Ndërlidhjet

Guvernatori ushtarak ukrainas: Të gjitha urat për në Severodonjeck janë "shkatërruar"


Severodonjeck, rajoni i Luhanskut, Ukrainë. Foto: 8 qershor, 2022.
Severodonjeck, rajoni i Luhanskut, Ukrainë. Foto: 8 qershor, 2022.

Të gjitha urat jashtë qytetit lindor Ukrainas, Severodonjeck, janë shkatërruar dhe kushtet për njerëzit që mbeten në qytet janë "jashtëzakonisht të vështira", tha për Radion Evropa e Lirë, Serhiy Hayday, guvernatori ushtarak për rajonin e Luhanskut.

“Të gjitha urat janë shkatërruar, kështu që sot është fatkeqësisht e pamundur të sjellësh diçka në qytet”, tha Serhiy Hayday, duke shtuar se evakuimet nuk janë të mundshme.

Forcat ruse kanë shkatërruar gjithë infrastrukturën për gaz, ujë dhe energji elektrike, tha ai, duke vënë në dukje se kishte gjithashtu "probleme të mëdha" me kujdesin mjekësor.

Sipas tij, ushtria ruse aktualisht kontrollon 70 për qind deri në 80 për qind të Severodonjeckut.

Ai shtoi në Facebook se Severodonjeck nuk është i bllokuar, dhe se ka komunikim me qytetin.

Ushtria ukrainase tha më 13 qershor, se forcat e saj u tërhoqën nga qendra e Severodonjeckut, qyteti i Donbasit, i cili ka parë beteja të egra mes forcave ukrainase dhe ruse që luftojnë për ta kontrolluar atë.

Eduard Basurin, një figurë e lartë separatiste, tha se Severodonjecku është bllokuar "de fakto" pasi forcat ruse hodhën në erë urën "e fundit" që e lidh atë me Lisiçanskun, qyteti i tij binjak përtej lumit Siverskiy Donets.

Hayday komentoi gjithashtu në lidhje me situatën në fabrikën kimike të azotit në Severodonjeck, ku thuhet se janë strehuar qindra civilë, të cilët thuhet se ishte "granatuar rëndë".

Luftëtarët separatistë të mbështetur nga Moska thanë gjatë fundjavës se kishin rrethuar uzinën dhe pretenduan se mbrojtësit ukrainas ishin bllokuar atje.
Pretendimet nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij me video, më 13 qershor, se beteja për Severodonjeckun po merrte numër të madh jetësh.

"Kostoja njerëzore e kësaj beteje është shumë e lartë për ne. Është thjesht e tmerrshme," tha Zelenskiy.

Ai u tha ukrainasve se "qëllimi kryesor taktik" i Rusisë nuk kishte ndryshuar dhe se mbrojtësit e këtij shteti janë duke luftuar për “secilin metër” të qytetit.

“Qëllimi kyç i pushtuesve nuk ka ndryshuar. Ata janë duke rritur presionin në Severodonjeck, atje ka luftime të ashpra – për secilin metër”, ka thënë ai.

Pavarësisht rritjes së presionit, Zelensky ka thënë se forcat ukrainase jane duke penguar trupat ushtarake ruse nga marrja e Donbasit.

“Ju kujtohet sesi në Rusi, në fillim të muajit maj ata shpresonin të merrnin kontrollin e rajonit lindor të Donbasit?” ka pyetur Zelensky.

“Është dita e 108-të e luftës, jemi në qershor. Donbasi ende po mbahet”.
Severodonjecku ka mbetur pikë kritike e luftimeve, të cilat sipas Kievit do të përcaktojnë rezultatin e luftës së paprovokuar që ka nisur Rusia në Ukrainë më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e konsideron luftën “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Kievi dhe Perëndimi e konsiderojnë këtë arsyetim si të rremë për nisje të luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG