Forca të shumta të Policisë së Shqipërisë kanë ngritur sigurinë në kryeqytetin e Tiranës në prag të finales së Konferencës së Ligës, mes klubeve të futbollit Feyenoord dhe Roma, pas një nate trazirash që la 19 policë të plagosur.
Gjashtëdhjetë tifozë nga të dyja skuadrat, janë ndaluar nga policia mbrëmjen e së martës, 48 prej italianë dhe 12 holandezë.
“Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me thikë, të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj në një konferencë për media.
Policia e Shtetit ka njoftuar se janë dëbuar nga territori i Shqipërisë 80 tifozë italianë, përmes Portit të Durrësit për të cilët tha se përveç largimit, “do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit”.
Videot amatore të postuara nëpër rrjete sociale tregojnë skena të shumta incidentesh, ku u përdor edhe gazi lotsjellës nga ana e policisë për të shpërndarë turmat e huliganëve që hidhnin mjete të forta në drejtim të njëri-tjetrit dhe policisë.
Gjithashtu, policia u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të shmangin vendet ku qëndrojnë tifozët e futbollit.
“Apelojmë për bizneset në Tiranë, që të mos tregtojnë pije alkoolike në shishe dhe gota qelqi, pasi përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin dhe jetën e qytetarëve në rast përfshirje të konflikteve fizike”, tha Dervishaj.
Qeveria e ka shpallur 25 majin – ditën e ndeshjes - festë publike apo pushim zyrtar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thënë se deri në 100 mijë persona priten të mbërrijnë në Tiranë për finalen.
Kapaciteti i stadiumit është rreth 21,000 vende.
Kjo është hera e parë që Shqipëria është nikoqire e një loje të përmasave të këtilla.