Nisma për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krime lufte po merr kahe të paqartë, ngase jo të gjitha grupet parlamentare e shohin si të realizueshme idenë, që me të madhe ishte proklamuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Debati rreth kësaj nisme, është zhvilluar edhe të enjten në Kuvendin e Kosovës dhe pas mospajtimeve dhe paqartësive, është vendosur që të formohet një grup, i cili do të merret me përpilimin e dokumenti në bazë të së cilit, eventualisht do të vazhdojë procesi në të ardhmen.
Edhe gjatë seancës të së enjtes ka pasur diskutime e kundërshtime për çështjen e themelimit të tribunalit ndërkombëtar.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, merr shumë kohë dhe kjo shkon në favor të shtetit të Serbisë. Sipas tij, derisa të nisë puna e tribunalit, do të vdesin edhe dëshmitarët.
"Të flasësh për tribuna ndërkombëtar, nuk do të thotë të ngutesh do të thotë përkundrazi të mos ngutesh. Ideja për tribunal ndërkombëtar i jep kohë Serbisë, i jep kohë kundërshtarit tonë. Pra, në kundërshtim me atë që proklamohet nga kreu dhe zëdhënësit e tjerë të PAN-it, ideja e nxituar për tribunal i jep në fakt më shumë kohë Serbisë se do të kalojnë shumë vjet derisa themelohet dhe të fillojë funksionimi i një tribunali të tillë. Me këtë ide, Serbisë i sigurohet se edhe për një dekadë nuk do të gjejë gjë", tha Kurti.
Në krye të kësaj nisme, qëndron kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është zotuar se institucionet e Kosovës do të formojnë tribunal ndërkombëtar që do të gjykojë dhe dënojë të gjitha krimet e pretenduara të Serbisë gjatë konfliktit të viteve 1998-’99.
Veseli tha të enjten se nuk është me rëndësi se kush është iniciues i kësaj çështjeje, por sipas tij, me rëndësi është që të formohet një tribunal i tillë.
"E rëndësishme është që të orientohet dhe votohet me përgjegjësi të plotë nga ky Kuvend tribunali, përkatësisht komisioni shtetëror si fazë e inicimit për tribunal ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo është me rëndësi, se kush e bën, se si propozohet e si modelohet ... se tek e fundit te gjithë japim përgjegjësi para qytetarëve", tha Veseli.
Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje, patën lëshuar sallën në momentin që ishte hapur debati në lidhje me krijimin e një komisioni për themelimin e tribunalit. Ajo seancë, nuk arriti që t’i vazhdojë punimet për shkak të mungesës së kuorumit. Pa mbështetjen e opozitës, nisma për tribunal nuk mund as të kalojë pragun e parë, që është miratimi në Kuvendin e Kosovës..
Deputetët e dy partive politike opozitare konsiderojnë se kjo është "një tallje me qytetarët, pasi që një tribunal i tillë mund të krijohet vetëm nga Kombet e Bashkuara".
Por, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, tha për Radion Evropa e Lirë se nisma e kryetarit të Kuvendit do të vazhdojë pavarësisht kundërshtimeve të disa partive politike opozitare. Ai theksoi se veprimet e radhës do të jenë brenda institucioneve që fillimisht, siç tha ai, do të formohet komisioni dhe më pas edhe tribunali.
"Përpjekjet nuk do të ndalen deri në themelimin e tribunalit, krijimin e komisionit në radhë të parë që është e paraparë si ide, e më pas deri të themelimi i tribunalit. Ne besojmë se partitë opozitare do ta kuptojnë saktësisht se themelimi i tribunalit në radhë të parë është interes i qytetarëve të Kosovës dhe i dënimit të gjenocidit serb dhe nuk ka të bëjë me asnjë interes tjetër", tha Reçica.
*Video ng arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?
Lëvizja Vetëvendosje thotë se një tribunal i tillë nuk mund të bëhet nga institucionet e Kosovës. Ata kanë thënë se krimi dhe gjenocidi serb mund të dënohet edhe me Kodin e Procedurës Penale.
Amendamentimi i Kodit të Procedurës Penale ka kaluar të enjten edhe leximin e dytë.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, theksoi se tribunali nuk mund të zëvendësohet me Kodin e Procedurës Penale, dhe se, sipas tij, nuk mjafton që të Kosova të ketë vetëm amendamentimin e Kodit, pa pasur edhe tribunalin.
"Është shumë me rëndësi që të themelohet tribunali ndërkombëtar që e dënon gjenocidin serb. Në këtë aspekt, është tërësisht e palogjikshme e jo normale që të mos jemi të gjitha partitë politike konform kësaj ideje dhe realizimit të kësaj ideje", tha Reçica.
Më 6 maj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq, një ditë më vonë, më 7 maj, Komisioni parlamentar ‘ad-hoc’ për hartimin e Projekt-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, ka miratuar një draft-rezolutë.
Njohësit e së Drejtës Penale Ndërkombëtare, thonë nismat e tilla për tribunalin janë të vonuara, ndërkohë që sipas tyre, institucionet dhe Qeveria e Kosovës në të gjitha mandatet e deritashme, nuk u janë qasur problemeve bazike që kanë të bëjnë me çështjen e krimeve të shtetit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
Ndryshe, Fondi për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë ka thënë se janë vrarë rreth 13,500 persona.
Të pagjetur ende konsiderohen më shumë se 1,600 persona.