Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën vdekjen e një punëtori të kompleksit metalurgjik “Trepça” në ambientet e ndërmarrjes.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi në ambientet e punës.
“Policia ka pranuar informatën se në vendin e tij të punës, brenda kompleksit industrial ‘Trepça’, është gjetur pa shenja jete viktima mashkull, 58-vjeçar. Hetuesit policorë, me autorizim të prokurorit, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ka thënë mes tjerash Zahiti.
Kompleksi metalurgjik Trepça gjendet në Komunën e Mitrovicës dhe ka rreth 1.300 punëtorë.
Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.
Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.