Ndërlidhjet

Trump synon forcimin e kufijve për të zmbrapsur migrantët


Kontrolli kufitar në jug
Kontrolli kufitar në jug

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është duke planifikuar dërgimin e 800 apo më shumë trupave aktive në kufirin jugor, teksa mijëra migrantë janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara përmes Meksikës.

Kur është raportuar për shqyrtimin e një vendimi të tillë nga administrata, ka pasur zëra se presidenti Trump është duke tentuar të kthejë çështjen e imigrimit në fushatë për zgjedhjet në Kongres, transmeton AP.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis pritet të nënshkruajë një urdhër për dërgim të trupave të kufi, duke fuqizuar forcat e Gardës Kombëtare në këtë zonë, ka thënë një zyrtar amerikan të enjten.

Ky hap vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka shpenzuar ditët e fundit duke kërkuar vëmendje lidhur me mijëra persona nga Amerika Qendrore që janë duke ecur në këmbë në jug të Meksikës, mirëpo vazhdojnë të jenë larg tokës amerikane.

Trump, i cili pati diskutuar gjatë çështjet e migrantëve në fushatën e tij presidenciale më 2016, ka pasur disponim për ta kthyer këtë temë sërish në listën e tij, meqë zgjedhjet për Kongres në SHBA, më 6 nëntor, do të përcaktojnë se kush do të ketë kontrollin e Kongresit.

Presidenti dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë besojnë se pikërisht kjo çështje është çelësi për të kthyer sërish mbështetësit në anën e tij.

Trupat shtesë do të ofronin mbështetje logjistike dhe shërbime tjera në kuadër të patrullimeve kufitare, ka thënë një zyrtar në kushte anonimiteti, duke shtuar se plani nuk është finalizuar ende.

Megjithatë në SHBA nuk është e pazakonshme që Garda Kombëtare të ndihmojë pjesëtarët e sigurisë kufitare. Ndonëse këta trupa zakonisht ndihmojnë në rastet e gjendjeve të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me urganane apo vërshime, ato rrallë poziciohen në kufirin jugor për çështje tjera.

Frika për forca të armatosura në kufi ka rikujtur një incident të vitit 1997 në të cilin një mision kundër narkotikëve ka vrarë një 18 vjeçar që ka qenë duke shoqëruar bagëtinë e tij.

Prandaj në situatën aktuale, trupat aktive nuk do të jenë të armatosura, në mënyrë që të mënjanohet ndonjë incident i ngjashëm.

Trump dhe migrantët

Trump ka përdorur këtë lëvizje të personave nga Amerika Qendrore për të nisur akuza se banorë të Lindjes së Meme janë në mesin e migrantëve.

Në disa tubime dhe postime në rrjetin social, Tëitter, Trump ka tentuar të portretizojë demokratët si mbështetës të imigrimit ilegalë, duke deklaruar pa ndonjë të dhënë se demokratët kanë organizuar dhe kanë paguar nisjen e këtyre personave drejt SHBA-së.

Në një postim në Twitter të enjten ai ka thënë se “ligjet e inspiruara nga demokratët e bëjnë më të vështirë ndalimin e këtyre personave në kufi” dhe se ai do të përdorë ushtrinë për t’iu përgjigjur asaj që e ka cilësuar “Urgjencë Kombëtare”.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth 7,000 persona janë nisur drejt SHBA-së.

Shumica prej tyre janë nga Hondurasi, të cilët synojnë t’i ikin varfërisë dhe dhunës që ka përfshirë rajonin e tyre.

Pasi kanë kaluar kufirin e Meksikës, Trump u ka bërë thirrje migrantëve të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Për këta që janë pjesë e karavanit, kthehuni mbrapa”, ka thënë ai.

“Ne nuk lejojmë që njerëzit të hyjnë ilegalisht në SHBA. Kthehuni në shtetin tuaj dhe nëse dëshironi, aplikoni për shtetësi siç janë duk bërë miliona njerëz”.

Mirëpo migrantët në rrugën e tyre të gjatë kanë pasur pak qasje në raportimet e mediave për vetë ata. Kur janë pyetur për kritikat e Trumpit në Twitter dhe zotimet e tij për t’i kthyer në shtëpi, ata kanë thënë se presidenti amerikan duhet të ndalojë sulmet kundër tyre dhe kanë vazhduar rrugën për të hyrë në SHBA.

Presidenti amerikan edhe më herët gjatë këtij viti pati marrë vendim për vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë për t’iu përgjigjur lëvizjeve të migrimit ilegal.

Mirëpo këta anëtarë vazhdojnë të jenë nën kontrollin e guvernatorëve të shteteve përkatëse ku janë pozicionuar dhe aktivitetet e tyre janë të kufizuara në vetëm role mbështetëse.

Sipas zyrtarit anonim, vendosja e 800 apo më shumë trupave shtesë nga Mattis do të jetë përgjigje ndaj kërkesës së nisur nga Departamenti për Siguri Kombëtare, që menaxhon Patrullimet Kufitare.

Ligji federal ndalon angazhimin e trupave aktive në shërbime të zbatimit të ligjit, përveç rastit kur diçka e tillë autorizohet nga Kongresi.

Presidenti amerikan ka thënë të hënën se ka njoftuar zyrtarët e Patrullimit Kufitar se karavani është “Urgjencë Kombëtare” mirëpo Pentagoni ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë urdhër për shtim të trupave për siguri kufitare.

Megjithatë Trump ka deklaruar në një tubim të mërkurën se masat e tij janë në rrugë e sipër.

“Do ta shihni se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme. Do të shihni një kufi shumë të sigurt. Vetëm shikoni. Ushtria është gati. Të gjithë janë gati”, ka shtuar ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG