“Jemi shumë falënderues për përkrahjen që Kosova i jep Ukrainës... edhe nëse këtë përkrahje e jep vetëm me fjalë”, tha Sergey Malyshko.
“Qyteti ku unë kam jetuar, është shkatërruar nga ushtarët rusë. Vendi atje është shkatërruar, por shumë familje po kthehen”, tha ai.
Malyshko, 28 vjeç, është lojtar i kombëtares së Ukrainës në futsall.
Bashkë me ekipin e tij, ai mori pjesë në një ndeshje futsalli që u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në sallën e sporteve në Prishtinë.
Lojtarët u mirëpritën me duartrokitje të gjata nga qindra sportdashës nga Kosova.
“Slava Ukraini” apo “Lavdi Ukrainës” shkruante në një pano të ngritur në sallë. Aty shkruante edhe “Kosova stands with you”, apo “Kosova është me ju”.
Ukraina është nën pushtimin e ushtrisë ruse qysh në fund të shkurtit.
Shifra të sakta për të vrarët nuk ka, por besohet të jenë qindra mijëra.
Mbi 7 milionë ukrainas janë zhvendosur jashtë kufijve të vendit të tyre, ndërsa miliona të tjerë brendapërbrenda.
Malyshko, përpara se të shpërthente lufta, ka jetuar në qytetin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës, ndërsa më pas është zhvendosur në qytetin perëndimor të Lvivit.
Në ndeshjen e futsallit që u zhvillua në Prishtinë, ekipi ukrainas fitoi ekipin kosovar me rezultat 5:2.
Malyshko tha se fitoret e tilla janë motiv për lojtarët, por edhe për luftëtarët në front.
“Dua t’i falënderoj ushtarët e Ukrainës për luftën që po bëjnë për mbrojtjen e qytetarëve dhe që neve e shumë njerëzve të tjerë po u mundësojnë të punojnë e luftojnë në forma të ndryshme. Edhe kjo ndeshje, kjo lojë... për mua është një kontribut për vendin tim”, tha Malyshko.
Sipas tij, përgatitjet për lojë në një vend në luftë nuk janë aspak të lehta.
“Në perëndim të Lvivit arrijmë të ushtrojmë në një klub vetëm deri atëherë kur nuk ka alarme rreziku, e që na duhet të mbyllemi. Për momentin, jam sportist... por nëse kërkohet nga unë të shkoj të luftoj dhe ta mbroj vendin tim, unë do të shkoj dhe nuk do të fshihem askund”, tha Malyshko.
Oleksander Kosenko është trajner i kombëtares së Ukrainës në futsall. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai u shpreh i mahnitur me mikpritjen që u është bërë në Kosovë dhe me kurajën që i është dhënë nga njerëzit që ka takuar.
Ndeshjet që zhvillon, ekipi i përjeton si një lloj lufte, tha ai.
“Me këtë lloj të luftës duam të sjellim gëzim te qytetarët e Ukrainës”, tha Kosenko.
Burrat në Ukrainë, nga mosha 18 deri në 60 vjeç, nuk lejohen të largohen nga vendi në kohë lufte.
Kosenko tha se kombëtarja e futsallit merr leje nga Ministria e Sportit e Ukrainës për të udhëtuar jashtë Ukrainës për lojë.
“Lejet i marrim për një afat të shkurtër dhe e kemi obligim që të kthehemi përsëri në Ukrainë”, tha Kosenko.
Ne mesin e shikueseve të lojës ishin edhe disa gazetarë nga Ukraina, që gjetën strehim në Kosovë.
“Kosova është bërë si shtëpi e dytë për ne”, tha gazetarja Oksana Chykanchy, e cila ka rreth tre muaj që është vendosur në Kosovë.
Kosova, po ashtu, u është bashkuar sanksioneve që ka ndërmarrë Perëndimi kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Me fitoren në Kosovë, kombëtarja e Ukrainës në futsall forcoi pozitën në kuadër të garës për kualifikimet e Botërorit 2024.