqinterpretuar apo keqkuptuar, nuk e di", tha Makolli.
AKR ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në kuadër të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe subjektin Alternativa.
Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati thënë më 11 gusht se Kosova brenda 10 ditëve të ardhshme do të ketë institucionet e reja.
Ai pati thënë se me mbështetjen e partisë politike Aleanca Kosova e Re, Kosova do të ketë një Qeveri gjithëpërfshirëse.
Ndryshe, Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka propozuar me anë të një letre publike që, nëse PAN e bojkoton seancën apo nëse refuzon të paraqesë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit më 24 gusht, atëherë të propozohet një kandidat tjetër nga parti politike që do të marrin pjesë në seancë dhe ta votojnë atë.
"Nëse kandidati i paraqitur nga PAN nuk do të marrë votat e duhura, atëherë, kandidati i përbashkët do të mund të votohet në të njëjtën seancë”, ka shkruar Kurti në një letër publike të titulluar “Si të dalim nga bllokimi”.
Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i propozon të gjitha partive politike që udhëhiqen prej interesit publik dhe që synojnë ta mbrojnë e jo ta dëmtojnë demokracinë e Kosovës, që të bashkohen në këtë nismë.
Sidoqoftë, vazhdimi i seancës është thirrur për të enjten, më 24 gusht, ndonëse nuk dihet nëse aty do të zgjidhet më në fund nyja politike rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, si hapi i parë drejt nisjes së procedurave për formimin e Qeveris së re.