Nga viti 1968 e deri në vitin 2013. Me librat e publikuar gjatë kësaj kohe shërbehen qindra studentë nëpër disa fakultete të Universitetit të Prishtinës.
Shumë prej programeve të studimit në këtë universitet publik nuk i kanë publike syllabuset e lëndëve. Por, disa prej tyre - në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik, si dhe në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) - mund të gjenden online.
Në syllabusin e publikuar online për lëndën Kompjuterikë në FIEK, libri i përshkruar për “artin e programimit kompjuterik” është publikuar në vitin 1999.
Përkundër që, viteve të fundit, fusha e shkencave kompjuterike është zhvilluar hovshëm - duke çuar edhe në paralajmërime për rreziqet nga inteligjenca artificiale - studentëve u përshkruhet material rreth 25 vjet i vjetër.
Njohësja e zhvillimeve në fushën e arsimit, Arbisa Shefkiu, thotë se gjendja në UP sjell “shqetësime të thella dhe sfida”, të cilat, sipas saj, nuk po adresohen me seriozitet nga menaxhmenti.
“Mungesa e burimeve shkencore dhe literaturës adekuate në bibliotekat e fakulteteve paraqet një pengesë serioze për zhvillimin e njohurive dhe krijimin e një mjedisi të pasur akademik”, thotë Shefkiu për REL-in.
Ajo beson se rekomandimet e Agjencisë Kosovare për Akreditim të vitit 2020, sipas të cilave duhet të rriteshin investimet në hulumtime, të përmirësoheshin burimet shkencore dhe të zgjerohej bashkëpunimi ndërkombëtar, janë ende relevante dhe “të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit në UP”.
“Në këtë kontekst, është e nevojshme që universiteti të kthehet drejt adresimit të këtyre sfidave për të siguruar një mjedis të pasuruar akademik dhe zhvillimin e studentëve. Përmirësimi i këtyre aspekteve do ta kthejë UP-në në një qendër të pasuruar dhe inovative për të gjithë komunitetin", thotë Shefkiu.
Studentët, me përshtypje të ndryshme për literaturën
Radio Evropa e Lirë vizitoi FIEK-un të enjten, kur studentë të pranishëm shprehën mendime të ndryshme për literaturën që u jepet për të studiuar. Një gjë që kishin të përbashkët, ishte dëshira për të mbetur anonimë, nga frika se profesorët mund t’u hakmerren në notë.
“Literatura është llom”, tha njëri ndër studentët, që po qëndronte para dyerve të fakultetit.
Një tjetër grup i djemve thanë se, në fakt, literatura e përmendur në syllabus nuk përdoret fare dhe se ata mësojnë nga materialet që i prezantojnë profesorët gjatë ligjëratave.
Asnjëri prej studentëve me të cilët foli REL-i, nuk ishte në dijeni për revistat e ndryshme shkencore për fushat e tyre të studimit, por disa thanë se mendojnë se literatura është adekuate për mësimet bazë që marrin në fillim të studimeve.
Universiteti publik në Milton Keynes të Anglisë, Open University, i cilëson revistat shkencore si “burimin e preferuar të informacionit akademik”.
“Ato zakonisht ofrojnë një perspektivë më aktualen sesa librat shkollorë dhe kanë besueshmëri për shkak të procesit të rishikimit nga kolegët. Artikujt e revistave ['punimet'] të paraqitur nga studiues, vlerësohen nga ekspertë të fushës përpara se të publikohen”, thuhet në ueb-faqen e këtij universiteti.
Radio Evropa e Lirë pyeti në Zyrën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës se pse nuk është bërë abonimi me pagesë në revista shkencore ndërkombëtare, por nuk mori përgjigje.
As nga FIEK-u nuk pranuan ta komentojnë literaturën që u caktohet studentëve.
Sipas syllabuseve të publikuara në ueb-faqet e fakulteteve të UP-së, as artikujt shkencorë të publikuar nëpër revista shkencore të qasshme pa pagesë, nuk janë të përfshirë në planet e studimit.
Abonimet e shtrenjta
Rreth pesë vjet më parë, Universiteti publik i Kalifornisë në SHBA kishte ndalur abonimin në një prej publikuesve më të famshëm të hulumtimeve akademike, Elsevier, për shkak të çmimit të lartë.
Deri në vitin 2019, Universiteti i Kalifornisë kishte paguar rreth dhjetë milionë dollarë në vit për këtë abonim.
Abonimet në publikues të tillë si Elsevier, që ka në pronësi mijëra revista shkencore, u mundësojnë shpeshherë akademikëve edhe t’i publikojnë hulumtimet e tyre në to, e jo vetëm qasje për hulumtim.
Universiteti i Prishtinës prezantohet si “baza kryesore e kërkimit shkencor në vend”, mirëpo nuk ka ndonjë abonim të tillë.
Buxheti i Universitetit të Prishtinës, sipas buxhetit të vitit 2024, do të jetë gati 32 milionë euro gjithsej - rreth një milion euro më pak sesa vitin e kaluar.
Rreth 30 milionë euro vijnë nga grantet qeveritare, ndërsa pjesa e mbetur janë të hyra vetanake të UP-së.
Projektet e planifikuara për këtë vit, përfshijnë ndërtimin e një laboratori, si dhe ndërtimin dhe renovimin e objekteve të disa fakulteteve.
Këshilli drejtues i UP-së - ku Ministria e Arsimit emëron katër anëtarë sipas Ligjit mbi arsimin e lartë - i raporton Ministrisë së Financave për shfrytëzimin e buxhetit të ndarë për universitetin.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI) nuk u përgjigj në pyetjet e REL-it lidhur me cilësinë e arsimimit në UP dhe buxhetin e këtij institucioni.
Dallimi me studimet jashtë Kosovës
Një studente e Fakultetit të Filologjisë nga Prizreni ka fituar dy herë bursë nga një program i Bashkimit Evropian, Erasmus Mundus, i cili u mundëson studentëve t’i vazhdojnë studimet në ndonjë universitet në Evropë për një kohë të caktuar.
Gjatë studimeve të saj - në nivelet Bachelor dhe Master - atë e befasuan shumë gjëra. Diçka që i mbetet në mendje, është përshtypja se tani është më shumë se vetëm një “nxënëse”, e krijuar nga studimet jashtë UP-së.
“Për shkak të licencës dhe autorizimit nga universiteti ku studiova në Gjermani, kam pasur qasje në qindra artikuj dhe libra, pa pasur nevojë t’i blej ato. Universiteti ofron edhe mundësinë e bibliotekës online, me një numër shumë të madh të librave e artikujve shkencorë. Në UP, kjo mungon fatkeqësisht”, thotë ajo për REL-in.
Prizrenases i kanë pëlqyer edhe shumë aspekte të tjera të studimit jashtë UP-së, si shumëllojshmëria e lëndëve dhe qasja e hershme në materialet mësimore për të gjithë semestrin.
Për studimet e saj në UP, ajo sheh një të mirë.
“Nuk ka edhe aq shumë studentë. Në këtë mënyrë, ti mund të krijosh rrjete që mund të të ndihmojnë në të ardhmen. Vetë profesorët, nëse je student i mirë, të inkurajojnë të vazhdosh më tutje”, thotë ajo.
Universiteti i Prishtinës aktualisht ka pak mbi 6.000 studentë, rreth 68 për qind e të cilëve janë vajza.