Ndërlidhjet

Kosova pa vaksinë kundër rotavirusit


Një fëmijë duke luajtur në sheshin Skenderbeu në Prishtinë. Fotografi ilustruese.
Një fëmijë duke luajtur në sheshin Skenderbeu në Prishtinë. Fotografi ilustruese.

Vaksina kundër rotavirusit nuk është në Kalendarin e Obliguar të Vaksinimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (ISHPK).

Sipas ekspertëve shëndetësorë, rotavirusi është një infeksion që përhapet lehtësisht te foshnjat dhe fëmijët. Ai mund të shkaktojë diarre të rëndë, të vjella, ethe, temperaturë dhe dhimbje barku.

Të prekurit me rotavirus mund të dehidratohen dhe të kenë nevojë për t’u shtruar në spital.

Arbnore Batalli Këpuska, pediatre në Kliniken Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se rastet e fëmijëve me rotavirus janë të shpeshta sidomos në sezonin e verës dhe dimrit.

Sipas saj, të prekurit janë kryesisht fëmijë të moshës parashkollore.

“Në Klinikën e Pediatrisë, rastet me barkqitje dhe vjellje bëjnë pjesë në grupin e dytë të sëmundjeve, sa u përket patologjive të paraqitura te fëmijët”, thotë Batalli Këpuska për Radion Evropa e Lirë.

Në repartin e gastroenterologjisë në Klinikën Pediatrike, gjatë këtij viti, kanë qenë të hospitalizuar 814 fëmijë - prej tyre, 21 kanë qenë të konfirmuar me rotavirus.

Shefja e repartit, Teuta Hoxha Kamberi, thotë se jo të gjithë fëmijët me simptoma janë testuar për rotavirus, për shkak të “ngarkesës në IKSHPK me testimet për sëmundjen COVID-19”.

Statistikat në shëndetësi, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se shkalla e të infektuarit me rotavirus në Kosovë, viteve të fundit, ka shënuar rritje.

Në vitin 2019, shkalla e të infektuarve në 100.000 banorë ka qenë 15 për qind; më 2018 ka qenë 10.4 për qind dhe më 2017 ka qenë 9.2 për qind.

Ekspertët shëndetësorë thonë se infektimi me rotavirus mund të ndodhë nga çdo kontakt me lëngjet trupore të dikujt që është i infektuar, të tilla si teshtitja, apo edhe nga prekja e dorezave të derës ose lodrave që një fëmijë i infektuar i ka prekur.

Mënyra më e mirë për mbrojtjen e fëmijëve kundër rotavirusit është vaksinimi, thotë Hamdi Ramadani, kryetar i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës.

Sipas tij, ky infeksion, lehtë i transmetueshëm, shpesh kalon në epidemi, sidomos në stinën e dimrit.

Ai thotë se IKSHPK-ja duhet ta bëjë të obligueshme vaksinën kundër rotavirusit, sa më shpejt që është e mundur, pasi, sipas tij, ajo është treguar shumë efektive në vendet ku aplikohet.

“Dhënia e vaksinës duhet të ndodhë sa më herët që është e mundur... Kjo ul shkallën e sëmundjes dhe vdekshmërinë deri në 80 për qind të rasteve. Kosova, për fat të keq, nuk e ka të miratuar ende këtë vaksinë, por besojmë dhe shpresojmë që ta miratojë, pasi është edhe rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të bëhet vaksinimi kundër rotavirusit”, thotë Ramadani.

Dy vaksina kundër rotavirusit janë të licencuara për foshnjat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në disa vende të Evropës, përfshirë disa të Ballkanit.

Në kalendarin e vaksinimit në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, kjo vaksinë është përfshirë në vitin 2019.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksina kundër rotavirusit është aplikuar në 118 vende deri në vitin 2021. Të dyja dozat jepen me pika në gojën e fëmijës. Doza e parë e secilës vaksinë duhet të jepet para se fëmija të jetë 15-javësh. Fëmijët duhet t’i marrin të gjitha dozat e vaksinës kundër rotavirusit para se t’i mbushin 8 muaj.

Sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), shumica e fëmijëve - rreth 9 në 10 - që marrin këtë vaksinë, mbrohen nga sëmundja e rëndë që mund të shkaktojë rotavirusi.

Programi i rregullt i vaksinimit në Kosovë hartohet nga IKSHPK-ja dhe miratohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur IKSHPK-në nëse planifikon përfshirjen e vaksinës kundër rotavirusit në kalendarin e obliguar të vaksinimit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në programin e zgjeruar të imunizimit në Kosovë janë të përfshira “vaksinat që parandalojnë sëmundjet më të përhapura dhe më të rrezikshme, e që parandalohen përmes vaksinimit”.

Në deklaratën me shkrim dhënë REL-it, nga ministria thonë se përfshirja e ndonjë vaksine të re në program “varet edhe nga propozimet që vijnë nga evidencat e bazuara në dëshmi shkencore rreth ndonjë sëmundjeje me rrezik të lartë, si pasojë e mosvaksinimit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG