Ndërlidhjet

Tri përgjigje për veriun


Policia e Kosovës dhe KFOR-i formojnë kordonin e sigurisë para ndërtesës së komunës së Zveçanit më 29 maj 2023
Policia e Kosovës dhe KFOR-i formojnë kordonin e sigurisë para ndërtesës së komunës së Zveçanit më 29 maj 2023

Mëngjesi i 29 majit zbardhi me grupe të serbëve lokalë që dolën para ndërtesave komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Arsyet: Ndalimi i kryetarëve të rinj shqiptarë të hyjnë në ndërtesat komunale dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.

Kjo ishte protesta e dytë në katër ditët e fundit që serbët kanë mbajtur, pasi më 26 maj, kryetarët e rinj hynë në ndërtesa komunale, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

*Video: Protesta e serbëve më 29 maj

Si erdhi deri këtu?

Gjithçka nisi në nëntor të vitit të kaluar, kur kryetarët e katër komunave në veri (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) nga Lista Serbe, partia që ka mbështetjen e Beogradi zyrtar, dhanë dorëheqje, në kuadër të dorëheqjeve kolektive të serbëve nga veriu, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme fillimisht u caktuan për në dhjetor, por incidenteve të armatosura dhe vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë në veri, ato u shtynë për 23 prill të këtij viti.

Në këto zgjedhje, Lista Serbe nuk mori pjesë, e popullsia serbe e bojkotoi procesin zgjedhor.

Ata që dolën në zgjedhje, zgjodhën katër kryetarë shqiptarë: Erden Atiq (Mitrovicë e Veriut), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Lulzim Hetemi (Leposaviq).

Pse po kundërshtohen kryetarët e rinj?

Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, dhe ata në Beograd, kanë deklaruar se nuk i njohin kryetarët e rinj, të cilët, sipas tyre, kanë fituar “2-3 për qind” të votave.

Retorika u ashpërsua më 19 maj, kur në ndërtesën komunale të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, bëri betimin dhe nisi mandatin. Ndërtesa e kësaj komune, është e vetmja në veri, që gjendet në objekt të ndarë nga komunat paralele, që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Lista Serbe i dha ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 1 qershor, për të ndaluar, siç tha, "represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve".

Por, më 25 maj, tre kryetarët e tjerë të rinj të veriut bënë betimin në ndërtesa të tjera publike, për shkaqe sigurie.

Një ditë më pas, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, ata shkuan në zyra. Ky veprim u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët u përleshën me Policinë. Autoritetet bënë të ditur se pesë policë u lënduan dhe u dogjën disa makina.

Që nga 26 maji, Policia e Kosovës ka ruajtur ndërtesat komunale.

Fundjava e 27 dhe 28 majit kaloi e qetë dhe pa incidente, ndërkaq më 29 maj, në veri, pas paralajmërimeve për protesta, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, shtoi prezencën.

Lista Serbe paraqiti tri kërkesa për tërheqjen e protestuesve: tërheqjen e njësive speciale, tërheqjen e kryetarëve të rinj, por edhe mundësinë e zëvendësimit të Policisë së Kosovës – që po ruajnë ndërtesat komunale – me trupat e KFOR-it.

Çfarë thanë zyrtarët e Kosovës, Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare?

Bashkësia ndërkombëtare reagoi ashpër pasi kryetarët e rinj të komunave në veri hynë në ndërtesat komunale më 26 maj. Ndërkombëtarët e cilësuan si “hyrje me forcë” dhe i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të mos e tensionojë më tej situatën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, reagoi ashpër, duke i kërkuar Kosovës t'i ndalë “masat e dhunshme”. Ai tha se veprimet e tilla do të rezultojnë me pasoja në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Edhe shtetet e QUINT-it (SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Itali dhe Gjermani) i dënuan ashpër veprimet e Qeverisë në Prishtinë dhe thanë se presin nga Kosova që të mos ndërmarrë masa të reja për “hyrje me forcë në ndërtesat komunale” në veri.

I përballur me reagimin e ndërkombëtarëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mbrojti vendimin për shkuarjen e kryetarëve në ndërtesat komunale.

Ai deklaroi se e kupton shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, por theksoi se “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Pas tensionimit të situatës në veri, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi ngritjen në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të ushtrisë së tij. Ministria serbe e Mbrojtjes tha se njësitë ushtarake, pas këtij vendimi, do të dislokohen në drejtim të kufirit me Kosovën.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në mandat ka ofrimin e mjedisit të sigurt për të gjitha komunitetet, ka paralajmëruar se është i gatshëm “të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG