Veriu përballë largimeve të serbëve nga institucionet
Në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok), zyrtarët serbë kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Largimi i tyre vjen në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e një plani prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS - Republika e Kosovës.

5
Serbët po kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës prej tri fazash. Në fazën e parë, shoferët me targa serbe (sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme) do të qortohen, në fazën e dytë do të gjobiten me nga 150 euro, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targat provuese. Pas 21 prillit, ekzekutivi në Prishtinë ka thënë se vetëm makinat me targa RKS do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës.

6
Zyrtarët serbë në Kosovë e kanë cilësuar vendimin për targat si vendim të drejtuar kundër "serbëve në Kosovë". Policët, prokurorët dhe gjykatësit serbë ishin integruar në strukturat e Kosovës më 2013, pas një marrëveshjeje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve.

7
Autoritetet kanë thënë se deri më tani kanë pranuar dorëheqjen e afër 600 zyrtarëve policorë në veri nga radhët e komunitetit serb.

8
Gjyqtarët dhe prokurorët që dorëzuan dorëheqjen më 7 nëntor, thanë se ky ishte një largim "emocionues". Ata thanë se kanë bashkëpunuar mirë me kolegët shqiptarë në veri, dhe ua kanë lënë atyre lëndët që janë më me urgjencë.